Drenicë

Kultura

Drenicë

Nga: Alban Hajrushi Më: 25 qershor 2026 Në ora: 21:40
Alban Hajrushi

Ah nanë, nuk munda bukën me shiju!

Plumbi më doli përpara, më la të paftuar

Nuk pashë agimin që e prite me sy;

Nuk e ndjeva aromën tënde në mëngjes,

Veç erën e barutit që më mbeti në vesh.

Pranvera u thye pa çelur në Drenicë,

Me prite te dera me sofrën plot begati;

Nanë,                      

Nanë,

Nuk u ktheva, besën nuk e mbajta.

Buka të mbeti në dorë.

Ani bre, nanë, kur të merr malli,

Shko bre, shko, nanë në Prekaz

Te varri i Bacës Adem të ndalet çdo vaj,

Aty, nanë, të flas me za, aty, nanë

Në Drenicë;

Aty qan edhe toka për bijtë e lirisë.

Prekma nanë varrin me dorë të dridhur ngadalë!

Nuk dua as edhe një pikë lot të dalë, mos qaj;

As me za as në heshtje.

Kur të merr malli për mua, nanë,

Ku me të kërku, ku je, more djalë?

Në Prekaz, nanë, te dheu i shenjtë,

Kur s’fiket kurrë as emri i bacës Adem.

Po si me të pa, kur s’të shoh me sy?

Në çdo lis të Drenicës unë jam unë aty.

Po zani yt kur më vjen në vetmi?!

Nga Prekazi, nanë, ku flet liria për ne të dy.

Po zemra ime si rreh pa ty?

Në çdo rrahje që mban Prekazi është gjallë aty.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat