Murat Meha kërkon 200 mijë euro dëmshpërblim nga Gani Dreshaj/ Kërkohet bartja e materialit nga USB në CD

Lajme

Murat Meha kërkon 200 mijë euro dëmshpërblim nga Gani Dreshaj/ Kërkohet bartja e materialit nga USB në CD

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

 Gjykatësi Migjen Kastrati ka kërkuar nga i autorizuari i paditësit Murat Meha, avokati Gjuran Dema, që materiali i vendosur në USB të bartet në CD, në mënyrë që i njëjti të dëgjohet dhe shikohet në seancën e radhës.

Në këtë rast, Meha po kërkon nga ish-deputetit Gani Dreshaj 200 mijë euro dëmshpërblim, me arsyetimin se ky i fundi ka shpifur për të, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Kastrati një vendim të tillë e ka marrë në seancën e së mërkurës, pasi paraprakisht konstatoi se nuk ka pasur kushte teknike që materiali i propozuar si provë në formë të USB-së, të dëgjohet dhe shikohet.

“Avokatit të paditësit, USB e dorëzuar në seancën e 24 qershorit 2021, i kthehet për arsye se i njëjti përmbajtjen e USB-së duhet ta bartë në CD në dy kopje, në mënyrë që për seancën e radhës CD-ja me këtë përmbajtje të dëgjohet dhe shikohet në prezencë të autorizuarve të palëve ndërgjyqëse.”, ka thënë gjykatësi Kastrati.

Ndërkaq seanca e radhës në këtë çështje juridiko-civile është caktuar të mbahet më 24 nëntor 2021, nga ora 13:30.

Sipas padisë së ushtruar më 24 maj 2017, Murat Meha po kërkon nga i padituri Gani Dreshaj dëmshpërblim për shpifje, në vlerën 200 mijë euro.

Sipas padisë, i padituri Dreshaj përmes mjeteve informuese, “RTV Dukagjini” dhe lajmeve në portale të internetit, më 3 maj 2017 ka përhapur lajme të pavërteta për të kaluarën e paditësit Meha, për aftësitë e tij profesionale e njerëzore dhe për familjen e tij.

Aty thuhet se Dreshaj, në rubrikën “Intervista” të RTV Dukagjini, duke u përgjigjur lidhur me pyetjet për caktimin e vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, ka shpifur në dëm të paditësit ku ky i fundit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte caktuar kryetar i Komisionit për caktimin e kufirit.

Në padi thuhet se ai ka deklaruar se “Ne dimë bjeshkën pllamë për pllamë dhe e dimë ku na ka ndalur policia kur kemi shkuar te pobratimat tanë në Rozhajë. Kur kemi shku atje na ka ndalë polici Deniq e Meta. Për demarkacionin askush nuk na ka thanë se ai duhet të jetë te kjo vijë. Sa për çështjen kush e ka udhëhequr demarkacionin, në fillim ishte një djal i Istogut shumë i ndershëm që nuk du me ia përmend emrin”.

Tutje citohet të ketë thënë se kanë qarkulluar shumë emra, por në komision është zotëri Gorani, të cilit kishte thënë se më tutje nuk dëshiron t’ia përmend emrin.

“Ai zoti Gorani është tërhequr me dëshirën e Murat Mehës me e-mailat që ia ka dërgu komisionit të Malit të Zi, për me e heq si i padëshirueshëm për mirëkuptim se nuk i ka shku loja Muratit. Se ai ka dashtë edhe ka rrjedha tjetërkund, ka ditë anën e terenit, e asht njeri i shkolluar i Istogut dhe potencial dhe i është kthyer E-maili se ky njeri (v.e paditësit Gorani), është i padëshirueshëm në këtë komision”, thuhet të ketë deklaruar Dreshaj.

Tutje siç thuhet në padi, nga përgjigjet e të paditurit në pyetjet e intervistuesit, në mjetin informativ, lajme, emisioni “Infobox” në RTV Dukagjini, me 3 maj 2017, ora 19:57 dhe lajmet net në ora 22:13, qëndron titulli: “Dreshaj: Murat Meha është tradhtar, ka vile në Mal të Zi”, që nëntitull ka konstatimin: Gani Dreshaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së ka akuzuar rëndë kryetarin e Komisionit për përcaktimin e demarkacionit me Malin e Zi, Murat Mehën, se ka montuar që nga ky komision të largohen anëtarë të ndershëm.

Tutje, i padituri thuhet se vazhdon: “Murat Meha për para është gati ta shesë edhe babanë e tij dhe se sipas tij ka edhe vilë në Mal të Zi, se nuk e di kënd e ka mbështetje, nuk mund të kalkulojë, por unë Murat Mehës i besoj gjithçka që bën për interesin e vet e bën dhe bën vaki se ka edhe vilë në Mal të Zi dhe më në fund deklaron se këtë nuk e kam për fakt, por me të dëgjuar që kam, që po”.

Gjithnjë sipas padisë, fjalët dhe fjalitë shpifëse të paraqitura në padi nga ana e të paditurit, kundër paditësit, paraqesin cenim të integritetit dhe dinjitetit të paditësit në rrethin me të ngushtë dhe të gjerë.

Kështu, paditësi po kërkon nga gjykata që padia e tij të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet i padituri Dreshaj që në emër të kompensimit të dëmit jomaterial, cenim të personalitetit, paditësit t’ia paguajë shumën prej 200 mijë euro, me kamatë ligjore, duke e llogaritur nga 3 maji 2017 e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore.

Të gjitha këto ai i ka kërkuar në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim të ekzekutimit të dhunshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat