Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit deri në 30 ditë dhe ka lëshuar fletarrestim për Milan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Vendimi i gjykatës erdhi pasi Radoiçiqi nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd, siç e kishte detyrim sipas masës së caktuar më herët. Ai ishte i obliguar të paraqitej në polici më datat 1 dhe 15 të çdo muaji. Sipas autoriteteve gjyqësore serbe, masa e paraburgimit u caktua për shkak të rrethanave që tregojnë se ai mund të jetë në arrati. Ndërkohë, raportimet për largimin e tij të mundshëm drejt Rusisë kanë shtuar pikëpyetjet për vendndodhjen e tij.
Megjithatë, pavarësisht këtij zhvillimi, Serbia ende nuk ka ngritur aktakuzë për rastin e Banjskës. Kryeprokurori serb, Nenad Stefanoviq, ka deklaruar se autoritetet nuk kanë pranuar provat që i kanë kërkuar nga Kosova përmes EULEX-it. Ndërkaq, Radoiçiqi vazhdon të jetë nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd për dyshimet lidhur me sulmin dhe veprat penale që lidhen me furnizimin e paligjshëm me armë.
A përbën fletarrestimi një hap real drejt drejtësisë apo është vetëm një veprim procedural? Pse Serbia ende nuk ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë dhe a po e shmang Beogradi përgjegjësinë për rolin e Radoiçiqit dhe grupit të tij? Çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare që përgjegjësit të dalin para drejtësisë?
Për këto çështje, për “Bota sot” kanë folur eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, dhe juristi Blerim Burjani.
Dashevci: Beogradi po e shmang përgjegjësinë për Banjskën, nevojitet presion ndërkombëtar
Fillimisht, lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd për caktimin e paraburgimit dhe lëshimin e fletarrestimit për Milan Radoiçiqin, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, e konsideron këtë një hap drejt drejtësisë, por shpreh dyshime se Serbia do ta dorëzonte atë te institucionet e Kosovës edhe në rast se do të arrestohej.
Duke komentuar zhvillimet në Serbi, Dashevci përmend edhe ndryshimet politike dhe qëndrimin e Listës Studentore ndaj Kosovës.
“Gjykata e Lartë atje në Beograd ka caktuar paraburgim 30-ditor. Dhe ky hap po ndërmerret tash pas ardhjes në pushtet të Listës Studentore atje. Pra, unë mendoj që ai po kërkohet për të bëmat që i ka bërë në Serbi, me krimin dhe korrupsionin dhe shumë vepra të tjera penale në Serbi”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet gjyqësore serbe, vendimi për paraburgim dhe fletarrestim lidhet me mosparaqitjen e Radoiçiqit në polici më 15 nëntor, në kuadër të procedurës penale që zhvillohet ndaj tij për rastin e Banjskës.
Duke folur për raportimet se Radoiçiqi mund të jetë larguar drejt Rusisë, Dashevci thotë se ekzistojnë pikëpyetje për vendndodhjen e tij.
“Ai nuk iu bind detyrimit për t'u paraqitur në polici më 15 nëntor, ndërsa raportimet për largimin e tij të mundshëm drejt Rusisë kanë shtuar pikëpyetjet për vendndodhjen e tij dhe supozohet, sipas mediave të hapura, se mund të ketë ikur ndoshta në Rusi, mu sikurse Veselinoviqi”, deklaroi ai.
Sa i përket mundësisë që Radoiçiqi të përballet me drejtësinë në Kosovë, eksperti vlerëson se edhe në rast të arrestimit të tij nga autoritetet serbe, dorëzimi te institucionet e Kosovës mbetet i vështirë.
“Natyrisht se fletarrestimi është një hap real drejt drejtësisë, sepse, siç e ceka, ai kërkohet atje për shumë vepra të rënda penale. Por unë mendoj që edhe nëse kapet, Serbia nuk ua dorëzon organeve tona, sepse në qasje me Kosovën kjo Listë Studentore ka qëndrim të njëjtë, mu sikurse establishmenti i kaluar. Ata nuk na njohin si shtet”, u shpreh Dashevci.
Duke u ndalur te mungesa e aktakuzës për sulmin në Banjskë, Dashevci thekson se Beogradi po e shmang përgjegjësinë për këtë ngjarje dhe se nevojitet presion i shtuar ndërkombëtar.
“Serbia nuk ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë, për qëllimet e saj të brendshme dhe nevojitet presion i madh ndërkombëtar që ta bëjë atë. Pa presion ndërkombëtar, unë mendoj që nuk do ta ngrejë këtë aktakuzë dhe Serbia do ta zvarrisë aq sa mundet”, theksoi eksperti.
Ai vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë përgjegjësi konkrete nga Serbia dhe të përdorë edhe masa ndëshkuese nëse përgjegjësit nuk dalin para drejtësisë.
“Beogradi po e shmang përgjegjësinë për rolin e Radoiçiqit dhe grupit të tij në sulmin ndaj Kosovës, dhe vetëm trysnia ndërkombëtare e ndryshon këtë qëndrim atje. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta sanksionojë Serbinë me sanksione nëse përgjegjësit nuk dalin para drejtësisë, dhe kjo duhet të jetë edhe kusht parësor për integrimin e atij shteti në BE”, përfundoi Dashevci.
Burjani: Ndjekja e Radoiçiqit mund të jetë akt procedural, Serbia nuk e cilëson Banjskën si sulm terrorist
Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani vlerëson se Serbia deri më tani nuk e ka kualifikuar sulmin në Banjskë si akt terrorist, ndonëse ngjarja përfundoi me vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Sipas tij, vlerësimi i Beogradit për këtë ngjarje është i ndryshëm, ndërsa ndjekja e Radoiçiqit mund të jetë një veprim procedural ose pasojë e ndryshimeve politike në Serbi.
“Deri më tani, Serbia nuk e ka kualifikuar si akt terrorist sulmin në Banjskë. Vlerësimi i Beogradit për këtë ngjarje është i ndryshëm, ndonëse bëhej fjalë për një sulm të plotë dhe shumë të rrezikshëm terrorist, i cili pati për pasojë vrasjen e një polici të Kosovës”, u shpreh Burjani.
Duke komentuar vendimin për paraburgimin dhe fletarrestimin, juristi nuk përjashton mundësinë që ky të jetë një veprim procedural, por as ndikimin e ndryshimeve politike në Serbi.
“Mund të jetë edhe një akt procedural ndjekja e Radoiçiqit, por edhe pasojë e ndryshimit të pushtetit. Ai nuk e ka mbrojtjen nga Lista Studentore serbe, prandaj nuk ka garanci se nuk do të arrestohet, gjykohet dhe dënohet”, deklaroi ai.
Në fund, Burjani vlerëson se Radoiçiqi mund të tentojë të largohet nga Serbia për t'iu shmangur ndjekjes penale.
“Pra, dilema dhe tentativa e tij do të jetë ikja nga Serbia”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.