Mbi 666 shekuj burgim politik kanë vuajtur shqiptarët në Kosovë gjatë ish-Jugosllavisë.
Gjithsej 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burgim politik vuajtën shqiptarët gjatë asaj periudhe, thuhet në librin “Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, të autores Sabile Keçmezi-Basha.
Ky libër u botua në vitin 2009 nga shtëpia botuese “Logos-A”, në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, dhe trajton periudhën e okupimit të Kosovës nga Serbia dhe ish-Jugosllavia, duke u përqendruar kryesisht te të burgosurit politikë shqiptarë.
Autorja e librit, Sabile Keçmezi-Basha, në një intervistë për KosovaPress, tha se gjatë viteve 1945-1990 u dënuan me burgim të rëndë politik gjithsej 9 mijë e 220 shqiptarë, të cilëve iu shqiptuan 66 mijë e 672 vjet e 7 muaj burgim.
Keçmezi-Basha tha se mesatarja e dënimeve me burgim ishte 7 vjet e 1 muaj, ndërsa gjatë kësaj periudhe u dënuan gjithashtu 1 mijë e 346 ushtarë shqiptarë, prej të cilëve 63 u vranë në kazermat ushtarake.
“Vetëm në burgje shqiptarët ishin shumicë. Nga viti 1945 deri në vitin 1990 u dënuan me burgim të rëndë mbi 7.684 + 1.536 persona, të cilëve iu shqiptuan mbi 66.672 vjet e 7 muaj burgim, apo, të shndërruara në shekuj, shqiptarët gjatë regjimit të egër jugosllav kaluan në burgje 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj. Sipas analizës së të dhënave, mesatarja e dënimeve me burgim që u ishin shqiptuar shqiptarëve për ‘vepra penale politike’ ishte 7 vjet e 1 muaj. Nëse kjo mesatare e dënimeve shumëzohet me 3.348 veta, që ishin dënuar gjatë viteve 1981-1990, del se vetëm në këtë periudhë shqiptarëve u ishin shqiptuar rreth 23.770,8 vjet burgim”, tha Keçmezi-Basha.
Autorja bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 1981, 5 gjykata organizuan mbi 36 procese gjyqësore, në të cilat u dënuan mbi 297 shqiptarë, me dënime nga 1,6 deri në 15 vjet burgim.
Ndërkohë, sipas saj, nga marsi i vitit 1981 deri në tetor të vitit 1989, policia serbe trajtoi mbi 580 mijë shqiptarë, ndaj të cilëve u ushtrua dhunë, nga kërcënimet deri te rrahjet që shkaktonin humbje të vetëdijes.
“Vetëm gjatë vitit 1981 (sipas të dhënave të shtypit), kuptohet pas 11 marsit, në mbarë Kosovën, gjykatat e qarkut në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë organizuan mbi 36 procese gjyqësore politike, në të cilat u dënuan mbi 297 veta, me 1,6 deri në 15 vjet burgim të rëndë. Nga policia, prej marsit 1981 deri në tetor 1989, u trajtuan 584.373 shqiptarë”, shtoi ajo.
Për librin prej 600 faqesh, hulumtimi u mbështet në burime arkivore, literaturë shkencore, historike dhe dokumentare. Përveç këtyre burimeve, në hulumtim kontribuuan edhe ish-të burgosur politikë, të cilët rrëfyen përvojat e tyre për autoren. Libri pati interesim të madh, ndërsa brenda 1 muaji nga botimi u shitën të gjitha kopjet në librari.
“Krahas burimeve arkivore, hulumtimi është mbështetur edhe në literaturë shkencore, historike dhe dokumentare, e cila ka shërbyer për plotësimin, krahasimin dhe kontekstualizimin e të dhënave të mbledhura. Një kontribut të veçantë në realizimin e këtij studimi kanë dhënë edhe vetë ish-të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët, përmes gatishmërisë për bashkëpunim, dëshmive personale dhe dokumentacionit që kishin në dispozicion, kanë ndihmuar në pasurimin e bazës burimore të hulumtimit”, theksoi Keçmezi-Basha.
Edhe pse tashmë kanë kaluar afro 20 vjet nga publikimi, autorja thekson se interesimi për librin vazhdon të mbetet i njëjtë.
“Edhe sot, pothuajse 2 dekada pas botimit, interesimi për këtë vepër vazhdon të mbetet i pranishëm. Kjo dëshmohet përmes kërkesave të vazhdueshme të lexuesve, të cilët më kontaktojnë për të marrë informacione dhe për të shqyrtuar mundësinë e sigurimit të një ekzemplari të librit”, përfundoi autorja e librit, Sabile Keçmezi-Basha.
Të burgosurve politikë shqiptarë, përveç librave, u janë kushtuar edhe emisione e dokumentarë të shumtë. Teksti i plotë në sistemin me parapagim.