Mirdita – vendi i kuvendeve vetëqeverisëse

Kultura

Mirdita – vendi i kuvendeve vetëqeverisëse

Nga: Pashk Alia Më: 14 tetor 2026 Në ora: 20:46
Kopertina e librit

Kuvendet veriore shqiptare zënë fill në odat malësore dhe vijojnë me kuvendet e mëdha të fshatit, bajrakut, fisit, ato ndërkrahinore dhe ndërkufitare, që prej shekujsh. Në këtë mënyrë, ato marrin karakter historik për nga organizimi dhe funksioni që luajnë.

Oda e kullave veriore shqiptare - vatra e parë e kuvendimit

Oda shqiptare nuk ishte vetëm vend bujarie, mikpritjeje apo bashkëbisedimi, por edhe një «zyrë» kuvendore, ku mblidheshin burrat e shtëpisë dhe kuvendonin, duke trajtuar çështje familjare, të mbarësisë së njerëzve të shtëpisë, të marrëdhënieve shoqërore, të hakmarrjeve dhe armiqësive të pambyllura dhe, në tërësi, të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve.

Në odë diskutoheshin mosmarrëveshjet, kërkohej pajtimi, shkëmbeheshin mendime dhe përcilleshin normat e së drejtës zakonore.

Oda, padyshim, mund të trajtohet si një nga vatrat e para themelore të kulturës së kuvendimit shqiptar, pa anashkaluar faktin se format e mëvonshme të kuvendeve u zhvilluan në një proces të gjatë historik.

Prej tyre u krijuan institucionet e kuvendeve të mëdha.

Rreth këtyre vlerave, vjen para nesh autori Gjon Marku me librin Mirdita – vendi i kuvendeve vetëqeverisëse.

Autori Gjon Marku vjen para lexuesit me veprën Mirdita – vendi i kuvendeve vetëqeverisëse, tashmë në ribotimin e saj të katërt. Një vepër që nuk sjell thjesht historinë e kuvendeve të Mirditës, por na njeh me një nga institucionet më të rëndësishme të traditës shqiptare, nëpërmjet të cilit bashkësitë organizonin jetën e tyre shoqërore, rregullonin marrëdhëniet, merrnin vendime dhe mbronin të drejtat e tyre.

Duke iu referuar studiuesve, historianëve, figurave të Rilindjes Kombëtare, shkrimtarëve dhe njerëzve të letrave, autori përpiqet të na paraqesë një Mirditë që, edhe në rrethanat më të vështira historike, luftoi për të ruajtur lirinë, traditat dhe të drejtën e vetëqeverisjes.

Por këtu lind një pyetje që shkon përtej historisë së një krahine:

Si mundi Mirdita, një bashkësi relativisht e vogël, përballë fuqive të mëdha pushtuese, të ruante për shekuj me radhë forma të organizimit dhe të vetëqeverisjes së saj? A mund ta siguronte Mirdita këtë rol vetëm me forcën e armëve?

Natyrisht që jo!

Mirditorët ishin të paktë përballë fuqisë së një perandorie, ashtu siç ishin të vogla edhe bashkësitë e tjera shqiptare.

Por ata kishin një mjet tjetër, krahas qëndresës së armatosur, – thotë autori: ata kishin aftësinë për t’u organizuar e për t’u bashkuar, dinin të bënin marrëveshje, madje edhe besëlidhje.

Për të arritur marrëveshje, njerëzit duhej të mblidheshin. Duke u mbledhur, ata qanin hallet, këshilloheshin, kuvendonin, gjykonin dhe merrnin vendime për interesat e përbashkëta.

Në këtë traditë të organizimit shoqëror, kuvendi u afirmua si institucion i vendimmarrjes kolektive. Sipas Enciklopedisë, kuvendet janë mbledhje të burrave të një krahine, fshati a fisi, të cilët shqyrtonin dhe zgjidhnin çështjet më të rëndësishme politike e shoqërore të popullit (Fjalor enciklopedik, Akademia e Shkencave e RPSSH, 1985, f. 584).

Kuvendi nuk ishte thjesht një tubim njerëzish. Ai ishte vendi ku fjala merrte vlerë dhe peshë, ku arriheshin marrëveshje dhe ku ato, më pas, ktheheshin në vendime detyruese për të gjithë, duke fituar autoritet në nivel fshati, bajraku, fisi apo në marrëdhëniet ndërfisnore të një ose disa bashkësive.

Këtu qëndron edhe një nga veçoritë më të rëndësishme të tij: kuvendi nuk kishte vetëm karakter këshillimor, por, në rrethana të caktuara, ushtronte funksione rregulluese, gjykuese, organizative dhe politike.

KUVENDI SI INSTITUCION I TRADITËS DHE I VETËQEVERISJES

Autori bën analizë dhe sintezë, nxjerr deduksione dhe bën induksione, duke e paraqitur Mirditën si vendin e kuvendeve që në organizimin e saj tradicional, të cilat gjenin shprehje në nivele të ndryshme të jetës shoqërore.

Ai na sjell në vëmendje se kuvendet mirditore i kishin rrënjët në traditë, në zakon dhe në Kanun. Fillesat e tyre gjendeshin që në odat malore të kullave, të cilat shërbenin si qeliza bazë të kuvendimit, ku diskutoheshin çështje familjare dhe shoqërore. Ky organizim shtrihej më tej, nga kuvendi i fshatit te kuvendi i fisit, i bajrakut dhe i krahinës, ku kultura e kuvendimit përbënte një mënyrë të rëndësishme të organizimit të bashkësisë.

Kuvendet e fshatit merreshin me problemet e përbashkëta të banorëve, si kullotat, pyjet, ujërat, rrugët, kufijtë dhe marrëdhëniet ndërmjet familjeve.

Kuvendet e fisit dhe të bajrakut, vë në dukje autori, trajtonin çështje që kapërcenin interesat e një familjeje apo të një fshati. Ato merreshin me marrëdhëniet ndërmjet vëllazërive, pajtimet, detyrimet zakonore, mbrojtjen e territorit dhe organizimin e përbashkët.

Ndërsa kuvendet ndërkrahinore dhe shumëkrahinore merrnin një përmasë më të gjerë, sepse bashkonin përfaqësues të bashkësive të ndryshme për të trajtuar çështje që kërkonin marrëveshje dhe veprim të përbashkët.

Kjo shumëllojshmëri kuvendesh tregon se kuvendi nuk ishte një institucion i kufizuar vetëm në një formë organizimi. Ai mund t'u përshtatej nevojave të bashkësive dhe rrethanave historike.

Në këtë kuptim, kuvendi përfaqësonte një institucion tradicional të ushtrimit të autoritetit kolektiv, ndërsa Kanuni përbënte një nga bazat normative mbi të cilat mbështetej organizimi i jetës së bashkësisë.

Kanuni përcaktonte norma dhe detyrime, ndërsa kuvendi ishte një nga institucionet që shqyrtonte çështjet e përbashkëta dhe merrte vendime në përputhje me atë rend zakonor.

Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia që autori u kushton kuvendeve mirditore.

MIRDITA - THOTË AUTORI - VETËQEVERISJE BRENDA NJË PERANDORIE

Për shekuj me radhë, Mirdita u gjend nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, por ruajti, në periudha të ndryshme, forma të konsiderueshme të autonomisë vendore. Kjo krijoi një marrëdhënie të ndërlikuar ndërmjet pushtetit perandorak dhe institucioneve tradicionale të krahinës.

Nga njëra anë ishte administrata osmane, me përfaqësuesit, ligjet dhe kërkesat e saj për nënshtrim ndaj autoritetit qendror. Nga ana tjetër qëndronin bashkësitë mirditore, me krerët, pleqtë, bajraktarët, kapedanin, kuvendet dhe normat e tyre zakonore. Këto nuk përbënin dy pushtete shtetërore të barabarta, por dëshmonin bashkëjetesën dhe përplasjen ndërmjet autoritetit perandorak dhe formave tradicionale të vetëqeverisjes.

Në këtë marrëdhënie, kuvendi kishte një rol të veçantë. Ai shprehte qëndrimin e bashkësisë, përcaktonte kërkesat e saj dhe organizonte veprimet për mbrojtjen e interesave të përbashkëta.

Prandaj, siç thekson autori, kur mirditorët u drejtoheshin vezirëve, guvernatorëve apo autoriteteve më të larta osmane, kërkesat e tyre nuk kufizoheshin vetëm te lehtësimi i detyrimeve ekonomike ose ushtarake.

Një nga kërkesat themelore ishte njohja e së drejtës për t'u vetëqeverisur sipas traditës dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ata kërkonin të ruanin autoritetin e krerëve të tyre, të drejtën për zgjidhjen e çështjeve të brendshme dhe funksionimin e institucioneve zakonore.

Pra, kërkonin që, edhe pse ndodheshin nën sovranitetin e një perandorie, të kishin të drejtën të vendosnin vetë për një pjesë të rëndësishme të çështjeve të tyre.

Kjo përbënte një formë autonomie zakonore dhe administrative. Pikërisht në këtë kuptim, kuvendi mund të vlerësohet si një institucion i pushtetit vendor tradicional.

Autori nuk i barazon aspak kuvendet me pushtetin shtetëror në kuptimin modern të fjalës, por i cilëson ato si organe kolegjiale që ushtronin funksione të lidhura drejtpërdrejt me qeverisjen e bashkësisë.

NGA KUVENDET E PARA TEK LIDHJA E MADHE E MIRDITËS

Gjon Marku na paraqet si një nga dëshmitë e hershme të organizimit kuvendor bashkimin e Oroshit, Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël në shekullin XVI. Sipas autorit, këto tri bashkësi u bashkuan në vitin 1570, duke formuar atë që njihet si «Lidhja e Madhe e Mirditës». Ky bashkim përfaqësonte një zgjerim të organizimit përtej bashkësive të veçanta.

Autori sjell referenca nga Bici dhe Shuflaj, të cilët e paraqesin Mirditën si një lidhje të rëndësishme ushtarake. Në burimet që citon autori, përmenden deri në 12.000 forca, ndërsa vetëm dy Fanëve u atribuohen 10.000 burra nën armë.

Pavarësisht vështrimit kritik ndaj këtyre shifrave, rëndësia e të dhënave qëndron më tepër te dëshmia e përpjekjeve për organizim dhe bashkërendim ndërmjet bashkësive.

Në vitin 1594, autori na sjell Kuvendin e Ndërfanës, ku morën pjesë përfaqësuesit e dy Fanëve dhe të Mirditës.

Më tej, paraqitet Kuvendi i Blinishtit, i cili synonte sigurimin e ndihmës nga Austria. Megjithatë, kjo përpjekje dështoi, pasi i dërguari i mirditorëve u kap nga autoritetet osmane, sipas rrëfimit të autorit, pas kallëzimit të venedikasve.

Këto përpjekje dëshmojnë një zhvillim të rëndësishëm të funksionit të kuvendeve. Ato nuk kufizoheshin më vetëm te zgjidhja e problemeve të brendshme, por synonin të siguronin mbështetje dhe të arrinin marrëveshje edhe jashtë krahinës.

KUVENDET SI INSTITUCIONE TË BASHKËRENDIMIT POLITIK

Një vend të veçantë në veprën e Gjon Markut zë Kuvendi i Dukagjinit i vitit 1602. Autori ndalet edhe te çështja e vendndodhjes së tij. Duke shqyrtuar mendimet e studiuesve të ndryshëm, ai paraqet hipotezat që e vendosin kuvendin në fshatin Dukagjin të Matit, në Shën Llesh të Dibrës ose në Malin e Shenjtë të Oroshit.

Në këtë diskutim, autori shtron një version interesant: në burimet që ka shqyrtuar, ai nuk ka gjetur përcaktimin «në fshatin Dukagjin», por shprehjen «në vendin e dukagjinëve». Kjo çështje kërkon hulumtim të mëtejshëm, por dëshmon edhe përpjekjen e autorit për të mos u mjaftuar vetëm me renditjen e ngjarjeve.

Në vitin 1608, autori na paraqet Kuvendin e Shpalit, i cili iu drejtua mbretit të Spanjës për ndihmë me armatime dhe mjete lufte. Sipas autorit, ndihma e kërkuar nuk mbërriti. Megjithatë, vetë fakti i kërkimit të mbështetjes nga një fuqi e jashtme dëshmon se kuvendet mund të merrnin përsipër edhe funksione përfaqësimi dhe komunikimi diplomatik e politik.

Një tjetër përmasë del në pah nga pjesëmarrja e përfaqësuesve mirditorë në kuvende më të gjera, përfshirë Kuvendin e Beogradit të vitit 1614, të cilin autori e trajton në kuadrin e përpjekjeve për bashkërendim ndërballkanik.

Këtu kuvendi shfaqet si mjet për krijimin e lidhjeve dhe arritjen e marrëveshjeve ndërmjet bashkësive që kishin interesa të përbashkëta politike dhe ushtarake. Nga kuvendi i një fshati apo bajraku, organizimi shtrihej drejt kuvendeve ku merrnin pjesë përfaqësues të disa krahinave. Ky zgjerim i pjesëmarrjes i jepte institucionit të kuvendit një rëndësi që kapërcente kufijtë e Mirditës.

KUVENDET E SHEKULLIT XIX – NGA TRADITA ZAKONORE TEK KËRKESA PËR AUTONOMI

Në shekullin XIX, përpjekjet për ruajtjen e vetëqeverisjes morën një përmbajtje gjithnjë e më të qartë politike dhe administrative. Këtë e dëshmojnë kuvendet që Gjon Marku paraqet në veprën e tij.

Një ndër më domethënësit, sipas autorit, ishte Kuvendi i Grykës së Oroshit i vitit 1873. Sipas tij, në këtë kuvend u hartua një memorandum, në të cilin kërkohej njohja e traditës kanunore të malësisë si formë qeverisjeje. Kërkohej gjithashtu ndalimi i represalieve osmane ndaj mirditorëve dhe kthimi i Preng Bib Dodës në Mirditë, në cilësinë e kapedanit.

Kuvendi vendosi edhe dërgimin e një delegacioni në Cetinë për të kërkuar armë dhe ndihma, si dhe sigurimin e mbështetjes nga krahinat e tjera për një qëndresë të përbashkët. Këto vendime kanë një rëndësi të veçantë. Në faqet e librit del qartë funksioni i kuvendeve dhe, siç thekson autori, në to ndërthuren tri funksione: mbrojtja e së drejtës zakonore, përfaqësimi politik i krahinës dhe organizimi i qëndresës.

Kuvendi nuk kërkonte vetëm njohjen e disa zakoneve të trashëguara, por edhe njohjen e një mënyre të caktuar të organizimit dhe të qeverisjes së bashkësisë.

Kjo e vendoste çështjen e vetëqeverisjes në qendër të marrëdhënieve ndërmjet Mirditës dhe pushtetit osman.

Në vitin 1876, citon autori, u mbajt një tjetër kuvend në Shpal, ndërsa në vitin 1877 kuvendi vendosi vazhdimin e kryengritjes kundër Perandorisë Osmane, kryesisht duke mbajtur pozicione mbrojtëse.

Në këtë kuvend u dënuan edhe persona të cilësuar si bashkëpunëtorë të autoriteteve osmane.

Këtu del në pah një tjetër funksion i kuvendit: përcaktimi i qëndrimit të bashkësisë ndaj veprimeve që konsideroheshin në kundërshtim me interesat e saj.

Me radhë, autori na paraqet edhe disa kuvende të tjera, si:

Kuvendi i Rubikut i vitit 1912;

Kuvendi i Përlatit i vitit 1912;

Kuvendi i Zëjmenit i vitit 1912, i cilësuar si kuvendi i besëlidhjeve;

Kuvendi i Kallmetit i vitit 1913;

si dhe Kuvendi i Blinishtit i vitit 1944.

KUVENDET NDËRKRAHINORE - NGA VETËQEVERISJA TEK SOLIDARITETI I PËRBASHKËT

Një ndër shembujt më domethënës që sjell Gjon Marku është Kuvendi i Shpalit i vitit 1880. Sipas autorit, mirditorët vendosën t'u shkonin në ndihmë Hotit, Grudës dhe Kelmendit, duke dërguar 2.500 burra nën armë.

Këtu dëshmohet roli i kuvendit, pasi ai merr një përmasë që kapërcen interesat e një krahine të vetme. Mirditorët nuk mblidheshin vetëm për të mbrojtur territorin dhe të drejtat e tyre, por edhe për të mbështetur bashkësi të tjera shqiptare.

Ky ishte një zhvillim me rëndësi në historinë e marrëdhënieve ndërkrahinore. Kuvendi shërbente si institucion që mundësonte marrëveshjen, besëlidhjen dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet bashkësive të ndryshme. Në këtë kuptim, tradita e kuvendimit nuk ishte vetëm një mjet i organizimit të brendshëm, por edhe një faktor i bashkimit për interesa më të gjera.

SHPALI - QENDËR E RËNDËSISHME E VENDIMMARRJES KUVENDORE

Në veprën e Gjon Markut, Shpali na del vazhdimisht si një qendër e rëndësishme e kuvendeve mirditore. Këtu u mbajtën kuvende në vite të ndryshme, në të cilat trajtoheshin çështje të qëndresës, të marrëdhënieve me autoritetet osmane dhe të organizimit të brendshëm të krahinës.

Në vitin 1886, pesë bajrakët e Mirditës u mblodhën përsëri në Shpal. Nga ky kuvend doli një kërkesë drejtuar guvernatorit të përgjithshëm për autonomi. Gjithashtu, u kërkua emërimi i Preng Bib Dodës në postin e kajmekamit të Mirditës.

Kjo kërkesë është me interes të veçantë për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet institucioneve tradicionale dhe administratës osmane. Mirditorët kërkonin që autoriteti i drejtuesit të tyre tradicional të njihej edhe brenda strukturave administrative të Perandorisë.

Pra, kërkohej një formë përputhjeje ndërmjet autoritetit tradicional të kapedanit dhe funksionit administrativ të njohur nga pushteti qendror. Kjo dëshmon se përpjekjet për vetëqeverisje nuk zhvilloheshin vetëm nëpërmjet qëndresës së armatosur, por edhe përmes kërkesave, memorandumeve dhe marrëveshjeve politike.

KUVENDET E FILLIMIT TË SHEKULLIT XX – BESËLIDHJA SI DETYRIM KOLEKTIV

Në fillim të shekullit XX, kuvendet mirditore vazhduan të luanin një rol të rëndësishëm në organizimin e qëndresës dhe në përcaktimin e qëndrimeve ndaj administratës osmane.

Autori na paraqet Rrëshenin si një tjetër qendër të kuvendeve. Në vitin 1908, aty u mbajt një kuvend, ndërsa në vitin 1911, në Kodër-Rrëshen, u mblodhën përfaqësuesit e bajrakëve të Kthellës, Selitës dhe Rranxës. Në këtë kuvend u lidh një besëlidhje, sipas së cilës pjesëmarrësit vendosën të mos dorëzonin armët, të mos paguanin taksa dhe të mos dërgonin rekrutë. Gjithashtu, u vendos që të mbështeteshin pesë bajrakët e Mirditës, nëse ata do të ngriheshin në kryengritje.

Këto vendime dëshmojnë funksionin organizativ dhe detyrues të kuvendit. Vendimi nuk ishte thjesht shprehje e mendimit të disa krerëve. Ai synonte të krijonte një angazhim të përbashkët, të mbështetur në besëlidhje dhe në përgjegjësinë e bashkësive pjesëmarrëse. Në këtë mënyrë, kuvendi bëhej një institucion që bashkërendonte qëndrimet dhe veprimet e disa bajraqeve.

Autori na sjell edhe Kuvendin e Bisakës të vitit 1911, si pjesë të kësaj tradite të vazhdueshme kuvendore.

MADHËSHTIA HISTORIKE E KUVENDEVE MIRDITORE

Duke ndjekur këtë varg kuvendesh, nga shekulli XVI deri në fillim të shekullit XX, kuptojmë se rëndësia e tyre nuk qëndron vetëm te numri i madh i mbledhjeve, te vendet ku zhvilloheshin apo te emrat e krerëve që merrnin pjesë. Rëndësia e tyre qëndron te funksionet që ushtronin dhe te roli që luajtën në organizimin e bashkësisë.

Kuvendet ishin vende ku shprehej vullneti kolektiv, ku merreshin vendime për çështje të përbashkëta dhe ku përcaktoheshin detyrime që pjesëmarrësit merrnin përsipër t'i zbatonin.

Ato shërbyen për rregullimin e marrëdhënieve të brendshme, për mbrojtjen e normave zakonore, për organizimin e qëndresës dhe për krijimin e marrëveshjeve ndërkrahinore. Por, mbi të gjitha, ato përfaqësuan një mekanizëm të rëndësishëm të vetëqeverisjes tradicionale.

Në kushtet kur pushteti perandorak kërkonte të shtrinte autoritetin e tij mbi krahinën, kuvendet mbetën ndër institucionet nëpërmjet të cilave mirditorët shprehnin kërkesat për ruajtjen e të drejtave dhe të organizimit të tyre të brendshëm.

Këto kuvende nuk mund të shihen thjesht si ngjarje të veçuara historike, por si pjesë e historisë së institucioneve tradicionale shqiptare. Sigurisht, ato nuk ishin institucione demokratike në kuptimin bashkëkohor të fjalës. Pjesëmarrja në to ishte e kufizuar nga organizimi patriarkal i shoqërisë, ndërsa krerët, pleqtë dhe familjet me autoritet kishin një peshë të veçantë. Megjithatë, në rrethanat historike të kohës, ato krijuan mekanizma të vendimmarrjes dhe të përgjegjësisë kolektive.

Rëndësia e librit të autorit nuk qëndron aq te paraqitja e numrit të kuvendeve, e kohës apo e vendeve ku ato u mbajtën, sesa te fakti se kuvendi ishte një institucion ku bashkësia përpiqej ta kthente vullnetin e saj në vendim dhe vendimin në veprim të përbashkët.

PËRFUNDIM

Vepra Kuvendet e mirditasve e Gjon Markut na jep mundësinë të shohim përtej historisë së kuvendeve të veçanta. Ajo na ndihmon të kuptojmë një traditë të gjatë të organizimit shoqëror dhe të vetëqeverisjes, në të cilën marrëveshja, besa, autoriteti i krerëve dhe vendimmarrja kolektive luajtën një rol të rëndësishëm.

Mirdita, përmes kuvendeve të saj, dëshmon se ruajtja e autonomisë nuk ishte vetëm çështje e qëndresës së armatosur. Ajo ishte edhe çështje organizimi, marrëveshjeje, përfaqësimi dhe aftësie për të mbrojtur institucionet tradicionale.

Në këtë kuptim, historia e kuvendeve mirditore është pjesë e historisë më të gjerë të institucioneve të vetëqeverisjes shqiptare. Nga kuvendet e fisit dhe të bajrakut te kuvendet ndërkrahinore dhe ato me përmasa më të gjera politike, shohim një traditë të rëndësishme të bashkërendimit dhe të veprimit kolektiv.

Prandaj, madhështia e kuvendeve nuk qëndron vetëm në faktin se ato mblidhnin njerëzit për të marrë vendime, por edhe në aftësinë për ta kthyer bashkësinë në një forcë të organizuar, që kërkonte të ruante të drejtat, traditat dhe vetëqeverisjen e saj.

Kjo është edhe një nga vlerat themelore që na përcjell Gjon Marku përmes veprës së tij.

Mirdita, vendi i kuvendeve vetëqeverisëse, nuk mund të jetë vetëm një përcaktim historik për një krahinë të njohur për qëndresën dhe traditat e saj, por edhe një mënyrë për të kuptuar se si, në rrethana të vështira historike, bashkësitë shqiptare krijuan dhe ruajtën institucione për të rregulluar jetën e tyre, për të marrë vendime dhe për të mbrojtur të drejtën e vetëqeverisjes.

I.                  KUVENDET E FSHATIT – ORGANIZIMI I BASHKËSISË

Me zgjerimin e problemeve përtej familjes dhe farefisnisë, kuvendimi merrte përmasa më të gjera, duke përfshirë të gjithë bashkësinë. Kuvendet e fshatit trajtonin çështje që lidheshin me kullotat, pyjet, ujërat, rrugët, kufijtë, marrëdhëniet ndërmjet familjeve dhe detyrimet e përbashkëta. Këtu del në pah një funksion i rëndësishëm: vendimmarrja kolektive dhe përgjegjësia për zbatimin e vendimeve.

II.               KUVENDET E FISIT DHE TË BAJRAKUT

Në këtë nivel, kuvendet merrnin një karakter më të gjerë shoqëror dhe organizativ. Ato trajtonin marrëdhëniet ndërmjet vëllazërive, çështjet e së drejtës zakonore, pajtimet, mbrojtjen e territorit dhe mobilizimin e përbashkët. Duhet të dallojmë, nga pikëpamja historike, kuvendin e fisit nga ai i bajrakut, sepse organizimi i bajraqeve lidhet me zhvillime të veçanta të periudhës osmane.

III.           KUVENDET NDËRFISNORE DHE NDËRKRAHINORE

Këto kuvende përfaqësonin bashkërendimin e disa fiseve, bajraqeve ose krahinave. Rëndësia e tyre qëndronte në kapërcimin e interesave të një bashkësie të vetme, për të marrë vendime që preknin territore dhe popullsi më të gjera. Në këtë kuadër mund të kuptohen edhe lidhjet ndërmjet Pukës, Mirditës, Dukagjinit të Ri dhe Malësisë së Madhe.

MADHËSHTIA HISTORIKE DHE ETNOKULTURORE E KUVENDEVE

Në këtë pikë të trajtimit të librit Mirdita, vendi i kuvendeve vetëqeverisëse, me autor Gjon Markun, mund të bëjmë një përgjithësim të rëndësishëm.

Kuvendi, si bashkim njerëzish, përfaqësonte një mënyrë të organizimit të jetës shoqërore, të rregullimit të marrëdhënieve dhe të marrjes së vendimeve në bashkësi. Nëpërmjet kuvendeve shfaqeshin autoriteti i pleqësisë, pesha e fjalës së dhënë, besa, përgjegjësia kolektive dhe përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve. Njëkohësisht, trajtimi shkencor duhet të shqyrtojë edhe kufizimet e këtyre institucioneve, përfshirë pjesëmarrjen e pabarabartë në vendimmarrje.

Kuvendet mund të vlerësohen si kuvende të besës dhe të vendimmarrjes kolektive. Pra, aty ndërthureshin disa elemente, si besa dhe vendimi i kuvendit. Deri në dhënien e besës, pjesëmarrësit mund të mos e pranonin një marrëveshje, por, pasi jepnin besën, vendimi i kuvendit kthehej në detyrim për t'u zbatuar, së bashku me pasojat që sillte moszbatimi i tij.

Historikisht, besa ka përfaqësuar dy anë të së njëjtës medalje: nga njëra anë, një virtyt moral dhe, nga ana tjetër, një institucion të së drejtës dokësore të trashëguar.

Si virtyt moral, ajo i ka zanafillat në lashtësi, si nevojë për solidaritet brenda bashkësisë fisnore. Ajo mbështetej në kultin e fjalës së dhënë, e cila, sipas mendësisë së kohës, konsiderohej një akt me karakter të shenjtë dhe të pathyeshëm, sipas postulatit: «Shqiptari, kur jep fjalën, ther edhe djalin».

Besa, si normë e së drejtës zakonore, mori një rëndësi të veçantë me lindjen e marrëdhënieve shoqërore më të ndërlikuara dhe në kushtet e pushtimeve. Në këtë rast, besa, si koncept juridik, shërbente për të vendosur rregull në marrëdhëniet individuale, familjare, në fshat, si dhe në marrëdhëniet krahinore e ndërkrahinore.

Në të dyja kuptimet, besa ishte një nga shtyllat mbi të cilat mbështeteshin kuvendet.

Institucioni i kuvendit nuk mbështetej në një aparat administrativ që ndiqte zbatimin e vendimeve, siç ndodh në shtetet e organizuara, por në autoritetin e traditës, të krerëve, të pleqësisë, të besës dhe të përgjegjësisë së bashkësisë.

Ky autoritet ishte shumë i madh. «Këtë e ka thënë plaku i shtëpisë», thoshin nënat; «këtë e kanë vendosur burrat e shtëpisë». Vendimet e marra nga burrat e shtëpisë, të katundit, nga pleqësia e katundit, e bajrakut apo e fisit, gëzonin një autoritet të veçantë dhe konsideroheshin si të pacenueshme, thuajse si një ungjill.

Ajo që i jepte kuvendit jo vetëm rëndësi morale, por edhe funksione rregulluese e detyruese brenda rendit zakonor, ishte fakti se vendimet e tij sillnin pasoja të drejtpërdrejta në jetën e njerëzve, ashtu siç sjell sot ligji.

Kuvendi vendoste, ndërsa bashkësia merrte përsipër përgjegjësinë për zbatimin e vendimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat