Zemrës i bëra peshqesh

Kultura

Zemrës i bëra peshqesh

Nga: Vjollca Aliu Më: 31 gusht 2026 Në ora: 20:55
Vjollca Aliu

Me dhimbjet e shpirtit bëra skulpturë
Lotët e dhimbjes i fshiva me petale lulesh
Shpirtin e mërdhirë ngroha me zjarr eshkeje
E me forcën e shpirtit u shndërrova në kala.

Me dhimbjet që më vinin si plumba
Mbusha karikatorin e qëndresës sime
Si fijet në qilim lidha zemrën e mendjen
E pamposhtur në betejat që më vinin rrufe.

Sa herë kam mbledhë copëzat e shpirtit
Dhe me to kam ringritur mozaikun e rijetës
Kam ujitur shpirtin me lotët e pandalshëm
Për ta njomë zemrën si lulen vjollcë erëmirë.

Sot diellin e shoh ndryshe nga dje
Jo rrezevrarë, por të shndëritshëm si ar
Sot fytyrës nuk i dhuroj dot më lotë
Zemrës peshqesh çelësin shpresë plotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat