Community Development Fund (CDF) ka lansuar fushatën “Dorë për dore”, një nismë që synon të mobilizojë qytetarët, bizneset, filantropët, diasporën, mediat dhe institucionet për të mbështetur shërbimet komunitare të shëndetit publik në Kosovë, përfshirë ato për HIV-in, Tuberkulozin, IST dhe sëmundje të tjera.
Me mesazhin “Kujdesi na bashkon. Përgjegjësia na takon.”, fushata synon të nxisë një angazhim më të gjerë shoqëror për të mbështetur shërbimet shëndetësore pranë komuniteteve dhe për të promovuar një kulturë kujdesi, solidariteti dhe komunikimi pa paragjykim.
Një kontroll shëndetësor në kohë, një bisedë pa paragjykim apo një shërbim pranë shtëpisë mund të bëjnë ndryshim të rëndësishëm në jetën e një individi. Përmes kësaj fushate, CDF synon të tërheqë vëmendjen te rëndësia e këtyre shërbimeve dhe nevoja për mbështetje të vazhdueshme.
“Dorë për dore” mbështetet në idenë se secili ka rol në kujdesin për shëndetin e komunitetit. Kontributi nuk kufizohet vetëm në mbështetje financiare. Ai përfshin edhe informimin, ndarjen e kohës, komunikimin pa paragjykim dhe angazhimin për t'i mbajtur shërbimet shëndetësore sa më pranë njerëzve që kanë nevojë për to.
Kujdesi na bashkon. Përgjegjësia na takon.