„Ujë që nxjerr nga pusi i vet“ – shkrimtari PIRO MILLONA MINELLA

Kultura

„Ujë që nxjerr nga pusi i vet“ – shkrimtari PIRO MILLONA MINELLA

Nga: Përparim Hysi Më: 13 shtator 2026 Në ora: 18:13
Përparim Hysi

Siç e shihni, fjalët janë futur në thonjëza, se metafora nuk është imja. Kjo është një thënie apo si një devizë për gjithë krijuesit. Është thënie nga shkrimtari i madh çek, MILAN KUDERA. Ky ka thënë: „Çdo krijues nxjerr ujë nga pusi i vet“.

Kështu ndodh dhe me PIRON që, posa më daroviti, jo me një, por me dy libra njëherësh. „Njeriu që shkroi jetën, pa harruar të jetojë“ dhe librin, për të cilin edhe do të flas, pasi e lexova.

Për ta shterur dhe më tej këtë thënie të KUDERËS, dua t’ju them që në fillim, që jo vetëm e „piva“ këtë ujë, por jo vetëm më shijoi, por ka një efekt të çuditshëm: ti pi një gotë e tak kërkon të dytën, të tretën e me radhë.

Pyetjes „Përse ndodh kështu?“, ia gjeta përgjigjen përmes Nobelistes ANNIE ERNAUX, që thotë: „Të jetosh diçka, çfarëdo qoftë ajo, të jep të drejtën për ta shkruar atë“.

Kështu që „pusi“ i PIRO MINELLËS jo vetëm nuk shteron, por „nxjerr“ e „nxjerr ujë“.

PIRO MILLONA MINELLA ka një kujtesë perfekte dhe, sajë kësaj kujtese, ai të sjell një mori ngjarjesh e mbresash që, sado kanë ndodhur me vite larg, të bëhen sikur ndodhin aty para sysh dhe mbushesh me emocione pozitive (gjithmonë evokon të mirën), se mbresat nuk janë thjesht fjalë, por marrin një vlerë të epërme, përmes njerëzve që janë edhe sot gjallë, ose kanë ndërruar jetë, duke lënë pas gjurmë që duhen ndjekur.

HORACI ka thënë: „Njeriu rron me kujtimet e tij deri në vdekje“.

Kujtesa e PIROS (unë e quaj PIRO KUJTESA) është e tillë që e „lubrifikon“ në kohë këtë kujtesë.

Për PIRO MILLONA MINELLËN dhe kujtesën e tij është një përjashtim që i rri si „kostum“ pas trupit, kjo thënie: „Njeriu shënon kujtimet e tij në ‚fletët e thella të kujtesës‘, në zgavrat e tij të pallogaritshme dhe të rregullta. Ua beson pasardhësve, siç bëjnë indianët me librat ‚Veda‘ dhe hebrenjtë me shkrimin e shenjtë“.

Këtë „lloj kostumi“ që mund ta veshë vetëm PIRO MILLONA MINELLA e ka „prerë“ PIERGIORGA STRATA.

Pse po ndaloj tek ky libër?

Po ndaloj tek ky libër, se „portretet morale e fizike“ që, me të drejtë autori, i quan „Njerëz të nderuar“, janë nga Elbasani ose kanë punuar e jetuar në ELBASAN.

Po nga ELBASANI, pakëz jam dhe unë. Kam ngrënë bukën e ëmbël të ELBASANIT nga viti 1955 deri në vitin 1959. Populli thotë: „Nëse në një vend pi dyzet sapllake ujë, je vendali“.

Pra, jam apo jo nga ELBASANI?

Është si është ai „pusi metaforik“ i PIROS; as që i ngjam „Pusit që lahet vetë“ që ndodhet vetëm në ELBASAN.

Tej shpotive: PIRO MILLONA MINELLA ka „truallin“ e vet në ELBASAN dhe, përmes kolegëve me të cilët ka punuar si financier, na sjell një galeri me NJERËZ TË NDERUAR dhe ti, si lexues, sado që nuk i njeh, për çudi, ndihesh shumë mirë dhe ndjen një relaksim në shpirt.

Kjo është merita e shkrimtarit, se qoftë dhe për një çast të shkurtër, emocionet që fiton, zgjasin.

Është e pamundur për çdo lexues, kushdo qoftë ai, që të arrijë e të lakojë iks personazh nga libri i PIROS. Janë aq të shumtë dhe, sado që nuk janë të gjithë nga ELBASANI, autori i skalit me të mirat e të metat (këto të fundit, veç vogëlina që ta çojnë buzën vesh më vesh) dhe t’i bën të pranishëm, sikur edhe ti i njeh).

Janë detaje që e zbukurojnë ballin e këtyre NJERËZVE TË NDERUAR.

 

Në këtë galeri NJERËZISH TË NDERUAR ka njerëz të profesioneve të ndryshme: intelektualë, mekanikë, punëtorë apo njerëz të kulturës, të artit, të sportit e deri të diplomacisë.

PIRO MILLONA MINELLA nuk ka qenë veç një financier apo aud finance, por edhe njeri me shumë shoqëri.

Një nderim i veçantë për të që ia zbukuron ballin si njeri dhe e bën më të shijshëm atë „ujin nxjerrë nga pusi i vet“, se autori nuk harron askënd që ka njohur nga ata që janë ndarë nga jeta.

Duke shkruar për ta, ai me penë sikur i ringjall një për një dhe bëhet i tillë, si pjesë e familjes të secilit prej tyre.

Qëndroj tek secili prej tyre dhe më duket që, me këtë gamë shkrimesh për të ndjerët, sikur ka bekimin e JEZUSIT.

Në Bibël thuhet: „JEZUSI nuk të vlerëson se sa psalme di nga BIBLA, por sa i do dhe sa i vlerëson njerëzit“.

Duke e njohur mirë biografinë krijuese të PIRO MILLONA MINELLA-s, kam arritur në ca përfundime, që dua t’i bëj të njohura për lexuesit:

PIRO MILLONA MINELLA vazhdimisht, që kur ka dalë në pension, vetëm shkruan libra. I shkruan dhe u boton me shpenzimet e tij.

I vetmi burim të ardhurash është pensioni i tij dhe i bashkëshortes.

Jo vetëm kaq: i dhuron duke u rritur shpirtërisht dhe duke mbetur xhepgrisur.

Një cilësi tjetër: kurrë, në asnjë nga gati 17 librat e tij, nuk lakon qoftë dhe një ligësi të iks apo ypsilon personazhi. Ai evokon të mirën dhe bëhet shembull si shkrimtar.

Ai, me librat e tij, bëhet i pranishëm në shumë shtëpi, se heronjtë e tij nuk vijnë nga jashtë planetit, por janë bashkëudhëtarë në jetë e në kohë.

Prania e tij në shumë familje sa vjen e rritet dhe një ditë do të thonë:

„Ky është PIRUA që e kemi në shtëpi“.

Ky është shpërblimi më i madh për të.

Dhe tani po e mbyll me një thënie të AUSTENT, nxënësit të SOKRATIT, që thotë:

„E vetmja gjë që nuk na e rrëmben askush, është kënaqësia që ndiejmë për të mirat që u bëjmë njerëzve“.

Vetëm suksese, PIRO MILLONA MINELLA!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat