Simboli në dramën “Sfinga e gjallë” të Rexhep Qosjes

Kultura

Simboli në dramën “Sfinga e gjallë” të Rexhep Qosjes

Nga: Ardian Haziri Më: 2 tetor 2026 Në ora: 10:15
Ardian Haziri

Drama Sfinga e gjallë e Rexhep Qosjes përbën një vepër me dendësi të theksuar simbolike, në të cilën problematika e dhunës, e trashëgimisë dhe e ndërgjegjes njerëzore artikulohet përmes një sistemi të ndërlidhur simbolesh. Ky shkrim synon të shqyrtojë funksionin dhe domethënien e simbolit në strukturën dramatike dhe semantike të veprës, duke u ndalur veçanërisht te sfinga si metasimbol, te kundërvënia Kabil-Habil, te pushka, busti dhe koka, terri, “dasma e kuqe” dhe djepi, përmes të cilave Qosja e shndërron konfliktin dramatik në një reflektim më të gjerë mbi njeriun, dhunën dhe mekanizmat e trashëgimit të saj.

Sfinga si metasimbol i dramës

Që në titull, drama paralajmëron një lexim përtej kuptimit të drejtpërdrejtë. Në traditën mitologjike, sfinga lidhet me misterin, enigmën dhe rrezikun. Mirëpo, Qosja i shton figurës mitike përcaktorin “e gjallë”, duke e zhvendosur atë nga e kaluara mitologjike në realitetin njerëzor. Titulli është konotativ dhe ndërtohet mbi ndërveprimin e groteskut, alegorisë, paradoksit dhe metaforës. Sfinga nuk ringjallet si qenie mitologjike, por si model sjelljeje dhe si strukturë e dhunës që vazhdon të jetojë brenda njeriut. Kuptimi i saj shpjegohet përmes Habilit, i cili e përshkruan sfingën si një qenie me “kokë të bukur, njeriu” dhe “trup të shëmtuar, shtaze”.

Kjo kundërvënie është thelbësore për interpretimin e veprës. Koka njerëzore simbolizon arsyen, vetëdijen dhe mundësinë e moralitetit, ndërsa trupi shtazor përfaqëson instinktin, agresivitetin dhe forcën shkatërruese. Sfinga bëhet kështu simbol i një humaniteti të papërfunduar: njeriu zotëron arsyen, por nuk është çliruar plotësisht nga prirja për dhunë.

Edhe pse Kabili është mishërimi më i dukshëm i saj, simboli nuk kufizohet vetëm tek ai. Habili pohon se sfinga gjendet “te ti, te ai, te ajo”. Pikërisht këtu qëndron funksioni i saj si metasimbol: ajo përmbledh kundërthënien themelore të dramës ndërmjet njerëzores dhe shtazores, ndërgjegjes dhe dhunës.

Kabili dhe Habili: dy gjysma të një tërësie

Një tjetër dimension i rëndësishëm simbolik ndërtohet përmes personazheve Kabil dhe Habil. Emrat e tyre aktivizojnë modelin arketipal të vëllavrasjes, por Qosja nuk e riprodhon thjesht historinë mitike. Ai e shfrytëzon atë për të trajtuar vazhdimësinë e dhunës në marrëdhëniet njerëzore. Habili e formulon marrëdhënien e tyre me fjalët:

“Kabili dhe Habili: dy gjysma të një tërësie, që janë bashkë e duhet të ndahen.”

Kjo deklaratë dëshmon se konflikti nuk mund të reduktohet në një ndarje të thjeshtë ndërmjet së mirës dhe së keqes. Kabili përfaqëson njeriun që e pranon trashëgiminë si urdhër të pakundërshtueshëm, ndërsa Habili mishëron vetëdijen kritike që përpiqet ta gjykojë atë përmes ndërgjegjes. Prandaj, konflikti Kabil-Habil nuk është vetëm përplasje ndërmjet dy personazheve, por edhe ndërmjet dy mundësive të qenies njerëzore.

Pushka e vjetër dhe pushka e re: trashëgimia e dhunës

Një nga simbolet më funksionale të dramës është pushka. Që në didaskalinë e aktit të parë, autori vendos në njërin mur një pushkë të vjetër dhe në tjetrin një pushkë të re. Kjo vendosje lidhet me parimin dramaturgjik të njohur si “Pushka e Çehovit”, sipas të cilit një objekt i rëndësishëm i vendosur në skenë duhet të ketë funksion në zhvillimin e veprimit. Megjithatë, te Qosja dy pushkët nuk kanë vetëm funksion dramaturgjik. Ato ndërtojnë një kronologji simbolike të dhunës.

Pushka e vjetër përfaqëson trashëgiminë e dhunshme, ndërsa pushka e re simbolizon mundësinë e riprodhimit të saj nga brezi pasues. Këtu krijohet një paradoks: e reja, që zakonisht lidhet me ndryshimin dhe përparimin, shndërrohet në instrument të ri të një mendësie të vjetër. Kjo simbolikë konkretizohet te Lami, të cilin Kabili përpiqet ta aftësojë për përdorimin e armës dhe, njëkohësisht, ta çlirojë nga mëdyshja morale. Pra, për ta prodhuar vrasësin, nuk mjafton t'i aftësosh dorën; duhet t'ia heshtësh ndërgjegjen. Në këtë mënyrë, Qosja e zhvendos problemin nga arma si objekt te kultura e armës si mendësi.

Busti dhe koka: dhuna kundër mendimit

Një tjetër simbol me rëndësi të veçantë është busti i mashkullit të paidentifikuar. Personazhet ushtrohen duke qëlluar mbi të, ndonëse nuk e njohin plotësisht identitetin e njeriut që përfaqëson. Kjo paqartësi nuk është e rastësishme. Ajo dëshmon se, për ta ushtruar dhunën, bashkësia nuk ka domosdoshmërisht nevojë për njohjen e viktimës. Mjafton që ajo të shpallet armike. Vëmendje e veçantë i kushtohet kokës së bustit. Kabili e udhëzon Lamin të qëllojë pikërisht në kokë, ndërsa Undina shtron pyetjen: “Pse vetëm kokën?”.

Në planin simbolik, koka përfaqëson mendimin, arsyen dhe individualitetin. Prandaj, goditja e saj mund të interpretohet si përpjekje për asgjësimin e vetëdijes që mund ta vërë në dyshim rendin e trashëguar. Busti shndërrohet kështu në simbol të njeriut që vritet moralisht përpara se të vritet fizikisht. Fillimisht viktimës i mohohet identiteti, më pas ajo fajësohet dhe, në fund, shndërrohet në objekt të dhunës. Ky është një nga mekanizmat më domethënës të dramës: prodhimi i armikut përmes mohimit të individualitetit të tij.

Terri dhe ndërgjegjja e Lamit

Simbolika e territ fiton një kuptim të veçantë përmes personazhit të Lamit. Fillimisht, nata dhe terri përfaqësojnë frikën, pasigurinë dhe mungesën e lirisë. Mirëpo, kur Lami dërgohet për ta vrarë njeriun e panjohur, ndodh një përmbysje simbolike.

Ai nuk arrin ta kryejë vrasjen, sepse viktima nuk i shfaqet më si një armik abstrakt, por si njeri konkret, me mendime, ndjenja dhe vuajtje. Në këtë çast, Lamit i bie terri para syve, por pikërisht në atë terr ai fillon të shohë njerëzit dhe pasojat e dhunës. Kështu, terri fizik shndërrohet në moment të ndriçimit moral. Ndërsa Kabili sheh vetëm objektivin që duhet eliminuar, Lami arrin të shohë njeriun. Kjo përplasje ndërmjet urdhrit kolektiv dhe ndërgjegjes individuale e bën Lamin një nga figurat më komplekse të dramës. Megjithatë, përfundimi i veprës nuk është optimist: Lami, i cili fillimisht refuzon të vrasë, në fund e qëllon vetë Kabilin. Kjo tregon se çlirimi nga dhuna është më i ndërlikuar sesa eliminimi i bartësit të saj.

Dasma e kuqe dhe djepi: vdekja përballë jetës

Një nga ndërtimet më të fuqishme simbolike të dramës është sintagma “dasma e kuqe”. Dasma, në kuptimin e zakonshëm, lidhet me bashkimin, jetën dhe vazhdimësinë, ndërsa ngjyra e kuqe, në këtë kontekst, lidhet me gjakun dhe vdekjen. Bashkimi i tyre krijon një paradoks tragjik. Pas vrasjeve, Kabili dhe fqinjët këndojnë e vallëzojnë për dasmën e kuqe, duke e paraqitur krimin si përmbushje të detyrimit të trashëguar. Në këtë mënyrë, vrasja shndërrohet në festë, ndërsa dhuna fiton legjitimitet kolektiv. Përballë kësaj simbolike, Qosja vendos djepin.

Djepi përfaqëson jetën, kujdesin, dashurinë dhe edukimin, ndërsa pushka përfaqëson shkatërrimin dhe trashëgiminë e dhunës. Të dyja janë simbole të transmetimit ndërbreznor, por bartin modele të kundërta. Në djep transmetohet jeta; përmes pushkës transmetohet dhuna. Lami ndodhet pikërisht në pikën e përplasjes ndërmjet këtyre dy trashëgimive: ai është rritur me kujdesin e nënës, por më vonë përgatitet për të vrarë në emër të nderit. Kjo kundërvënie ngre një nga pyetjet qendrore të dramës: çfarë duhet t'i trashëgojë njeriu brezit pasues?

Përfundime

Nga analiza e realizuar rezulton se simboli në dramën Sfinga e gjallë është mekanizëm themelor i ndërtimit të konfliktit dhe i artikulimit të domethënies filozofike të veprës. Sfinga funksionon si metasimbol që sintetizon dyzimin e njeriut ndërmjet arsyes dhe instinktit, ndërsa simbolet e tjera konkretizojnë dimensione të ndryshme të kësaj kundërthënieje. Pushka e vjetër dhe ajo e re dëshmojnë mekanizmin e trashëgimit të dhunës; busti dhe koka simbolizojnë asgjësimin e individualitetit dhe të mendimit; terri shndërrohet në hapësirë të ndërgjegjësimit; dasma e kuqe paraqet ritualizimin e krimit, ndërsa djepi ofron një model alternativ të trashëgimisë së jetës. Personazhi i Lamit dëshmon se ndërgjegjja individuale mund ta vërë në dyshim kodin e trashëguar, por jo domosdoshmërisht të çlirohet plotësisht prej tij. Kjo problematikë përmblidhet në fjalët e fundit të Kabilit:

“Unë s'vdes lehtë, se jam në ju, në ju”.

Kjo ide e Qosjes mund të vihet në një marrëdhënie domethënëse me mendimin e Fjodor Dostojevskit në romanin Vëllezërit Karamazov, ku artikulohet ideja e përgjegjësisë së njeriut jo vetëm për vetveten, por edhe për tjetrin. Në këtë këndvështrim, e keqja nuk mbetet çështje vetëm e atij që e kryen atë, por bëhet edhe çështje e bashkësisë që e pranon, e arsyeton ose e trashëgon. Pikërisht këtu marrin peshë të veçantë fjalët e fundit të Kabilit: “Unë s'vdes lehtë, se jam në ju, në ju”. Kabili mund të vdesë si personazh, por jo domosdoshmërisht mendësia që ai përfaqëson. Prandaj, sfinga e Qosjes mbetet e gjallë sa herë që njeriu e kërkon burimin e së keqes vetëm te tjetri, pa e vënë përballë gjykimit edhe ndërgjegjen e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat