Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Kultura

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Më: 16 tetor 2026 Në ora: 19:25
Ilustrim

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për aplikime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe përfaqësues të tjerë të fushës së arteve pamore të paraqesin propozimet e tyre për projekte artistike dhe kulturore.

Sipas njoftimit të Galerisë, thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha të ndryshme, si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Po ashtu, mund të aplikohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet e përzgjedhura mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë Kombëtare të Kosovës, në bashkëpunim me stafin e institucionit. Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e saj, GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Për aplikim janë të ftuar artistë, kuratorë, hulumtues, praktikues të arteve pamore, kolektive, organizata dhe komunitete kulturore. Sipas njoftimit, kontratat do të lidhen me individë.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 30 dhjetor 2026.

Të interesuarit mund të gjejnë informata më të hollësishme për thirrjen dhe procedurat e aplikimit në kanalet zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat