Gjon Marku me librin e tij “Mirdita në vizionin filatelik”

Kultura

Gjon Marku me librin e tij “Mirdita në vizionin filatelik”

Nga: Prof. dr. Tefë Topalli Më: 18 shtator 2026 Në ora: 23:04
Kopertina e librit

Në punën tonë kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Gjon Marku, nuk ka pasur një vijë të drejtë impenjimi dhe kjo vjen si pasojë e natyrës së librave që kemi kaluar nëpër duar (më parë, duke i pasë lexuar me shumë kujdes, pasion e vëmendje dhe jo me pak përgjegjësi, që të mos shprehem pa referime të rregullta, të mos bëj karakterizime pa meritë e përkatësi lidhur me ngjarje e personazhe, protagonistë apo të dyta qofshin ata).

Dua të përsëris çfarë kanë pohuar të tjerët për krijues të këtij arti, siç është letërsia, për të cilët Dritëroi pat thënë në shpoti se poetët (s’) janë njerëz të fantaksur...! Sido që të jetë e vërteta, edhe poetë a prozatorë, krijuesit janë si të gjithë njerëzit, kanë edhe ata pasione të tjera përveç mjeshtërisë së krijimit. Kemi njohur shkrimtarë të apasionuar pas peshkimit me grep, shkrimtarë të dhënë pas gjuetisë, e të tjerë... deri edhe poetë e shkrimtarë të dhënë pas... gotës, pas rakisë, që edhe u kanë kushtuar vargje pijanikëve... siç ishte i ngrati Devolli i Madh, jo pak, kur ishte larg Sadijes!!! Ndërsa, pa u sjellë më gjatë në këtë endje (fluturime) pindarike, zbuluam se Gj. Marku paskësh pasur edhe pasionin e filatelistit, një ndjenjë që përshkon rrallë njerëz, që duhet të kenë edhe disa parakushte ta përjetojnë e ta ndjekin...! Shokë e miq të shkrimtarit mund t’i dinë edhe prirje të tjera, që unë nuk ia njoh... le t’ia thonë në sy, nëse e kanë mik të vërtetë...!

Edhe për filatelinë ka libra e botime, ka shpjegime e sqarime, ka përshkrime në kohë e vende, në dituri e politikë, në respekt e nderim të pamjeve-portrete zakonisht (mund të ketë edhe peizazhe) figurash të mëdha të shkencës e mendimit, prijatarë të shpikjeve dhe realizimeve të mëdha të njerëzimit etj. Kështu që, librat e kësaj natyre kanë më pak fjalë se pamje e figura, decitura zakonisht quhen përposhtë pullave postare. Duke përqafuar këtë pasion, shkrimtari Gjon Marku, në vitin 2004, merr e shkruan një “librush”, do të thoshte gjuhëtari akademik prof. Gjovalin Shkurtaj, për botime traktatesh apo libra me pak fletë; pra “guxon” e nxjerr për fushë një doracak me titull “Mirdita në vizionin filatelik” – madje në dy gjuhë: shqip dhe anglisht! Bile, në ballinën e parë të botimit vendos një pullë poste me një shqipe dykrenare me flatra të hapura dhe ku lexohet qartë: “VETËKEVERRIA E MIRDITËS – QINTAR 10” (siç e shihni në librin më sipër). Ai e quan “Studim” në faqen e dytë dhe, me të vërtetë, na befason kur si parathënie formulon “Nëpër zanafillat e filatelisë botërore” dhe në radhët e para lexojmë:

“Që në kohët e vjetra ishte ndjerë nevoja për të siguruar lidhje me mesazhe të shkurtra ndërmjet qendrave apo vendeve të ndryshme. Kinezët, egjiptianët, persët, ilirët, grekët kishin realizuar këtë projekt dhe transmetuar të dhëna nëpërmjet korrierëve...

Pas përpjekjeve të shumta të disa shteteve, mbretëria e Sardenjës, në vitin 1818, krijoi një vulë speciale që shtypej në një letër të filigramuar. Në këtë vulë është vendosur një kalorës hipur mbi kalë që po i binte borisë......”²

Për mua, që nuk jam aspak i kësaj mjeshtërie, kjo broshurë e autorit ishte një sinjal se ai tashmë “qe prekur nga sindromi i këtij pasioni”, që, me siguri, kërkon edhe kohë të fitosh përvojë, të dish çfarë duhet e si duhet akumuluar për ndonjë eksplorim të një periudhe, si duhet vështruar në histori e fusha të tjera... Dhe pas 12 vjetësh, në vitin 2016, shkrimtari ynë, kur është afirmuar tashmë si poet dhe prozator, ka tërhequr vëmendjen e shtëpive botuese dhe, me siguri, edhe të lexuesve të letërsisë së tij, shohim se del me botimin serioz “Mirdita në vizionin filatelik – Studim”, duke ruajtur titullin e “librushit”, që qenkësh rritur e bërë burrë!³ Bënë tubë plot 280 faqe: gjysma shqip e gjysma anglisht; pra, gjithçka sipas treguesve të librit të vogël (traktat)...

Ajo “Hyrja” për “Zanafillat e filatelisë botërore” hedh shtat pak më tepër dhe “U krye, Bacë!”, si thonë kosovarët për Pavarësinë e vendit! Sipas mendimit tim, është një botim mbresëlënës, i papritur, i pjekur, i arrirë profesionalisht, sepse pranë pullës postare autori vendos foton e vërtetë, duke nisur edhe nga anglezi, Roland Hill.

Natyrisht, në një faqe qendrore të impresionon pulla postare e Oroshit 15. I. 22! Kapedanët më pas, si dhe thesari i postës së “Vetëkeverrisë”, aq të ëndërruar, mbase, të mirditorëve, për të cilën ende pyetet: “Çfarë trilli i bëri ata njerëz të kërkonin ‘vetëkeverrisje’, në një kohë që në Vlorë qe ngritur Flamuri Kombëtar dhe siguruar Pavarësia ndaj Portës së Lartë? Ka mundësi që studiuesi Gjet Ndoj i urtë (të cilin unë e ndjek kur del në TV), të ketë shpjegime të thelluara për atë akt....!

Vepra që kemi në dorë ka gjithsej 20 krerë apo ndarje tematike, shoqëruar me pullat përkatëse, të vendeve dhe ngjarjeve, personave apo datave përkujtimore.

Sipas autorit tonë, ka edhe filatelistë mirditorë që kanë përjetuar këtë pasion dhe kanë shfaqur arritje të dukshme, për të cilat Gj. Marku ka shkruar me dashuri e respekt; midis tyre ndrit edhe Kapedani, Preng Bib Doda.

Fragment:

“Në vitin 1883, Preng Bib Doda arrin të dërgojë në ekspozitën e organizuar në Vatikan, Koleksionin Numizmatik (të monedhave). Kjo qe ekspozita e parë ku morën pjesë shqiptarët me monedhat e arit në botën e jashtme. Pikërisht në këtë kohë atij i lindi ideja e botimit të një emisioni pullash postare shqiptare... Kapedani ishte një koleksionist i mirëfilltë. Në koleksionin e tij janë gjetur emisionet e para shqiptare deri në vitin 1919, kur ai u vra. Koleksionin e tij filatelik e pasuronin edhe mjaft pulla postare të vendeve të ndryshme të botës. Ai nuk ishte vetëm një koleksionist i thjeshtë pullash. Shkodra, ku Preng Bib Doda jetonte në një nga ndërtimet më interesante të atij qyteti, ka një vend të rëndësishëm në historinë e filatelisë shqiptare. Midis emetimeve të tij spikasin emisioni filatelik i 19 marsit të vitit 1915, kur u emetua pulla me rastin e përvjetorit të parë të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Kalanë e Shkodrës (Kështjella Rozafat), seria e “Skënderbeut me vulë ari”, ajo me një vulë të mbishtypur “Shkodër 1919”, etj.”

Literatura:

1.     Gjon Marku, Mirdita në vizionin filatelik – shqip & anglisht, Mirdita, 204 (me 65 faqe e me disa pulla Postare e pak foto, duket se nga Marubi!)

2.      Po ai, po aty, f. 3.

3.     Gjon Marku, Mirdita në vizionin filatelik – Studim, Shtypshkronja Mirgeeralb, Tiranë, 2016 (me 280 faqe).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat