Bisedë shpirtërore

Kultura

Bisedë shpirtërore

Nga: Xhelal Hoxha Më: 31 gusht 2026 Në ora: 08:55
Xhelal Hoxha

Gjatë gjithë jetës sime
pata tundje e tronditje shpirtërore:
në shëndet e në punë,
në gëzime e në hidhërime,
mes shumë sfidash, peripecish
dhe mundimesh…

Por gjithmonë fola e flas
më mirë me Zotin tim
në gjuhën time shqipe –
gjuhën më të bukur në botë!

Me Zotin fola gjatë e gjerë
në gjuhën shqipe,
jo në gjuhë arabe a turke.

Dhe u kuptuam shumë mirë
duke iu lutur për shpëtim,
për shërim e mirëkuptim,
për çdo njeri në këtë jetë
që duhet të jetë
plotësisht i lirë.

Në fund të bisedës
më tha për njeriun kështu:

Njeriu më i afërt,
më i pranuar e më i devotshëm,
më i dashur e më i çmuar
tek unë, Zoti, Hyji juaj
është ai që i do njerëzit,
i nderon dhe i respekton,
sidomos prindërit e tij
dhe të afërmit që ka.

Pastaj më tha edhe një fjalë
që kurrë nuk duhet harruar:

A ka më keq e më turp
për njeriun në jetë
se kur lind shqiptar i pastër
dhe në fund të jetës
varroset si arab?!

Duke u mbuluar
me flamur të huaj,
duke folur e u lutur
në gjuhë tjetër,
dhe jo në shqipen tonë
të vjetër!

Atëherë i thashë:

Po, kështu është kjo…
dhe kjo më preku thellë në shpirt,
më tronditi çdo pore të jetës sime,
mishin deri në asht.

Prandaj do të flas me Zotin tim
shkurt e shqip
deri në amshim.

Sepse Ai do të ketë mëshirë e durim,
respekt e mirënjohje,
falënderim e shpërblim,
Dhe mbi të gjitha
bekon njeriun
që e do vendin e vet,
gjuhën e vet
dhe kombin e ton trim.

Xh.H.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat