Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka pritur në takim Troja Bicurrin dhe Dalina Haxhiun, fitueset e Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” 2026.
Përmes një postimi, Bogujevci ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për përvojën e fitueseve në festival, përgatitjet dhe emocionet e ngjitjes në skenë.
Sipas ministres, diskutimet janë përqendruar edhe te organizimi dhe puna e bërë në edicionin e sivjetmë, si dhe te vazhdimësia e festivalit në vitet e ardhshme.
Postim i plotë:
Me kënaqësi i prita sot në takim Troja Bicurrin dhe Dalina Haxhiun, fitueset e Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” 2026.
Bashkë folëm për përvojën e tyre në festival, përgatitjet dhe emocionet e ngjitjes në skenën e “Akordeve të Kosovës”.
Bashkë me drejtoreshën e RTK-së, Zana Spahiu, dhe drejtoreshën e festivalit, Arta Avdiu, diskutuam për organizimin dhe punën e bërë në edicionin e sivjetmë, si dhe për vazhdimësinë e “Akordeve të Kosovës” në vitet e ardhshme.
I urova Trojës dhe Dalinës shumë suksese të tjera në rrugëtimin e tyre muzikor.