Kush do ta ndezë dritën?

Kultura

Kush do ta ndezë dritën?

Nga: Milazim Zeqiraj Më: 31 gusht 2026 Në ora: 17:25
Milazim Zeqiraj

Jemi në pritje,
kush do ta ndezë dritën?

Ndoshta deputetja,
presidente në detyrë,
ose deputeti,
kryeministër në detyrë.

Të gjithë flasin për shtetin,
për ligjin e Kushtetutën,
por kur vjen ora e përgjegjësisë,
e humbin rrugën,
e harrojnë betimin.

Gjykata Kushtetuese
duhet ta çajë mjegullën,
që shteti të mos mbetet peng
i fjalëve pa fund.

Shteti ynë,
me rrënjë të thella në gur,
qëndron krenar
me himn e flamur.

Por zemra e tij
kërkon përgjegjësi
nga ata
që ne i kemi zgjedhur aty.

Lutja e fundit
është si e para:

Merrni përgjegjësinë,
punoni,
dhe Kushtetutën zbatojeni!

Në këtë mjegull
s’po e shohim më
njëri-tjetrin në sy.

Jemi hutuar,
s’po dimë më kur lindi dielli.
Fytyrat i kemi kthyer nga qielli,
sikur përgjigjja
të vijë prej tij.

Durimi dhe sinqeriteti
na mbajtën gjallë.
Bashkë,
si një grusht i vetëm,
lehtë i përballonim stuhitë.

Por tani,
edhe përpjekjet janë lodhur
nga përsëritja e takimeve,
nga premtimet
dhe dështimet.

Kushtetuta është e qartë,
vetëm ai që nuk do,
nuk e zbaton.

Dhe ju  thoni:
“Se ende ka kohë.”

Por maskat ju kanë rënë,
e lojën prapë e vazhdoni,
pa ju hyrë therrë në këmbë,
sikur ky vend
të mos ishte edhe i joni.

Tani jemi duke pritur,
kush do ta ndezë dritën.

Sepse drita nuk vjen vetë,
dikush duhet ta ndezë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat