Ditë më parë, në botim të shtëpisë botuese “Lena”, doli nga shtypi libri “GJAKU I TYRE – DHURATË LIRISË”, me autor Shahin Idrizi, redaktor Gani Bajrami dhe recensues Prof. Dr. Beqir Ismaili. Libri është një kronikë për dëshmorët dhe viktimat e luftës në Fushë-Kosovë dhe konsideohet një ndërmarrje e rëndësishme e ekipit që ka punuar në të, me mbështetje të Komunës së Fushë Kosovës, konkretisht të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila i ka siguruar mjetet financiare për botimin e librit.
Mund të quhet edhe libër - homazh për të vrarët në territorin e komunës së Fushë Kosovës gjatë luftës së fundit në Kosovë, libri i Shahin Idrizit kronikë për dëshmorët dhe viktimat e luftës në Fushë-Kosovë me titull “Gjaku i tyre – dhuratë lirisë”. Ky libër synon të jetë një monument përjetësie për dëshmorët dhe viktimat e luftës në Fushë Kosovë, por njëkohësisht është një libër që pasqyron tmerrin e krimit që ushtruan falangat serbe mbi popullatën shqiptare. Është një libër që të shtang posa ta lexosh çdo faqe të tij, por njëkohësisht është një libër që të nxit, e të cytë, që të futesh në brendinë e rreshtave që ngërthen në vete, me shumë të dhëna e fotografi të atyre që u vranë e u masakruan brenda një periudhe të shkurtër kohore. Dhe bilanci makaber ishte mbi 160 të vrarë e të masakruar. Janë 19 fëmijë të vrarë, prej tyre 14 meshkuj e 5 femra. Ky fakt flet se Kosova në përgjithësi u ballafaqua me një luftë të pazakontë dhe me një okupues mizor e barbar. E si do të quheshin ndryshe ata që vrasin fëmijë - veçse kriminel.
Prandaj, ky libër le të jetë një homazh kombëtar e njerëzor për jetën e atyre fëmijëve që u shuan në mënyrë të pafajshme nga dora barbare. Le të jetë një dëshmi e paharruar e një kujtese të dhimbshme, jo, për hakmarrje, por që krimet, mos të përsëriten kurrë më, në trojet shqiptare e askund në botë. Për dike, ndoshta është e pabesueshme, por faktet flasin për vërtetësinë e ngjarjeve makabre që u zhvilluan në truallin e përgjakur të Fushë Kosovës gjatë luftës së fundit duke lënë mbi 160 të vrarë e të masakruar. Pos Familjes Mirena që ka 16 të vrarë, janë edhe Familja Ramadani që humbi 8 anëtarë, Familja Behluli – 6 anëtarë, Familja Krasniqi dhe Familja Berisha nga 5 anëtarë. Është masakër e pastër dhe gjenocid i llojit të vet torturimi e ekzekutimi i tërë familjes gjashtanëtareshe Behluli, ploja mbi familjet katëranëtarëshe të mjekut dr. Fatmir Krasniqi, Familjes Osmani, Familjes Elmazi, Familjes Gashi dhe Familjes Syla. Pra janë 16 familje me 3 e më shumë të vrarë dhe 12 familje me nga dy të vrarë, që gjithsej janë 28 familje që kanë nga dy e më shumë të vrarë.
Libri është një zë i fuqishëm kundër harresës, ka për qëllim të sfidojnë harresën dhe t’u përcillet brezave të rinj e vërteta për krimet dhe gjenocidin që forcat serbe ushtruan ndaj shqiptarëve. Pra libri mund të cilësohet si dëshmi e rëndësishme historike mbi vuajtjet dhe rezistencën e popullit shqiptar, por edhe si një manifest që kërkon drejtësi. Gjatë leximit të historive të trishta të personazheve të këtij libri, do të na parafytyrohen eskadronët serbe të vdekjes që bridhnin me listë në dorë të njerëzve që i kishin futur në planet e tyre për likuidim, e ku figuronin edhe emrat e disa mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve. Sepse, krimi serb në Kosovë ishte i paramenduar, i organizuar dhe i planifikuar. Është kjo dhunë shtetërore serbe, gjenocid e etnocid mbi shqiptarët që e ka historinë e vet shekullore. Do të na parafytyrohen eskadronët e vdekjes që bridhnin me lista në dorë të njerëzve që i kishin futur në planet e tyre për likuidim, e ku figuronin edhe emrat e disa intelektualëve të njohur. Sepse, krimi serb në Kosovë është i paramenduar, i organizuar, i planifikuar. Është dhunë shtetërore që e ka historinë e vet shekullore.
Në këtë libër pasqyrohen përpjekjet këmbëngulëse të forcave militare dhe paramilitare të kriminelit Sllobodan Millosheviq për të zhdukur qenien shqiptare nga Kosova, duke vrarë e masakruar shqiptarë dhe duke shndërruar në tokë të djegur shumë shtëpi shqiptare. Në anën tjetër është pasqyruar edhe rezistenca e madhe e shqiptarëve për të mos iu nënshtruar politikës shfarosëse dhe gjenocidale serbe, duke u lidhur fort me tokën e vet, me pragun e shtëpisë. Kështu krahas tre pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ranë në fushën e nderit, janë edhe dyfish më shumë nga ata që pragun e shtëpisë e mbrojtën me armë.
Personazhet e kësaj monografie ishin njerëz që e donin jetën, edukimin dhe arsimimin e brezave, prosperitetin njerëzor e kulturor, por që nuk arritën ta jetonin jetën dhe ta përfundonin misionin e tyre, ngase pushtuesi serb ua mori jetën. Ata do të mbetën jo vetëm në kujtesën e familjarëve të tyre dhe të ish-nxënësve, por edhe në kujtesën e brezave që do ta lexojnë këtë libër, të cilët do të mësojnë se intelektualët ishin ata që armë kundër armikut e përdorën penën.
Libri është përmendore, homazh dhe memorial për ato qindra-mijëra që u masakruan, derdhën gjakun dhe sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës. Në fletët e këtij libri gjendet vërtet dhimbja, tmerri, krimi, por gjendet edhe heroizmi. Në faqet e këtij libri do të gjeni dy kontraste të thekshme, në njërën anë: një botë barbare, e egër, antinjerëzore, e kriminalizuar dhe e përbuzur, e përfaqësuar nga falangat ogurzeze serbe, që shpalosnin flamurin e zi dhe të kobshëm të egërsisë, duke lënë pas skena të përgjakura me viktima të masakruara e të torturuara barbarisht, ndërsa në anën tjetër do të gjeni shpirtin liridashës, guximtar dhe të paepur të popullit shqiptar në Kosovë që i del përpara çdo barbarie, si dhe gatishmërinë që me asnjë kusht t’i braktisin vatrat e tyre, pragun e shtëpisë, sepse Atdheu fillon nga pragu i shtëpisë. Prandaj aty-këtu gjatë leximit do të ndeshim edhe rënie heroike të atyre që me mosnënshtrim ndaj regjimit vrastar hegjemonist serb, do të hasim edhe rrëfime për ëndrra të realizuara pjesërisht e të mbetura në gjysmë.... Është thuaja e pamundur që ta lexosh këtë libër dhe të mos ngarkohesh edhe me shumë skena makaber që i bëri ushtria e policia serbe bashkë me paramilitarët serbë kundër popullatës të pambrojtur shqiptare dhe veçmas kundër nxënësve e studentëve. Fushë Kosova do të kujtoj 15 studentë të vrarë, 5 femra e 10 meshkuj.
Duke lexuar librin do të na parafytyrohen skena të ndryshme të golgotës nëpër të cilën kaluan shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga gjenocidi serb, ku plumbit dhe bajonetës serbe nuk i shpëtuan nënat dhe më të moshuarit. Faktet tregojnë se u vranë 20 nëna, ndërsa të vdekur ose të gjallë brenda shtëpive u dogjën hiq më pak se 20 persona të moshuar, prej tyre 5 çifte bashkëshortore. Mizoritë serbe ishin të lloj-llojshme me veprime sadiste. Bie fjala, kufoma e Xheladin Idrizit, u gjet e hedhur te vendkalimi mbi hekurudhë në livadhe të Bresjes, pa kokë dhe me duar të prera. Kjo është dëshmi se gjenocidi si krim i organizuar kishte për qëllim zhdukjen e gjurmëve të identitetit, të shenjave të kulturës shpirtërore dhe materiale, në mënyrë që të bëhet ndërprerja e zhvillimit normal të procesit historik në jetën e një populli.
Tekstet dhe fotografitë e prezantuara në këtë libër, nuk janë vetëm dokumente të luftës, por ato janë rrëfime që flasin me forcën e së vërtetës, ato përçojnë dhimbjen e popullit tonë, por njëkohësisht edhe qëndresën, shpresën dhe rrugëtimin drejt lirisë. Janë zbuluar me qindra dokumente që dëshmojnë për dhënien e urdhrave, komandimeve, zbatimin e tyre, fshehjen e gjurmëve të krimit, hapjen e varrezave masive, krimet individuale dhe grupore të bëra në Fushë Kosovë më 1998-1999. Mirëpo, dënimi mungon edhe me fajin, heshtjen e qëllimshme apo të paqëllimshme të strukturave tona udhëheqëse në Komunën e Fushë Kosovës. Mund të numërohen në gishtërinj të dorës paditë e ushtruara ndaj forcave serbe për masakrat që u bënë në Fushë Kosovë dhe rrethinë, ndërsa numri i të dënuarëve është minimal edhe pse dihen emrat e urdhërdhënësve të masakrave e vrasjeve, komandantët e aksioneve ogurzeza kundër çdo gjëje shqiptare. Madje me saktësi nuk mund të thuhet as numri i shqiptarëve të vrarë në Fushë Kosovë e rrethinë nga forcat e kombinuara serbe gjatë luftës në Kosovë. Nuk mund të thuhet me saktësi as sa është numri i të masakruarve, të dëbuarve nga shtëpitë, të të zhdukurve, të të dhunuarave, e kështu me radhë.
komunale e Fushë Kosovës, si një vendbanim i vogël i populluar me shqiptarë përjetoi masakra të tmerrshme, gjë që në opinion nuk njihen me emrin e vërtetë të tyre. Deri diku opinioni është i njoftuar vetëm me masakrën serbe mbi Familjen Mirena të Fushë Kosovës, e cila në pranverën tragjike të vitit 1999 kur Kosova digjej nga lufta dhe mizoria serbe, kjo familje përjetoi njërën nga tragjeditë më të rënda të asaj kohe. Më 21 prill 1999 forcat policore dhe paramilitare serbe rrethuan lagjen e Familjes Mirena dhe morën të gjithë meshkujt e familjes Mirena nga mosha 18 vjeç e lart. Gjithsej 16 burra të kësaj familje bashkë me një mysafir, mik të shtëpisë së tyre. Kështu 17 burra u morën me forcë dhe u zhdukën pa gjurmë. Çfarë emri pos masakër mund t’i jepej asaj që ndodhi natën e një prillit në oborrin e shtëpisë së Hamit Krasniqit, i cili u vra bashkë me dy djemtë, Dr. Fatmirin e Arbenin, bashkëshorten Veziren dhe mbesën Blertën. Por krahas këtyre në oborrin e kësaj shtëpie mbetën edhe shumë të vrarë. Bilanci i kësaj masakre ishte 29 të vrarë, ndërsa në tërë lagjen e sotme “SHKOLLA SHQIPE” u vranë gjithsej 36 veta.
Në kapërcyellin e shekullit XX populli heroik i Kosovës përjetoi masakrat më të egra e barbare që njerëzimi i kish harruar prej kohësh. Klika gjakatare serbe nxori prej katakombeve mesjetare arsenalin e armëve më makabre të krimit dhe torturave. Për t’i përdorur këto armë ndaj një populli që kërkonte të jetonte në liri në trojet e veta të trashëguar ndër shekuj. Për të gjunjëzuar dhe mposhtur popullin Shqiptar të Kosovës, klika serbe kreu krimet e torturat më çnjerëzore që iu bënë të njohura opinionit botëror nëpërmjet shumë mediave.
Libri i autorit Shahin Idrizi është një përpjekje për të prezantuar dëshmi autentike nga një periudhë e rëndësishme e historisë më të re të Kosovës dhe një testament për brezat e rinj që të mos harrojnë sakrificën për liri.
*
Përurimi i këtij libri do të bëhet të shtunën, më 7 nëntor 2026, në orën 11:00, në lokalet e Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë.