Karnavali zgjedhor

Kultura

Karnavali zgjedhor

Sevdail Hyseni Nga Sevdail Hyseni Më 20 qershor 2026 Në ora: 13:10
Karikatura: “Rinumërimi i votave”, Imri Musliu

Në botë karnavalet mbahen veç një herë në vit,
Kurse te ne zgjedhjet zhvillohen pa asnjë limit.
Sapo qytetarët nisin fushatën që ta harrojnë,
Politikanët prapë me zhurmë skenën e pushtojnë.

Në këtë teatër absurd, qytetari bie në zhgënjim,
kujton zgjedhjet, pa u tharë boja në fletëvotim.
Po sikur të ishte kompromisi disiplinë olimpike,
vendi do të fitonte medalje në bojkotime historike.

Fjala "kompromis" trajtohet si specie e rrezikuar,
ndërsa "zgjedhjet e reja" janë mall i shumëkërkuar.
Me këtë ritëm ua kalojmë edhe katër stinëve në vit,
se votojmë aq shpesh, sa liderët tanë nuk i mërzit.

Mbase karnavali është i bukur  për sy e për veshë,
atëherë kur nuk zgjat më shumë se një ditë në shesh.
E kur maskat s’hiqen e premtimet s'kanë mbarim,
shteti nuk ndërtohet me fjalë, por me mirëkuptim.

Prandaj, mjaft me këtë valle që na ndjek hap pas hapi,
e na sjell te kutitë, sa herë kur i prishet dikujt hesapi.
Se populli s’ka nevojë për një tjetër proces - verbal,
Por, për një vend normal... e jo për “karnaval”!()

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat