Ata që shkruajnë i dua,
i çmoj dhe i respektoj,
sepse fjala e shkruar
nuk është vetëm fjalë—
është dritë që mbetet.
Qiriu digjet në errësirë,
flakëron, bën dritë
dhe, duke u shkrirë,
u ndriçon rrugën të tjerëve.
Edhe poetët janë të tillë.
Ata shkruajnë kur nata bëhet e gjatë,
kur errësira mbulon gjithçka
dhe kur drita duket larg.
Me fjalën e tyre
përpiqen t’i ndriçojnë njerëzit,
t’ua sjellin dritën
dhe t’ua bëjnë natën ditë.
Të tillë janë ata
që jetojnë, vuajnë, punojnë e dashurojnë
dhe shkruajnë për të tjerët,
duke harruar shpesh
të shkruajnë për veten…
Sepse disa njerëz
jetojnë për ta mbajtur veten gjallë,
ndërsa disa të tjerë
digjen që të ndriçojnë të tjerët.