Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, në vazhdën e luftës kundër narkotikëve, ka kryer bastisje në katër lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar 15 kilogramë narkotikë, si dhe ka ndaluar personat me inicialet S.M., F.B., N.I. dhe GJ.S., transmeton KosovaPress.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 15 kg e 443 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 1.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, katër qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit hashash (çokollatë), dy vetura, dy armë zjarri, 62 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër telefona, si dhe para në shumën prej nëntë mijë eurove.
S.M., F.B. dhe N.I. akuzohen për shkak të veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa GJ.S. për dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.
Prokurori i shtetit i ka parashtruar gjykatës kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.