Tre bashkëpunëtorë të ngushtë ia kthejnë shpinën Xhafer Tahirit

Lajme

Tre bashkëpunëtorë të ngushtë ia kthejnë shpinën Xhafer Tahirit

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 15:40
Pamje nga votimi i Ferit Idrizit si kryetar i Vushtrrisë

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë sot ka mbajtur mbledhjen inauguruese në të cilën është betuar kryetari i ri, Ferit Idrizi, si dhe anëtarët e rinj të kuvendit.

Në këtë mbledhje inauguruese kanë qenë të pranishëm edhe tre asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agron Përçuku, Behar Duraku, dhe Alban Bajrami, që kanë votuar për kryesuesen e re të Kuvendit Komunal të kësaj komune, Melihate Basholli-Latifi.

Veprimi i këtyre deputetëve të Asamblesë Komunale që ishin prezent në procesin e votimit, po konsiderohet si tradhti nga njerëzit e ish-kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Kjo për më tepër se të lartcekurit kanë pasur pozita të rëndësishme në kohën kur Tahiri i LDK-së udhëhiqte Komunën e Vushtrrisë.

Alban Bajrami kishte qenë shef i kabinetit të tij, Përçuki ishte qenë drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit, ndërkaq Duraku punon në Komitetin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Pas krejt këtyre viteve sa ishte Tahiri në pushtet, tani disa nga asamblistët e LDK-së duket se ia kanë kthyer shpinën atij, pas ardhjes së PDK-së në qeverisje të Vushtrrisë.

Kryetari i ri i Vushtrrisë, Ferat Idrizi, sot u betua se për katër vitet e ardhshme se do t’ i kryejë punët e tij me nder dhe në pajtim me ligjin.

Ai tha se do t’i mbajë të gjitha premtimet e dhëna, si dhe ftoi anëtarët e kuvendit ta bëjnë një gjë të tillë.

“Bashkërisht do t’i trajtojmë të gjitha politikat e komunës të gjitha projektet edhe për çka ju kemi premtu qytetarëve. Pritjet e qytetarëve janë të bazuara në premtimet tona, prandaj unë do t’i mbajë ato premtime që i kam dhënë para qytetarëve dhe kërkojë që edhe ju t’i mbani premtimet që i keni dhënë para qytetarëve”, ka potencuar Idrizi.

Ferit Idrizi në këtë komunë ka fituar me 53.13% të votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat