Spiuni paranoik

Kultura

Spiuni paranoik

Nga: Sevdail Hyseni Më: 19 gusht 2026 Në ora: 15:34
Fotoilustrim

Në një fshat mbi Lagunë,
bënte namin një spiun;
s’kishte arë, as bagëti,
por jetonte si zotëri.

Ecte rrugëve pandarë,
me dy veshë si dy radarë;
mblidhte fjalët me lezet,
t’ia dërgonte Mbretit vetë.

Asnjë rast s’e linte kot,
të qeshurës i thotë komplot;
gotën e kafes në sallon
e quante troç revolucion.

Nëse bujku ankohej drejt:
- Na dogji vapa, s’ka bereqet!
Spiuni te Mbreti, me vrap:
- Populli po kërkon hesap!

Mbreti e kishte për zemër
këtë “besnik” me nam e emër,
që i sillte lajme çdo ditë,
rrotull tokës si satelit.

S’guxonte kush të fliste,
as të qeshte e të kukuriste;
po ra në vesh fjala vet,
bëhej dosje, në “Komitet”.

Kështu vitet iknin në heshtje,
një nga një, si gjethe vjeshte;
derisa plakut, dalëngadalë,
i ra fuqia, mbeti pa fjalë.

U rrudh, u shter si spec vargu,

nuk mund të dilte as te pragu,
sytë nuk shihnin si më parë,
goja iu hap si një varr.

Thirri pranë pleqtë e fshatit,
që të ulen rreth krevatit.

- Ju tha me zërin në hall:
Kërkoj falje, ma bëni hallall!

Pleqtë u panë sy më sy,
u habitën të gjithë për çudi:
- Ta bëjmë hallall, kat më kat,
se s’ia vlen të mbajmë inat.

Por spiuni, me gojën e vet,
u tha: - Kam edhe një amanet:
kur të vdes, më varni, gjithsesi,
në oborrin tim, në qershi!

Pleqtë e pranuan si më mirë:
- Qoftë e fundit kjo dëshirë!

Dhe e varrosën ashtu të vdekur,
si një mollë që s’kishte pjekur;
 

Por lajmi shkoi te Mbreti,
siç shkonte çdo fjalë te Komiteti:

- Spiunin e varën, o Madhëri!
- Fshatarët, për së gjalli, n’qershi!

Mbreti s’pyeti, as nuk hetoi,
as dëshmitarë nuk kërkoi;
i dërgoi xhandarët si stuhi,
të kërkonin fajtorë në shtëpi.

- Kush e vari? Jeni nën hetime!
- Kush guxoi t’i prekë një qime?!
I rrahën keq burra e gra,
u mbush fshati me hata.

Një plak tha me gjithë mend:
- Mjerë ky popull, mjerë ky vend!
Mbretëritë shkojnë, siç thonë…,
por spiunllëku rron gjithmonë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat