Inspirim bjeshkorë

Kultura

Inspirim bjeshkorë

Nga: Tahir Bezhani Më: 26 gusht 2026 Në ora: 18:21
Tahir Bezhani

MËNGJESI NË BJESHKË

Te kroni i ftohtë në Bogë

Herët lava sy e faqe

Aromë pishe, ndieja freskun shpirtëror

Me ujë u ngopa si deve për rrugë të gjata

Shikimet prekshin majave të kaltërta

Zemra buçiste me ritmin e lodhur

Në lartësi një shqiponjë krahapur

Notonte në qiellin e kaltër pafund

Liri pa kufi ndieja në shpirtin tim

Ëmbël më frymonte bjeshka

Si kurorë nusërie në stinën verore...

VALLJA E KETRAVE

I shtrirë në barin e njomë

Ajri i pishës më përkundte gjumin

Një valle ketrash atje mes dy pishave

Ndiqnin njëri tjetrin me shpejtësi

Grimconin ushqim me dhëmbët e mprehur

Sa maratonë e këndshme loja e tyre

Sytë nuk i ndaja nga ajo valle e hareshme

Degëve të larta të pishnajës së gjatë

Gjumë i ëmbël më kishte vjedhë ditën

Ketrat kishin mbaruar lojën e ditës

Ora kishte shpejtuar ecjen

Ditë e bukur shkoi me shpejtësi

Nata çapit kujtimet në heshtje

Nuk dij a flëjnë edhe ketrat.....

VIJA AEROPLANËSH NË QIELL

Qielli i kaltër ngjante si syprinë deti

Kur shikoja lart nga një pllajë e gjelbër

Grafik vizatuar nga tym aeroplanësh

Rrugëtimeve të meridianëve të botës

Mendimeve të mia ziheshin hallet e jetës

Në heshtje grindesha me dreqin e të birit të dreqit

Faji jetim rrugëve të botës mbetur

Përplasej ndërgjegjes së sëmurë njerëzore

Sa gjatë shikova qiellin e kryqëzuar

Të tymosur me helmin e teknologjisë së përsosur

Nata në bjeshkë më mbështolli në gjirin e freskisë

Ika nga një botë në tjetrën...

Ëndrrat rreth mendimeve si xixëllonja vere

Shtrëngoja dhëmbët, përtypja asgjënë

Vijat e tymit nga qielli ishin tretur

Mendimet ishin shkrirë në gjumin e natës

As lehjen e qenve nuk e kam dëgjuar

Në mëngjes rreze dielli përmes vrimave

Preken bebëzat e mia të hareshme

Ditë e re, hap i ri, larg ecje ditore...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat