Natyrisht, pak do të çuditeni me këtë metaforë hiperbolizuese: „Me dy zemra“, por kur të lexoni librin „Jetë në dy kontinente“ të Fuat Memellit, do të bindeni se jam fare pranë të vërtetës. Ky libër është një monografi e familjes, por i kalon caqet e një biografie familjare. Siç vë re, pasi e lexova librin, me autorin ka ndodhur ai fenomen që nobelistja franceze (e nominuar në vitin 2022), Annie Ernaux, e përcakton kështu: „Të kesh jetuar diçka, çfarëdo që të jetë, të jep të drejtën për ta shkruar atë“.
Të kesh jetuar diçka është gati një fjalë goje, por ky libër (gati një libër tavoline) është i mbushur me plot „diçkara“, ku në gjithë këto „diçka“ vlon një jetë 80-vjeçare e autorit, e cila është aq e larmishme, nga dje deri sot, por, në të njëjtën kohë, edhe ndër më intrigueset dhe tepër interesante.
Kjo rrëfenjë kaq e gjatë për jetën e autorit vërtet që fillon nga fëmijëria, por vazhdon me zigzage dhe kthehet si në një film me metrazh të gjatë. Aktorët e këtij „filmi“, së pari, janë familjarët dhe, dalëngadalë, „skena e filmit“ zgjerohet dhe aty hyjnë bashkëfshatarët nga Sinica e Korçës, ku „regjisorit të filmit“, Fuat Memellit, i ka „rënë koka“.
Sinicën, Fuat Memelli e ka në zemër edhe kur erdhi në Tiranë si student në Institutin Bujqësor, por vazhdimisht, si një shtesë apo një „vertebër“ më shumë në shtyllën kurrizore. Fati e ndihmoi që të fillonte punë në Tiranë dhe, fat mbi fat, si gazetar apo kameraman në Televizionin Shqiptar.
As kursin për gazetar dhe as atë për kameraman nuk i fitoi as me mik dhe as me „krahëmarrje“. Përkundrazi, ky fshatar nga Sinica kishte dhënë prova me shkrimet e tij në gazetat e kohës: herë në prozë dhe herë në poezi, fryt i dashurisë për librin dhe letërsinë.
*
Puna në televizion ishte një punë sa e lakmueshme, por, në të njëjtën kohë, edhe me shumë përgjegjësi. Ndërroheshin drejtorët dhe „shkopinjtë“ binin mbi kurrizin e punonjësve. Anonimët me letra informonin partinë se X... apo Y... ishte me „hije“ në biografi dhe nuk ishte i përshtatshëm për në Televizion.
Shpikën dhe shpifën edhe për Fuat-in dhe aq donte drejtori i asaj kohe, Thanas Nano, duke e çuar Fuat-in, i cili ishte një nga profesionistët më të mirë, në kooperativën bujqësore të Petrelës.
Kur njihem me këtë fakt, më vijnë ndër mend vargjet e Atë Gjergj Fishtës, i cili thotë:
„Me kenë i mirë, të mprehin,
Me pas bisht, ta presin,
Për mos me pas, ta ngjesin“.
Ia „ngjesën“ një bisht, se gjoja një kushëri i largët kishte tentuar të arratisej. Ishte „koha e anonimëve“, por edhe në Petrelë ai jo vetëm punoi mirë, por fitoi edhe dashurinë e njerëzve, edhe respektin e tyre.
U verifikua „bishti që i ngjesën“ dhe e rikthyen përsëri në Televizion. Këtë rikthim të merituar e fitoi me sjelljen dhe dashamirësinë e tij. Vajti pak si „haka tek i zoti“.
Me të ndodhi ajo që ka thënë Aristoteli: „Është karakteristikë e një njeriu shpirtmadh (jo më kot e kam nominuar me dy zemra), të mos kërkojë ndere, por të jetë i gatshëm të bëjë të mira për të tjerët“.
U kthye dhe, kur për nevoja të Televizionit duhej blerë kamerë, filluan përsëri intrigat. Ngaqë për të negociuar duhej ditur frëngjishtja, pasi negociatat zhvilloheshin në Francë, iu fut kursit intensiv për të mësuar frëngjisht. E mori dëshminë, por ata që „përgjonin në hije“ deshën të dërgonin dikë tjetër.
Megjithatë, u nis në Francë dhe u kthye me kamerën e kohës. Por, duke marrë hua një batutë nga filmat tanë: „I çali të kujton dhe nuk të harron“, „hija“ që e ndiqte pas kurdisi dy hajdutë, të cilët vodhën kamerën që ruhej në magazinën me roje.
U vodh kamera dhe Fuatit i vunë hekurat, sepse „nuk qe i zoti ta ruante“. Ishte në një gjendje makthi, siç e gjen veten kur nuk e pandeh.
Sapo u sqarua „bishti që i ngjesën“, doli i pafajshëm dhe u kthye përsëri në TV. Tani sikur mori „për mbarë“: gati u bë „ambasador shëtitës“ në Francë, Gjermani, Belgjikë, Holandë dhe Itali.
Ndërkaq, fëmijët në mërgim. Pas fëmijëve, Fuat Memelli, me zemër të thyer, u nis pas tyre në Amerikë. Edhe në Boston, ku është vendosur, është aktiv dhe kontribuon me penë në organet e shtypit, te „Dielli“ dhe te „Illyria“.
Jo vetëm kaq, por takon ish-presidentin Bill Clinton dhe i shpreh mirënjohjen për Kosovën; takon kryebashkiaken e qytetit ku jeton dhe i dhuron lule dhe një poezi për viktimat e një akti terrorist.
*
Ka 15 vjet në Boston dhe ka krijuar shoqëri në emigracion. Pra, si të thuash, tani po i rreh zemra si nënshtetas amerikan. Por, po t'i vësh të dyja zemrat në kandar, ajo nga Sinica është më e madhe.
Sapo shkruan librin për jetën në Boston dhe më tej, në Kanada, ku ka dy djemtë dhe familjet e tyre, kthehet përsëri në Sinicë. Organizon shoqatën, ku është kryetar, rindërtojnë shkollën, ujësjellësin dhe, ndonëse mysliman, bëhet nismëtari për historikun e kishës, për t'u thënë „ndal“ hamendësimeve se kisha ishte ndërtuar nga grekët.
Tërë jetën e jeton vetëm për t'u bërë mirë të tjerëve. Kur shoh kontributin në dobi të komunitetit, por edhe të njerëzve në nevojë, më kujton atë që ka thënë Antisteni, nxënësi i Sokratit: „E vetmja gjë që nuk na e rrëmben askush është kënaqësia që ndiejmë kur u bëjmë njerëzve mirë“.
Po si mund t'ia rrëmbesh këtë kontribut Fuat Memellit, që ka „dy zemra“?
Duke e mbyllur, më duket se me këtë monografi ka arritur qëllimin që i ka vënë vetes. Dhe ia ka arritur.
Por John Dewey thotë: „Arritja e një qëllimi është pika e fillimit për një tjetër“. Duke e mbështetur këtë thënie dhe, më tepër, për t'ia mbushur mendjen Fuat Memellit, po citoj Les Brown, i cili thotë: „Nuk je kurrë i vjetër për të vendosur një qëllim tjetër, për të ëndërruar një ëndërr të re“.
Unë, si mik që e kam, e bëra këtë shkrim si „doganë“ për librin që më dhuroi. Por, kur vjen puna te dhuratat, më vjen pranë Brigham Young, i cili thotë: „Duaje dhuruesin më shumë se dhuratën“.
Ngaqë e dua më shumë se dhuratën, e uroj Fuat Memellin pak „fshatarçe“ (se nga fshati e kam gjakun):
„Pena të të bëhet plug për të çarë arat e letërsisë!“