“Jetimët” – Anatomia e vetmisë dhe e nevojës njerëzore

Kultura

“Jetimët” – Anatomia e vetmisë dhe e nevojës njerëzore

Nga: Skënder Zogaj Më: 9 shtator 2026 Në ora: 12:19
Premierë në teatrin “Dodona” të Prishtinës

Premiera e dramës “Jetimët”, vepër e mirënjohur e dramaturgut amerikan Lyle Kessler, e shkruar dhe e vënë për herë të parë në skenë më 1983 dhe më pas e inskenuar në vende të ndryshme, u shfaq me shumë sukses edhe në skenën e Teatrit “Dodona” të Prishtinës. Publiku e priti ngrohtësisht dhe e duartrokiti shfaqjen e regjisorit Ilir Bokshi, i cili ka sjellë një tragjikomedi me një temë të thjeshtë në dukje, por me një lëndë dramatike të ngjeshur dhe me fuqi të veçantë artistike, që zhvillohet mbi një trekëndësh të jashtëzakonshëm marrëdhëniesh psikologjike ndërnjerëzore.

Këtë trekëndësh e përbëjnë tri personazhe, tri botë të ndryshme shpirtërore, që përplasen, ndërthuren dhe plotësojnë njëra-tjetrën, duke e shndërruar skenën në një hapësirë ku vetmia, dhuna, frika, dashuria, varësia dhe nevoja për mbijetesë kalojnë nëpër përpëlitje jetike.

Dy vëllezërit jetimë, Treati dhe Phillipi, jetojnë të izoluar në një hapësirë të mbyllur, të varfër dhe të deformuar nga mungesa e prindërve. Vëllai i madh, Treati, e ka shndërruar jetën në një figurë agresive dhe të dhunshme, ndërsa vëllai i vogël, Phillipi, jeton në gjendje izolimi, frike dhe varësie, deri edhe për ajrin që thith. Kthesa ndodh me ardhjen e Haroldit, i marrë peng për t’u grabitur, por që hyn në jetën e jetimëve si një figurë tjetër: ai nuk është jetim nga prindërit, por është jetim nga mungesa shpirtërore.

Image
Pamje nga shfaqja

Pra, janë tri personazhe jetimësh që përfaqësojnë tri forma të ndryshme të vetmisë njerëzore: Treati është vetmia që është kthyer në dhunë; Phillipi është vetmia e pafajshme, brishtësia e burgosur që jeton në frikë; ndërsa Haroldi është vetmia që mbijeton duke zotëruar të tjerët. Prandaj, takimi i tyre nuk është një takim i zakonshëm, por një rastësi e domosdoshme e tri botëve të dëmtuara psikologjikisht, që e plotësojnë njëra-tjetrën.

Regjisori Ilir Bokshi e ka trajtuar bukur dhe me ndjeshmëri të lartë artistike lëndën përmbajtjesore të dramës, duke i organizuar me finesë variacionet e tri karaktereve krejtësisht të ndryshme psikologjike, por pa i lënë të ndara në botët e tyre individuale. Përkundrazi, i ndërvar dhe i shkrin, që të marrin frymë në harmoni brenda trekëndëshit psikologjik, ku secili personazh përcaktohet, zbulohet dhe merr kuptim përmes marrëdhënies me dy të tjerët.

Image
Pamje nga shfaqja

Bokshi nuk i lë personazhet thjesht përballë njëri-tjetrit, por i ka funksionalizuar si pjesë të një organizmi të vetëm dramatik. Regjisori i ka përqendruar aktorët në thelbin e karaktereve, duke bërë që ata jo vetëm t’i interpretojnë personazhet, por t’i ringjallin dhe t’i mishërojnë në lojën teatrale.

Treat–Phillip–Harold, të interpretuar nga Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi, realizojnë tri individualitete aktoriale, me tri energji dhe mënyra të ndryshme shprehjeje, por që sintetizohen në një tërësi të fuqishme skenike. Secili prej tyre e ndërton personazhin me identitet të dallueshëm, por, njëkohësisht, mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me dy të tjerët. Pikërisht kjo ndërvarësi e bën trekëndëshin psikologjik kaq funksional dhe artistikisht bindës.

Image
Pamje nga shfaqja

Tre aktorët, në tërësi, janë secili më i mirë se tjetri. Megjithatë, për një nuancë, Ylber Bardhi, në rolin e Phillipit, shfaqet si pika më e ndritshme e këtij trekëndëshi aktorial. Ai nuk mjaftohet me interpretimin e personazhit; e përjeton dhe e natyralizon atë në një shkallë të tillë, sa spektatori, në çaste, harron se ndodhet në teatër dhe fillon të kënaqet e të vuajë bashkë me aktorin.

Ylber Bardhi e ndërton Phillipin me një brishtësi dinamike të jashtëzakonshme dhe me një plasticitet virtuoz e të prekshëm, duke i dhënë jetë një vargu të pafund nuancash psikologjike: kureshtjes, pafajësisë, frikës, habisë, dëshirës për ta kuptuar botën, nevojës për afërsi dhe etjes, me lëkundje të vazhdueshme, për të dalë nga rrethi i mbyllur ku është burgosur.

Loja e tij nuk është vetëm e saktë; ajo është organike. Personazhi duket sikur lind e rritet para syve të spektatorit. Phillipi i Bardhit nuk “luhet”; ai jetohet. Dhe pikërisht kjo e bën interpretimin e tij, sipas këtij vështrimi, pjesën më të ndritshme të trekëndëshit aktorial.

Por kjo epërsi e lehtë nuk e zbeh aspak fuqinë e dy interpretimeve të tjera. Adrian Morina, në rolin e Treatit, është shtylla e forcës, e dhunës dhe e mbrojtjes së deformuar nga trauma. Ai e ndërton një karakter kontradiktor, ku agresiviteti bashkëjeton me frikën, ndërsa dashuria për të vëllanë shndërrohet në kontroll dhe mbyllje.

Morina arrin të depërtojë përtej sipërfaqes së një personazhi të dhunshëm dhe të nxjerrë në pah njeriun e plagosur që fshihet brenda tij. Adrian Morina nuk e shfaq Treatin thjesht si agresor, por si një qenie të dëmtuar që nuk ka mësuar të dashurojë pa zotëruar dhe të jetojë pa dhunuar.

Po aq i rëndësishëm është edhe Ledion Zoi, në rolin e Haroldit. Ai është forca që hyn nga jashtë dhe e trondit ekuilibrin e brishtë të dy vëllezërve. Haroldi është njëkohësisht i huaj, ndërhyrës, udhërrëfyes dhe figurë transformuese. Zoi e përçon këtë kompleksitet me një lojë të matur dhe reflektuese, duke e bërë personazhin një prani të fuqishme brenda strukturës psikologjike të shfaqjes.

Zoi dhe Morina janë dy shtylla të forta, thellësisht reflektuese, mbi të cilat mbështetet drama e vetmisë njerëzore.

Shikuesi, përmes këtyre tri personazheve letrare, mëson të kuptojë më thellë tri format e ndryshme të vetmisë njerëzore: nga Treati, vetminë që shpërthen në dhunë; nga Phillipi, brishtësinë sentimentale të vetmisë dhe pafajësisë, që ushqen frikën dhe kureshtjen e etur për ta njohur botën; ndërsa Haroldi përfaqëson vetminë e njeriut që ka mësuar të mbijetojë duke krijuar marrëdhënie pushteti dhe varësie.

Prandaj, titulli “Jetimët” merr një kuptim shumë më të gjerë se mungesa fizike e prindërve. Jetimi i kësaj drame është njeriu që nuk di të jetojë pa tjetrin, por as nuk di si ta ketë tjetrin pa e sunduar, pa iu nënshtruar ose pa u varur prej tij. Në këtë kuptim, vetmia bëhet personazhi i padukshëm, por më i fuqishëm i shfaqjes.

Regjia e Ilir Bokshit, së bashku me lojën aktoriale, të pasuruar nga skenografia funksionale dhe kostumet e zgjedhura me shije e profesionalizëm teatral, si dhe nga efektet dhe zgjedhja muzikore, e shndërrojnë shfaqjen në një laborator psikologjik të meditimit mbi marrëdhëniet aktuale njerëzore, ku dashuria dhe dhuna, mbrojtja dhe kontrolli, pafajësia dhe manipulimi, nevoja dhe liria përplasen vazhdimisht dhe pasqyrojnë nevojën e njeriut për tjetrin.

Dhe ky është thelbi i suksesit të premierës “Jetimët” që e vë shikuesin përballë vetmisë njerëzore si një nga plagët më të thella të qenies.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat