Doli nga shtypi libri “Ku është besimi juaj?”

Kultura

Doli nga shtypi libri “Ku është besimi juaj?”

Nga: Lekë Mrijaj Më: 13 gusht 2026 Në ora: 21:44
Kopertina e librit

Sapo ka dalë nga shtypi libri “KU ËSHTË BESIMI JUAJ?”, i autorit Reinhard Kittl, i përkthyer nga gjermanishtja, i përgatitur dhe i përshtatur në gjuhën shqipe nga Dom Fran Sopi, meshtar i Kishës Katolike “Shën Katarina e Aleksandrisë” në Pejë.

Libri është botuar nën ISBN e Shtëpisë Botuese HIERONYMUS, Klinë, 2026, ndërsa shtypjen e ka realizuar FAB Advertising – Pejë. Botimi origjinal i veprës mban titullin “WHO IST EUER GLAUBE” dhe është botuar në vitin 2012.

Vepra trajton, në mënyrë biblike, teologjike dhe shpirtërore, çështjen e besimit, duke e ftuar lexuesin të reflektojë mbi marrëdhënien personale me Hyjin, jetën e lutjes, përvujtërinë, Eukaristinë, dashurinë dhe dëshminë e krishterë.

Për Dom Fran Sopin, përkthimi i këtij libri nuk është vetëm kalim i fjalëve nga një gjuhë në tjetrën, por një urë ndërmjet dy brigjeve shpirtërore, përmes së cilës mendimi i autorit i përcillet lexuesit shqiptar me qartësi dhe ndjeshmëri baritore.

Vetë titulli “Ku është besimi juaj?” përbën një ftesë për shqyrtim të ndërgjegjes dhe për rikthim te thelbi i jetës së krishterë. Libri nuk synon vetëm të informojë, por ta ndihmojë lexuesin të ndalet, të meditojë dhe ta jetojë më thellë besimin e vet.

Ky botim përbën një kontribut të ri në literaturën shpirtërore në gjuhën shqipe dhe u drejtohet meshtarëve, rregulltarëve, katekistëve, familjeve, të rinjve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë ta njohin dhe ta jetojnë më thellë misterin e besimit të krishterë.

“Ku është besimi juaj?” është një pyetje që nuk kërkon vetëm përgjigje me fjalë, por dëshmi me jetë.

Klinë, më 13 gusht 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat