Radoiçiqi në kërkim dhe dyshimet për arratisjen në Rusi, avokati serb akuzon Vuçiqin: Pengoi drejtësinë!

Politika

Radoiçiqi në kërkim dhe dyshimet për arratisjen në Rusi, avokati serb akuzon Vuçiqin: Pengoi drejtësinë!

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 12:04
Çedomir Stojkoviq

Sulmi në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, vazhdon të mbetet pa një përgjigje të plotë nga drejtësia serbe. Ndonëse Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit dhe ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin, ndaj tij ende nuk është ngritur aktakuzë për organizimin e këtij sulmi. Ndërkohë, raportimet për arratisjen e tij të mundshme drejt Rusisë kanë ngritur pikëpyetje të reja për përgjegjësinë e Beogradit.

Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur avokati serb Çedomir Stojkoviq. Ai vlerëson se fletarrestimi për Millan Radoiçiqin është vetëm një formalitet procedural dhe akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiq se po pengon zbardhjen e plotë të përgjegjësisë për sulmin në Banjskë.

Stojkoviq thekson se autoritetet serbe kanë pasur mundësi ta trajtojnë rastin shumë më herët, por, sipas tij, nuk kanë pasur vullnet për ta çuar përpara procedurën penale.

“Lëshimi i fletarrestimit për Radoiçiqin është thjesht një formalitet, që vjen si pasojë e zbatimit automatik të ligjit, pasi ai nuk u paraqit në kohën e caktuar në stacionin policor, ashtu siç e kishte urdhëruar gjykata. Por kjo dëshmon se asnjëherë nuk ka pasur një procedurë penale me qëllim që ajo të zhvillohej realisht. Njerëz kanë humbur jetën. Radoiçiqi është filmuar publikisht me sasi të mëdha armësh. Vetëm kjo do të mjaftonte për një dënim të gjatë me burg. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, ai u la i lirë, ndonëse, sipas vlerësimit tim, në raste të tilla paraburgimi është i detyrueshëm. E tani ai është arratisur. Kjo është një tallje me procedurën penale”, deklaron Stojkoviq për “Bota sot”.

Duke folur për arsyet pse Serbia ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit për organizimin e sulmit në Banjskë, avokati serb drejton akuza të drejtpërdrejta ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, vendimi për të mos e proceduar penalisht Radoiçiqin lidhet me përpjekjen për të mbrojtur udhëheqjen politike serbe nga përgjegjësia e mundshme për këtë sulm.

“Serbia nuk e akuzoi Radoiçiqin, sepse Aleksandar Vuçiqi, si qendra e pushtetit, e ndaloi një gjë të tillë. Sipas meje, arsyeja e vetme pse u iniciua çfarëdo lloj procedure ishte përpjekja e Vuçiqit për ta shuar zjarrin politik ndërkombëtar që ishte krijuar pas kësaj ngjarjeje. Ai asnjëherë nuk ka dashur që Radoiçiqi të akuzohej, sepse ishte vetë Vuçiqi, në cilësinë e presidentit të Serbisë, ai që urdhëroi organizimin e sulmit në Banjskë”, shprehet ai.

Stojkoviq pretendon se asnjë veprim i ushtrisë serbe dhe asnjë trajnim nuk mund të zhvillohej pa miratimin e Vuçiqit, i cili në atë kohë ishte komandant suprem i ushtrisë. Ai shton se edhe shërbimi informativ serb, BIA, nuk mund të ndërmerrte veprime pa dijeninë e tij.

Sipas avokatit, një proces gjyqësor publik do të mundësonte zbardhjen e rrethanave të organizimit të sulmit dhe të rolit të mundshëm të institucioneve shtetërore serbe.

“Nëse do të niste gjykimi, ai do të ishte publik dhe shumë gjëra do të vërtetoheshin si fakte gjyqësore. Për shembull, se Banjskë ishte një sulm i organizuar nga shërbimet e sigurisë së Serbisë kundër Kosovës. Mungesa e aktakuzës është një përpjekje për ta fshehur këtë të vërtetë”, deklaron Stojkoviq.

Ai i cilëson të pavërteta edhe arsyetimet e autoriteteve serbe se mungesa e aktakuzës lidhet me mosdorëzimin e disa provave nga Kosova përmes EULEX-it. Sipas tij, deklarimi publik i Radoiçiqit se merrte përgjegjësinë për organizimin e sulmit do të duhej të ishte bazë për zhvillimin e mëtejshëm të procedurës.

“Arsyetimet e dhëna nga gjyqësori në Serbi, se Radoiçiqi nuk është akuzuar për shkak se EULEX-i nuk ka dorëzuar disa dokumente, janë të pavërteta. E vërteta është krejt e kundërta: gjyqësori kishte dhe ende i ka të gjitha provat e nevojshme për ta dënuar Radoiçiqin, pasi vetë ai deklaroi se ishte përgjegjës për Banjskën. Ai e bëri këtë deklaratë, sepse, sipas meje, kishte një marrëveshje me Vuçiqin që të merrte përgjegjësinë mbi vete, në mënyrë që ta mbronte atë”, thotë avokati.

Stojkoviq kritikon edhe punën e prokurorisë serbe që po merret me rastin, duke pretenduar se procesi hetimor po përdoret si mbulesë për të mos ngritur aktakuzë. Ai kërkon që përgjegjësi të japin edhe zyrtarët që, sipas tij, kanë ndikuar në këtë proces.

“Gjyqësori i Serbisë i kishte dhe vazhdon t’i ketë të gjitha ato që nevojiten për ta dënuar Radoiçiqin. Por dua të rikujtoj se kryeprokurori i prokurorisë që po e zhvillon hetimin, të cilin e cilësoj si një mbulesë, është pikërisht personi për emërimin e të cilit kishte lobuar Aleksandar Vulin. Prandaj, atij prokurori i është dhënë urdhër që të mos ngrejë aktakuzë. Dhe pikërisht për këtë ai duhet të japë llogari, nëse qeveria e re dëshiron ndryshime të vërteta”, shprehet Stojkoviq.

Më tej, avokati vlerëson se Beogradi po përpiqet t'i shmanget përgjegjësisë për sulmin në Banjskë, duke mos e çuar çështjen deri në një vendim gjyqësor. Ai thekson se, sipas tij, sulmi nuk ishte veprim i një grupi të pavarur kriminal, por ishte i koordinuar me shërbimet e sigurisë së Serbisë.

“Nëse nuk ka aktgjykim, nuk ka as përgjegjësi formale juridike. Kështu ka menduar regjimi i Vuçiqit. Natyrisht, kjo nuk është e vërtetë. Përgjegjësia ekziston, sepse nuk bëhej fjalë për ndonjë qytetar të rebeluar, i cili kishte organizuar ndonjë bandë kriminale. Bëhej fjalë për një sulm të koordinuar me shërbimet e sigurisë së Serbisë. Pikërisht mungesa e aktakuzës ndaj Radoiçiqit e konfirmon më së miri këtë, sipas meje. Përndryshe, Radoiçiqi do të ishte arrestuar menjëherë sapo ishte kthyer në Serbi pas ngjarjeve në Banjskë. Në vend të kësaj, policia serbe dhe BIA e ndihmuan të largohej nga Kosova”, deklaron ai.

Duke folur për rolin e bashkësisë ndërkombëtare, Stojkoviq kërkon që presioni ndaj autoriteteve serbe të përqendrohet në zbatimin e sundimit të ligjit dhe në zbardhjen e plotë të rastit të Banjskës. Sipas tij, qeveria e re në Serbi duhet ta dëshmojë vullnetin për ndryshim duke siguruar zhvillimin e plotë të procedurës ndaj Radoiçiqit.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë zbatimin e sundimit të ligjit në Serbi. Kërkesa për sundimin e ligjit ishte ajo që çoi në ndryshimin e qeverisë. Që çdo qeveri të dëshmojë se dëshiron të qeverisë, fillimisht duhet të këmbëngulë që procedura ndaj Radoiçiqit të zhvillohet plotësisht”, thekson ai.

Megjithatë, avokati pretendon se Radoiçiqi tashmë ndodhet në Rusi dhe se largimi i tij nga Serbia është mundësuar nga shërbimet sekrete të të dy vendeve, si dhe nga mosveprimi i gjyqësorit serb. Ai paralajmëron se kthimi i tij për t'u përballur me drejtësinë mund të jetë i vështirë.

“Radoiçiqi ndodhet në Rusi. Ai u arratis nga Serbia gjatë ndryshimit të pushtetit dhe, sipas meje, shërbimet sekrete ruse dhe serbe e ndihmuan në këtë. Pa atë ndihmë, ai nuk do të kishte mundur të arratisej. E ndihmoi edhe gjyqësori i Serbisë, i cili nuk e vendosi në paraburgim, ndonëse, sipas vlerësimit tim, ligji e obligonte ta bënte këtë. Kushdo që i shpëton drejtësisë në Rusi, nuk kthehet më në vendin nga i cili është arratisur. Rusia, sigurisht, nuk do ta dorëzojë atë”, deklaron Stojkoviq.

Në përfundim, ai kërkon që bashkësia ndërkombëtare të mos kufizohet vetëm te kërkesa për arrestimin e Radoiçiqit, por të kërkojë edhe përgjegjësi për personat që, sipas tij, e ndihmuan të largohej dhe t'i shmangej drejtësisë.

“Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë që të sanksionohen edhe personat përgjegjës për arratisjen e tij, sepse edhe kjo është çështje e sundimit të ligjit. Kushdo që e ndihmon një person të dyshuar për krime t’i shmanget drejtësisë, mban përgjegjësi edhe vetë”, përfundon Çedomir Stojkoviq për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat