Pa Gjergj Kastriotin — do të ishim një popull pa histori, pa identitet dhe pa emër.
Ai nuk na dha thjesht lirinë e përkohshme; ai na dha kodin gjenetik të orientimit tonë perëndimor.
Pa gjuhën arbnore (shqipe)— do të ishim një trup pa shpirt, një komb pa zë.
Gjuha jonë antike, dëshmitarja e gjallë e rrënjëve tona dardane dhe ilire, është shtëpia e vërtetë e qenies sonë.
Pa flamurin e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenare — nuk do të ishim fare.
Ai flamur nuk është thjesht një copë pëlhure, por është vula e gjakut, e besës dhe e krenarisë sonë europiane.
Pa universitetet, kolegjet dhe akademitë e kohës së Pal Engjëllit e këndej — do të ishim të mbytur në injorancën e padijen më të thellë.
Që nga Formula e Pagëzimit e deri te qendrat e para të dijes arbërore, këto institucione ishin mburojat tona ndriçuese.
Pa Pjetër Bogdanin — do të ishim pa dritën e Iluminizmit dhe të arsyes vizionare.
Ky filozof dhe klerik i madh na tregoi se emancipimi shpirtëror i kombit ecën krahas dijes dhe shkencës europiane.
Pa Idriz Seferin — do të ishim pa shtyllën e qëndresës dhe të burrërisë autoktone.
Me urtësinë e tij popullore dhe me pushkën e lirisë, ai dëshmoi se toka dardanë nuk pranon nënshtrim dhe as kompromise me asnjë ndikim të huaj ideologjik fetar.
Pa Nënë Terezën — do të ishim pa dimensionin e humanizmit universal arbnor.
Ajo i tregoi botës mbarë se nga rrënjët e këtij kombi të vuajtur të Gjergj Kastriotit buron dashuria, dhembshuria dhe drita më e pastër shpirtërore.
Pa Gjergj Fishtën — do të ishim pa Homerin tonë, pa epikën e madhe të krenarisë sonë kombëtare.
Përmes vargjeve të tij të zjarrta, ai gdhendi në gur shpirtin, besën dhe kanunin e arbnit. Pa „Lahutën e Malcís“, ne do të na mungonte ajo thirrje e fuqishme që zgjon vetëdijen kombëtare dhe që u thotë shqiptarëve të qëndrojnë të bashkuar përballë çdo rreziku tjetërsimi.
Pa Luigj Gurakuqin — do të ishim pa modelin e shtetndërtuesit vizionar e të ndershëm.
Ky arkitekt i arsimit dhe i diplomacisë shqiptare ishte mishërimi i pastërtisë së karakterit dhe i vizionit laik europian.
Pa Ibrahim Rugovën — do të ishim pa projektin e pavarësisë dhe pa arkitekturën e shtetit të Dardanisë (Kosovës).
Ky vizionar i madh dhe njeri i letrave e lidhi çështjen e Kosovës me rrënjët e saj antike dardane dhe me familjen e madhe euroatlantike. Me urtësinë, kulturën e lartë dhe strategjinë e tij të pathyeshme, ai ndërtoi urën moderne që na ktheu përfundimisht në koordinatat e lirisë dhe të qytetërimit perëndimor.
Pa Adem Demaçin — do të ishim pa modelin e qëndresës së madhe dhe të flijimit të pathyeshëm kombëtar.
Ai ishte Mandela i kombit tonë, njeriu që me dekadat e tij nëpër burgje bëri që ideja e lirisë së Dardanisë të mos shuhej kurrë nën shtypjen e huaj.
Pa prof. Ukshin Hotin — do të ishim pa filozofinë e mirëfilltë politike të çështjes shqiptare dhe kombëtare.
Ky mendimtar gjenial dhe martir i fjalës së lirë ishte arkitekti intelektual që i dha aspiratës sonë për liri një strukturë të pastër shkencore, laike dhe europiane.[Gjon Keka]