Janë disa njerëz të përveçem, emrat e të cilëve nuk i mbeten vetëm kohës në të cilën kanë jetuar, ngase përtej kësaj, ata kalojnë në kujtesë dhe vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si një kulturë dhe një trashëgimi e tërë e sheh dhe e kupton veten.
7 shtatori është një prej atyre pikave të kujtesës shqiptare, i lidhur me një trashëgimi që shtrihet përtej një jete individuale dhe prek dimensionin intelektual, kulturor e shpirtëror të një vendi, të një kombi.
Më 7 shtator te vitit 1910, në Elbasan, lindi Aleks Buda, një nga figurat qendrore të historiografisë, albanologjisë dhe kulturës shqiptare të shekullit XX, akademiku, studiuesi, intelektuali erudit dhe një prej arkitektëve të institucioneve moderne të shkencës shqiptare.
Ta kujtosh Aleks Budën vetëm si historian do të ishte e pamjaftueshme. Ta përkufizosh vetëm si akademik do të ishte edhe më e pamjaftueshme.
Ai ishte një mendje sistemuese dhe intelektual me horizont evropian, një studiues që e pa historinë jo thjesht si një grumbullim datash, dokumentesh dhe ngjarjesh, por si një nga themelet mbi të cilat ndërtohet vetëdija e një kombi.
Në një kuptim më të thellë, ai ishte një prej njerëzve që morën përsipër një detyrë komplekse dhe të jashtëzakonshme për ti dhënë dijes shqiptare institucion, metodë, disiplinë dhe vazhdimësi. Prandaj figura e profesor Budës nuk duhet parë vetëm përmes biografisë së tij, por edhe përmes kohës së jashtëzakonshme në të cilën jetoi dhe punoi.
Aleks Buda lindi në një Shqipëri që sapo kishte nisur të ndërtonte institucionet e shtetit të saj të pavarur. Ishte një vend i ri politikisht, por me një histori të lashtë, të ndërlikuar dhe të diskutuar.
Kjo kontradiktë mes shtetit të ri dhe historisë së gjatë, do të bëhej në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme pjesë e horizontit të tij intelektual.
Formimi i tij arsimor do të ishte evropian. Shkollën fillore e kreu në Leçe të Italisë, të mesmen në Salzburg të Austrisë dhe studimet e larta në Universitetin e Vjenës, në Fakultetin e Filozofisë, në degën filozofi-letërsi, gjatë viteve 1929–1935. Këto nuk janë thjesht të dhëna biografike që më së shumti ndihmojnë për të kuptuar arkitekturën e mendjes së tij.
Ai u formua në një Evropë ku historia, filozofia, filologjia, letërsia dhe kultura klasike komunikonin ngushtë me njëra-tjetrën.
Aleks Buda nuk ishte produkt i një bote të mbyllur intelektuale. Horizonti i tij i parë ishte evropian dhe pikërisht kjo e bën më domethënës faktin që dijen e fituar në Evropë e vuri në shërbim të studimit të Historisë.
Kthimi i tij drejt Shqipërisë nuk ishte një largim nga Evropa, por, në një kuptim të rëndësishëm, sjellja e kulturës së dijes evropiane në një vend që kishte nevojë të njihte, të sistemonte dhe të dokumentonte më mirë të kaluarën e vet.
Ai i përkiste një brezi intelektualësh shqiptarë që e kuptonin dijen jo si privilegj personal, por si përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe fateve të vendit. Për ta, studimi i Shqipërisë nuk ishte vetëm një profesion, por mirëfilli një mision kulturor.
Në rastin shqiptar, historia nuk ka qenë kurrë thjesht një disiplinë akademike. Për një popull të vogël në një hapësirë të trazuar të Evropës Juglindore, historia ka pasur gjithmonë dimensione të forta identitare, politike dhe ekzistenciale.
Pyetja se kush jemi, nga vijmë, cilat janë rrënjët tona, cilat janë vazhdimësitë dhe ndërprerjet e historisë sonë, nuk ka qenë vetëm pyetje e historianit, por e vetë shoqërisë.
Kjo është arsyeja pse Aleks Buda duhet parë edhe përmes një dimensioni psikologjik dhe antropologjik. Ai punoi në një fushë ku nuk studiohen vetëm dokumentet, por edhe mënyra se si një popull kujton, interpreton dhe ndërton marrëdhënien me të kaluarën e vet. Në këtë kuptim, ai ishte edhe një studiues i kujtesës shqiptare.
Ekziston një keqkuptim i zakonshëm për historianin: se ai merret vetëm me atë që ka ndodhur. Në të vërtetë, historiani merret edhe me atë që një shoqëri zgjedh të kujtojë, të ruajë, të dokumentojë dhe të interpretojë. Historia është jo vetëm kronologji, por edhe mekanizëm identiteti.
Një shoqëri që nuk di nga vjen e ka më të vështirë të kuptojë se ku ndodhet dhe cila do të jetë rruga nga duhet shkojë, sepse një komb që nuk njeh proceset që e kanë formuar rrezikon të bëhet viktimë e miteve, harresës, manipulimit dhe versioneve të gatshme të së kaluarës.
Pikërisht këtu merr kuptim puna e Budës: për ta kthyer kujtesën nga një trashëgimi spontane në një objekt të kërkimit dhe të dijes.
Me formimin e Institutit të Historisë e të Gjuhësisë në vitin 1955, Aleks Buda ishte një nga organizatorët dhe punonjësit shkencorë më me përvojë të tij.
Ai themeloi sektorin e historisë së Mesjetës, duke hedhur bazat e medievistikës shqiptare. Në pamje të parë, kjo mund të duket si një e dhënë teknike e historisë së institucioneve shkencore.
Në të vërtetë, ajo shënon një moment shumë më të rëndësishëm: krijimin e një hapësire të qëndrueshme ku e kaluara shqiptare mund të studiohej në mënyrë sistematike.
Një shkencë nuk krijohet vetëm nga individët, por edhe nga institucionet, arkivat, bibliotekat, metodat, katedrat, traditat kërkimore dhe brezat që trashëgojnë dijen. Buda ishte një prej njerëzve që ndihmuan në ndërtimin e kësaj infrastrukture intelektuale.
Me ngritjen e Universitetit të Tiranës në vitin 1957, ai ishte ndër themeluesit e Katedrës së Historisë së Shqipërisë dhe të kursit të Historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.
Kjo tregon një tjetër dimension të rëndësishëm të filozofisë së tij intelektuale: dija nuk kishte vlerë vetëm nëse prodhohej, por edhe nëse transmetohej.
Një historian që shkruan libra është studiues; një historian që formon studentë është mësues; por një historian që ndihmon të krijohet institucioni ku brezat e ardhshëm do të studiojnë, kërkojnë dhe debatojnë, bëhet pjesë e historisë së vetë dijes.
Në vitin 1972, Aleks Buda u bë kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe e drejtoi atë deri në vitin 1993. Më shumë se dy dekada në krye të institucionit më të lartë shkencor të vendit e vendosin figurën e tij në një dimension që tejkalon punën individuale të historianit.
Ai u bë një prej njerëzve kryesorë në organizimin e kërkimit shkencor shqiptar, veçanërisht në fushat e albanologjisë dhe historisë së Shqipërisë.
Emri i tij lidhet me vepra madhore si “Historia e Shqipërisë” dhe “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, përpjekje që synonin të sistematizonin dijen e akumuluar mbi vendin, gjuhën, historinë, kulturën dhe identitetin e shqiptarëve.
Të shkruash historinë e një kombi është një përgjegjësi shumë më e madhe se të hartosh një libër. Kjo do të thotë që të përballesh me pyetje themelore se cilat ngjarje janë përcaktuese, cilat figura janë qendrore, cilat procese shpjegojnë zhvillimin e shoqërisë dhe cilat janë lidhjet e saj me botën përreth.
Historia kombëtare është, në një farë mënyre, autobiografia kolektive e një populli, por si çdo autobiografi, ajo mund të jetë objekt i interpretimit, debatit dhe rishikimit.
Brezat e mëvonshëm kanë të drejtë ta rilexojnë historinë me burime të reja, me pyetje të reja dhe me metoda të reja. Kjo nuk e zvogëlon punën e atyre që hodhën themelet. Përkundrazi, e bën të mundur vazhdimin e saj.
Vepra e Aleks Budës është më shumë se një varg titujsh bibliografikë; ajo është një përpjekje e gjatë për t’i dhënë historisë shqiptare një themel të qëndrueshëm dokumentar dhe një vend brenda historisë së Ballkanit e të Europës.
Studimet e tij shtrihen nga Iliria dhe lashtësia, etnogjeneza dhe vazhdimësia historike e shqiptarëve, te Mesjeta, Skënderbeu, Rilindja Kombëtare dhe problemet e historiografisë shqiptare.
Një pjesë e rëndësishme e këtij korpusi u përmblodh në katër vëllimet e “Shkrime historike”, ndërsa ai ishte një nga figurat kryesore në hartimin dhe drejtimin shkencor të veprave kolektive “Historia e Shqipërisë” dhe “Historia e popullit shqiptar”.
Por vlera e kësaj trashëgimie nuk qëndron vetëm në temat që Buda studioi.
Ajo që e bën të rëndësishëm është mënyra se si ai i qasej së kaluarës: përmes burimit, dokumentit, krahasimit dhe kritikës historike.
Për Budën, historia nuk ishte thjesht rrëfim i asaj që kishte ndodhur; ishte proces kërkimi, verifikimi dhe interpretimi. Në këtë kuptim, ai nuk la pas vetëm një histori të shkruar, por edhe një mënyrë për ta kërkuar dhe kuptuar atë.
Prandaj, kur flasim për Budën si “arkitekt të kujtesës shqiptare”, nuk kemi parasysh vetëm atë që ai shkroi, por gjithë strukturën intelektuale që ndërtoi: burimet, institucionet, bibliotekat, kërkimin shkencor dhe brezat e studiuesve që do të mund ta vazhdonin këtë punë. Vepra e tij mbetet kështu një ndërtesë ku çdo dokument, çdo studim dhe çdo dëshmi merr vlerë jo vetëm për të shpjeguar të kaluarën, por për ta bërë atë të lexueshme për të ardhmen.
Një prej dimensioneve më të veçanta të veprës së Budës ishte edhe përfshirja e tij në konceptimin e Muzeut Historik Kombëtar. Këtu historia del nga libri dhe bëhet hapësirë, objekt, figurë dhe përvojë. Në planin antropologjik, muzeu është një nga institucionet më të fuqishme të kujtesës kolektive.
Ai është vendi ku një shoqëri i tregon vetes historinë e saj. Fëmija që hyn në një muze nuk përballet vetëm me një tekst akademik, por sheh objekte, fytyra, simbole, dokumente dhe dëshmi. Historia shndërrohet nga abstraksion në përvojë.
Në këtë kuptim, kontributi i Budës në konceptimin dhe organizimin e pavioneve sipas epokave në Muzeun Historik Kombëtar ishte pjesë e të njëjtit mision që përshkoi veprën e tij: ta bënte të kaluarën të pranishme dhe të transmetueshme.
Por një portret serioz i Aleks Budës nuk mund të jetë vetëm lavdërim, sepse, si çdo figurë e madhe historike, ai duhet parë në kontekstin dhe në kompleksitetin e kohës së vet.
Buda jetoi dhe punoi në një shekull politikisht të jashtëzakonshëm: në një Shqipëri që kaloi nga monarkia te pushtimi, nga lufta te regjimi komunist, nga izolimi te rënia e sistemit dhe fillimi i një epoke të re.
Ai punoi brenda institucioneve shtetërore të një sistemi politik me karakter të fortë ideologjik. Kjo është pjesë e realitetit historik dhe nuk mund të anashkalohet. Por po aq e rëndësishme është të mos bëjmë gabimin e kundërt: të reduktojmë gjithë veprën e një intelektuali vetëm në marrëdhënien e tij me sistemin politik.
Një intelektual nuk kuptohet duke e shkëputur nga koha e tij, por duke studiuar marrëdhënien që ai ndërtoi me kohën. Ky është një dallim thelbësor.
Analiza historike nuk është as glorifikim dhe as dënim retrospektiv, por një përpjekje për të kuptuar me realizëm dhe me sa më shumë vërtetësi dinamikat, zhvillimet dhe ngjarjet e kohës kur ato kanë ndodhur.
Dhe pikërisht në këtë pikë qëndron kompleksiteti i Aleks Budës. Ai ishte një intelektual brenda një realiteti politik të caktuar, por njëkohësisht ishte edhe përfaqësues i një bote që kishte ligjet e veta: botës së kërkimit shkencor, dokumentit, arkivit, filologjisë, historisë dhe dijes.
Kontradiktat e tij, si edhe kufijtë e kohës së tij, nuk e zvogëlojnë domosdoshmërisht rëndësinë e figurës; përkundrazi, e bëjnë atë më të denjë për studim.
Në këtë aspekt, Buda na mëson edhe diçka për vetë natyrën e intelektualit në shoqëri. Intelektuali nuk jeton në një vakum. Ai është i lidhur me shtetin, shoqërinë, institucionet dhe klimën politike.
Por vlera e tij matet edhe nga aftësia për ta ruajtur dijen si një hapësirë të veçantë të arsyes. Historia kërkon dokument. Dokumenti kërkon verifikim. Argumenti kërkon burim. Dhe kërkimi serioz kërkon kohë. Këto parime janë më të mëdha se çdo sistem politik.
Ndoshta këtu gjendet edhe një dimension psikologjik i figurës së Budës që meriton më shumë vëmendje. Një studiues i historisë së Mesjetës, një filolog, një akademik dhe një ndërtues institucionesh duhet të ketë mbi të gjitha durimin ndaj dijes.
Historia nuk është shkencë e rezultateve të shpejta, sepse ajo gjithmonë pasurohet kohë pas kohe përmes thënieve dhe kundërthënieve të reja e të bazuara në argumenta vetëm përmes ballafaqimit të fakteve dhe dëshmive të reja e të pakontestueshme si dy shtylla kryesore ku mbeshtetet kjo shkencë.
Arkivi kërkon vite dhe dokumenti kërkon krahasim. Një hipotezë kërkon verifikim, ndërsa një tezë kërkon kundërshtimin e saj. Në një epokë ku informacioni lëviz me shpejtësi dhe shpesh ngatërrohet me dijen, figura e Budës na kujton një të vërtetë themelore: dija e vërtetë ka nevojë për kohë.
Në planin antropologjik, puna e tij mund të shihet edhe si pjesë e procesit të modernizimit të kujtesës shqiptare. Shqiptarët e kishin ruajtur historinë përmes familjes, traditës, këngës, gojëdhënës, gjuhës, zakoneve, toponimeve dhe monumenteve.
Shkenca moderne kërkonte që kjo kujtesë të kalonte në një sistem dokumentimi, arkivimi dhe interpretimi.
Nga gojëdhëna te burimi, nga kujtesa individuale te arkivi, nga tradita te studimi, nga rrëfimi te metoda. Ky ishte një proces i madh i modernizimit të mënyrës se si një shoqëri e kupton veten.
Në vitin 1990, Presidenti i Austrisë Kurt Waldheim e nderoi Aleks Budën me Medaljen e Madhe të Artë. Ky vlerësim kishte edhe një simbolikë të veçantë, sepse Austria ishte pjesë e rëndësishme e formimit të tij intelektual.
Vjena e rinisë së tij dhe Shqipëria e pjekurisë së tij duket sikur takohen në këtë moment. I riu shqiptar që kishte studiuar në Vjenë nuk mund ta dinte se dekada më vonë do të nderohej nga vendi ku kishte marrë një pjesë të formimit të tij intelektual.
Por ndoshta pikërisht këtu qëndron një prej bukurive të dijes: ajo mund të udhëtojë më larg se njeriu që e krijon.
Aleks Buda u nda nga jeta në Tiranë më 7 korrik 1993, vetëm pak muaj pasi kishte përfunduar një periudhë të gjatë në krye të Akademisë së Shkencave. Shqipëria e asaj kohe ishte tashmë duke hyrë në një realitet tjetër politik dhe ekonomik, social dhe kulturor.
Një epokë po mbyllej dhe një tjetër po hapej. Në këtë kuptim, edhe fundi i jetës së Budës duket simbolik: ai lindi në fillimet e shtetit shqiptar dhe u nda nga jeta në pragun e një Shqipërie që po përpiqej të gjente një identitet të ri politik dhe shoqëror.
Çfarë mbetet pas një akademiku? Jo vetëm librat. Jo vetëm titujt. Jo vetëm dekoratat. Ajo që mbetet është shkolla, metoda, institucioni, brezi i studiuesve, arkivi, biblioteka dhe mënyra se si një shoqëri mëson të bëjë pyetje për të kaluarën e vet.
Në këtë kuptim, trashëgimia e Aleks Budës është shumë më e madhe se një bibliografi. Ajo është pjesë e arkitekturës së dijes shqiptare.
Prandaj sot, kur marrëdhënia me historinë është bërë më e ndërlikuar se kurrë, figura e Aleks Budës meriton të rilexohet. Jo për të prodhuar një tjetër monument të paprekshëm, por për të kuptuar më mirë se si u ndërtua historiografia shqiptare, cilat ishin kushtet politike dhe institucionale në të cilat ajo u zhvillua, cilat ishin arritjet e saj, cilat ishin kufizimet e saj dhe çfarë duhet të bëjnë brezat e sotëm për ta çuar më tej, sepse ta nderosh një historian nuk do të thotë ta vendosësh mbi kritikën, por ta marrësh seriozisht veprën e tij.
Kjo do të thotë të hapësh arkivat, të rilexosh dokumentet, të krahasosh burimet, të rivlerësosh periudhat historike, të studiojmë jo vetëm shtetin dhe figurat e mëdha, por edhe jetën e njerëzve të zakonshëm, strukturat sociale, mentalitetet, kulturën materiale, marrëdhëniet familjare, migracionet, besimet, gjuhën dhe mënyrën se si shoqëria shqiptare është formuar në shekuj.
Padyshim, që historia e një kombi nuk ndërtohet vetëm nga heronjtë, por nga miliona jetë njerëzore që, të marra së bashku, krijojnë një qytetërim.
Në një kohë kur informacioni është bërë i pafund dhe dija shpesh ngatërrohet me informacionin, shembulli i Aleks Budës na rikujton se dija kërkon jo vetëm pasion, por edhe përkushtim.
Të dish nuk do të thotë të kesh lexuar shumë, por të dish të dallosh burimin nga opinioni, faktin nga interpretimi, dokumentin nga propaganda, kujtesën nga mitologjia dhe të shkuarën nga mënyra se si do të dëshironim ta kujtonim.
Ky është ndoshta mësimi më modern që mund të nxjerrim nga një historian i shekullit XX.
Aleksandër Moisiu në kujtesën dhe mendimin elegant të Profesor Budës
Po të rrëmosh në arkivat e televizioneve tona, nuk është e lehtë të gjesh materiale audiovizive që të kenë ruajtur zërin, figurën dhe praninë publike të Profesorit të nderuar Aleks Buda. Dhe kjo e ka një shpjegim. Gjatë viteve kur ishte aktiv dhe, veçanërisht, në kohën kur drejtonte Akademinë e Shkencave, ai nuk kishte kohë të merrej me veten, me imazhin e tij apo me nevojën për të qenë i pranishëm si protagonist në ekran. Koha e tij i përkiste punës, dijes dhe përgjegjësive të mëdha që kishte marrë përsipër.
Pikërisht për këtë arsye të bën veçanërisht përshtypje një dokumentar bardhëezi i TVSH-së, i vitit 1979, me skenar të Andon Dedes dhe regji të Vladimir Priftit, kushtuar aktorit të madh me famë botërore, Aleksandër Moisiu.
Në këtë dokumentar, krahas një vargu personalitetesh të njohura që sjellin mendimet dhe vlerësimet e tyre për figurën e jashtëzakonshme të Moisiut, bie fuqishëm në sy prania e Aleks Budës. Dhe nuk është thjesht një prani fizike. Mendimi i tij e dominon ekranin me qartësinë, qetësinë, peshën dhe kulturën e një intelektuali të formuar përsosmërisht në traditat më të mira të humanizmit evropian.
Buda flet për Moisiun me një gjuhë të pasur, të përpunuar dhe njëkohësisht të natyrshme. Diksioni i pastër, leksiku i zgjedhur, ritmi i qetë i të folurit dhe mënyra e tij e kthjellët e artikulimit krijojnë një ligjërim ku ndërthuren natyrshëm analiza filozofike, ndjeshmëria estetike, vështrimi artistik dhe depërtimi psikologjik. Metaforat dhe simbolikat nuk duken të kërkuara; ato lindin organikisht nga mendimi i tij.
Por ajo që e bën veçanërisht të çmuar dëshminë e Budës janë kujtimet e tij personale nga vitet studentore në Salzburg dhe kontaktet me Aleksandër Moisiun. Nëpërmjet rrëfimit të tij, një epokë e tërë duket sikur merr jetë përpara nesh. Ai nuk mjaftohet të na tregojë një kujtim, por rikrijon një atmosferë, një kohë, një botë shpirtërore.
Dhe ndërsa e dëgjon, ndien se pas fjalëve për Moisiun qëndron diçka më e gjerë dhe më e thellë: dashuria e Budës për vendin e tij, për historinë shqiptare dhe për ata njerëz të mëdhenj që Shqipëria kishte nxjerrë në skenën e kulturës evropiane e botërore, edhe në rrethana të vështira historike.
Në zërin e tij, kujtimi personal shndërrohet në dëshmi historike. Aleksandër Moisiu nuk shfaqet vetëm si një aktor i madh shqiptar me famë botërore, por si pjesë e një vazhdimësie të asaj Shqipërie që, pavarësisht varfërisë dhe prapambetjes shekullore, izolimit dhe tronditjeve të historisë, kishte ditur të nxirrte nga gjiri i saj figura me përmasa universale.
Ndoshta kjo është edhe një nga arsyet përse prania e Aleks Budës në atë dokumentar mbetet kaq mbresëlënëse, sepse përmes fjalëve të tij për Moisiun, ai na zbulon, pa e kërkuar këtë, edhe një pjesë të vetvetes: dijetarin, humanistin, intelektualin e thellë dhe shqiptarin që e shihte historinë e kulturën e vendit të tij në një hapësirë shumë më të gjerë se kufijtë e kohës ku jetoi.
Biblioteka e Aleks Budës – një hartë e mendjes së tij
Por, ka edhe një mënyrë tjetër për të kuptuar madhështinë intelektuale të Aleks Budës: të hysh, qoftë edhe përmes librave, në bibliotekën që ai ndërtoi gjatë jetës.
Biblioteka e tij personale ishte shumë më tepër se një koleksion librash historie. Dëshmitë familjare flasin për një bibliotekë prej më shumë se 20 mijë vëllimesh, e ndërtuar gradualisht dhe e pasuruar që nga vitet e herëshme rinore të studimeve në Vjenë.
Në të kishte jo vetëm histori, por edhe psikologji, sociologji, letërsi dhe fusha të tjera të dijes. Një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie.

