Paralajmërimi amerikan për festat, a duhet të shqetësohet Kosova? Ekspertët kërkojnë vigjilencë të shtuar

Politika

Paralajmërimi amerikan për festat, a duhet të shqetësohet Kosova? Ekspertët kërkojnë vigjilencë të shtuar

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 nëntor 2026 Në ora: 08:04
Ambasada Amerikane

Paralajmërimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për sigurinë gjatë sezonit të festave nuk identifikon ndonjë kërcënim konkret ndaj Kosovës, por u drejtohet shtetasve amerikanë në Evropë në përgjithësi.

Në deklaratën e publikuar më 16 nëntor, Ambasada Amerikane ka paralajmëruar për rreziqet e mundshme në tubimet e mëdha, tregjet festive, qendrat tregtare, nyjet e transportit dhe objektet fetare, duke përmendur edhe mundësinë e sulmeve nga individë që veprojnë të vetëm.

“Grumbullimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të paraqesin objektiva të mundshme për grupet terroriste dhe kriminelët. Terroristët, përfshirë individët që veprojnë të vetëm, mund të kryejnë sulme me pak ose aspak paralajmërim”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Paralajmërime me përmbajtje të ngjashme janë publikuar edhe nga ambasadat amerikane në disa vende të tjera të Evropës dhe Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Slloveninë, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Në këto njoftime, si shtrirje gjeografike është përcaktuar Evropa, çka tregon se bëhet fjalë për një paralajmërim të përgjithshëm për sezonin e festave dhe jo për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës.

Megjithatë, ky paralajmërim ka rikthyer vëmendjen te siguria në vend dhe te gatishmëria e institucioneve për t'u përballur me kërcënimet e mundshme.

Për të marrë një qëndrim zyrtar lidhur me paralajmërimin dhe masat eventuale të sigurisë gjatë festave, kemi kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Në prononcime për “Bota sot”, ekspertët e sigurisë kanë vlerësuar se paralajmërimi duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës, por nuk duhet të shkaktojë panik te qytetarët. Sipas tyre, njoftimi duhet të shërbejë si nxitje për shtimin e vigjilencës, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e masave parandaluese, veçanërisht për mbrojtjen e hapësirave publike dhe infrastrukturës kritike.

Racaj: Paralajmërimi amerikan duhet marrë seriozisht, por jo të shkaktojë panik

Image
Muhamet Racaj

Profesori dhe gjeneralmajori Muhamet Racaj ka vlerësuar se paralajmërimi amerikan duhet të trajtohet si sinjal për rritjen e vigjilencës institucionale dhe qytetare gjatë sezonit të festave, pa krijuar shqetësim të panevojshëm te qytetarët.

Sipas tij, njoftimi nuk nënkupton domosdoshmërisht ekzistimin e një kërcënimi konkret dhe të konfirmuar ndaj Kosovës, por as nuk duhet të nënvlerësohet.

“Paralajmërimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë duhet të interpretohet si një masë parandaluese dhe si sinjal për rritjen e vigjilencës institucionale dhe qytetare gjatë sezonit të festave. Ky paralajmërim nuk nënkupton domosdoshmërisht se ekziston një kërcënim konkret dhe i konfirmuar, por as nuk duhet të nënvlerësohet.

Në prononcimet e mia gjatë vitit të kaluar kam theksuar vazhdimisht se institucionet e sigurisë, në bashkëpunim me qytetarët, duhet të angazhohen për parandalimin e çdo befasi nga aktet terroriste, veçanërisht gjatë festave, kur ka grumbullime të mëdha të njerëzve në hapësira publike.

Fatkeqësisht, sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të kanalit Ibër-Lepenc, në zonën e Ujmanit, dëshmoi se kërcënimet ndaj sigurisë nuk janë hipotetike dhe se objektivat kritike kërkojnë mbrojtje të vazhdueshme”, ka thënë ai.

Racaj ka theksuar se paralajmërimi amerikan lidhet me sezonin e festave në Evropë dhe nuk është i kufizuar vetëm në Kosovë. Megjithatë, ai konsideron se institucionet vendore duhet të ndërmarrin masa parandaluese, pa pritur që një kërcënim të bëhet real.

“Duhet theksuar se paralajmërimi amerikan nuk është i kufizuar vetëm për Kosovën, por lidhet me sezonin e festave në Evropë. Sipas informacioneve të publikuara, nuk është bërë e ditur ndonjë kërcënim konkret ndaj Kosovës. Megjithatë, institucionet tona nuk duhet të presin që kërcënimi të bëhet real për të ndërmarrë masa parandaluese.

Kosova ka arsye të jetë e kujdesshme, sidomos duke pasur parasysh cenueshmërinë e infrastrukturës kritike, përvojën e sulmit në Ibër-Lepenc dhe rreziqet që mund të vijnë nga individë apo grupe të organizuara”, ka nënvizuar Racaj.

Sa u përket masave konkrete, ai ka kërkuar bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve të sigurisë, shkëmbim të informacioneve dhe shtim të kontrolleve në hapësirat ku pritet të ketë grumbullime të qytetarëve.

“Policia e Kosovës, AKI-ja dhe institucionet e tjera të sigurisë duhet të forcojnë bashkëpunimin, shkëmbimin e informacioneve dhe masat e sigurisë në qendrat tregtare, objektet fetare, sheshet dhe tubimet publike. Po aq i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me qytetarët, të cilët duhet të raportojnë çdo veprim apo dukuri të dyshimtë.

Përfundimisht, siguria nuk ndërtohet me panik, por me profesionalizëm, inteligjencë dhe parandalim. Festat duhet t'i presim të qetë, por institucionet duhet të jenë në gatishmëri të shtuar. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet: duhet të jetojmë sikur lufta të mos ndodhë kurrë, por të përgatitemi sikur rreziqet mund të shfaqen nesër”, ka përfunduar Racaj për “Bota sot”.

Elezi: Kosova nuk ka nevojë për panik, por për vigjilencë dhe koordinim institucional

Image
Bedri Elezi

Edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka vlerësuar se paralajmërimi amerikan duhet të shihet në kontekstin më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare dhe të shtimit të masave parandaluese gjatë festave të fundvitit.

Sipas tij, ky njoftim nuk përbën dëshmi për ekzistimin e një kërcënimi të drejtpërdrejtë terrorist ndaj Kosovës, por duhet të shërbejë si nxitje për rritjen e gatishmërisë institucionale.

“Paralajmërimi amerikan për sigurinë nuk duhet nënvlerësuar, por as të interpretohet si dëshmi se Kosova ka një kërcënim të drejtpërdrejtë terrorist.

Paralajmërimet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë duhet të analizohen në një kontekst më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara, në prag të festave të fundvitit, tradicionalisht shtojnë masat e kujdesit dhe paralajmërojnë qytetarët e tyre për rreziqet e mundshme në hapësirat publike. Kjo praktikë lidhet edhe me përvojën e hidhur të sulmeve terroriste që kanë ndodhur në të kaluarën gjatë festave, tregjeve festive dhe tubimeve masive në vende të ndryshme të Evropës”, ka theksuar ai.

Elezi ka tërhequr vëmendjen te rreziku që mund të paraqesin individët që veprojnë të vetëm, të cilët mund të radikalizohen përmes propagandës ekstremiste dhe komunikimit në internet, pa pasur domosdoshmërisht lidhje të drejtpërdrejta me organizata terroriste.

“Duhet të kuptohet se festat e fundvitit krijojnë një koncentrim të madh të njerëzve në qendra tregtare, tregje festive, objekte fetare, aeroporte dhe hapësira publike. Për organizatat terroriste, por edhe për individët radikalë që veprojnë të vetëm, këto hapësira mund të konsiderohen objektiva të cenueshme, pikërisht për shkak të numrit të madh të qytetarëve dhe vështirësisë për të parandaluar çdo veprim kriminal.

Në këtë rast, një element shumë i rëndësishëm është përmendja e mundësisë së sulmeve nga individë të vetëm, të ashtuquajturit Lone Actors. Këta persona mund të mos kenë domosdoshmërisht lidhje të drejtpërdrejta organizative me ndonjë grup terrorist, por mund të radikalizohen përmes propagandës ekstremiste, komunikimit online apo ndikimeve ideologjike. Pikërisht identifikimi dhe parandalimi i këtyre individëve para se të ndërmarrin veprime është një prej sfidave më të vështira për institucionet e sigurisë”, ka shpjeguar ai.

Duke folur për situatën në Kosovë, Elezi ka theksuar se paralajmërimi i publikuar më 16 nëntor 2026 u referohet qytetarëve amerikanë në Evropë në përgjithësi dhe nuk identifikon ndonjë kërcënim apo objektiv konkret në vend.

“Sa i përket Kosovës, është e rëndësishme të theksohet se paralajmërimi i publikuar më 16 nëntor 2026 i referohet sigurisë së qytetarëve amerikanë në Evropë në përgjithësi dhe, në vetvete, nuk identifikon ndonjë kërcënim konkret apo objektiv të caktuar në Kosovë. Prandaj, nuk do të ishte profesionale që ky njoftim të interpretohej si konfirmim i një plani konkret për sulm terrorist në vendin tonë.

Megjithatë, Kosova nuk mund ta konsiderojë veten të përjashtuar nga rreziqet e terrorizmit. Pozita jonë gjeografike, zhvillimet e sigurisë në rajon, ndikimet e ekstremizmit ndërkombëtar dhe dinamika e radikalizimit janë faktorë që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme institucionale.

Shqetësimi im kryesor nuk është vetë paralajmërimi amerikan, por mënyra se si institucionet tona e përkthejnë këtë paralajmërim në masa konkrete parandaluese”, ka potencuar Elezi.

Ai ka kërkuar koordinim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, institucioneve të drejtësisë dhe mekanizmave të emergjencave. Sipas tij, prania policore në hapësirat publike duhet të shoqërohet me analiza të rrezikut, shkëmbim të inteligjencës dhe identifikim të hershëm të kërcënimeve.

“Policia e Kosovës, AKI-ja, institucionet e drejtësisë dhe mekanizmat e emergjencave duhet të kenë një koordinim të vazhdueshëm operacional, veçanërisht gjatë periudhave kur ka grumbullime të mëdha të qytetarëve. Nuk mjafton vetëm prania e policisë në sheshe apo qendra tregtare. Nevojitet analizë e rrezikut, shkëmbim i inteligjencës, identifikim i hershëm i sjelljeve të dyshimta, mbikëqyrje e hapësirave me frekuentim të lartë dhe gatishmëri për reagim të menjëhershëm.

Në këtë drejtim, duhet të kemi parasysh se parandalimi i terrorizmit nuk matet me numrin e policëve që shohim në rrugë, por me kapacitetin e institucioneve për të identifikuar, analizuar dhe neutralizuar një kërcënim para se ai të shndërrohet në tragjedi.

Do të ishte e papranueshme që institucionet tona të presin një alarm të dytë apo një ngjarje tragjike për të filluar koordinimin dhe aktivizimin e mekanizmave të sigurisë”, ka vlerësuar ai.

Në përfundim, Elezi ka thënë se paralajmërimi amerikan duhet të shfrytëzohet për të testuar gatishmërinë e institucioneve, për të rishikuar planet emergjente dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos krijojnë panik dhe të vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme, por të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë.

“Unë konsideroj se ky paralajmërim duhet të shërbejë si një mundësi për të testuar gatishmërinë institucionale, për të rishikuar planet e reagimit emergjent dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.

Qytetarët nuk duhet të krijojnë panik dhe as të heqin dorë nga aktivitetet e tyre të përditshme. Por duhet të jenë të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo situatë realisht të dyshimtë tek institucionet kompetente.

Në fund, dua të theksoj një parim themelor të sigurisë:

Terrorizmi nuk paralajmëron gjithmonë se ku dhe kur do të godasë. Por shteti duhet të jetë gjithmonë i përgatitur që të mos lejojë që një paralajmërim të shndërrohet në një tragjedi.

Kosova nuk ka nevojë për panik, por ka nevojë për vigjilencë, inteligjencë profesionale, koordinim institucional dhe përgjegjësi të plotë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”, ka përfunduar Elezi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat