Ben-Meir paralajmëron Kosovën për lobimin në SHBA: 600 mijë dollarët kërkojnë rezultate

Politika

Ben-Meir paralajmëron Kosovën për lobimin në SHBA: 600 mijë dollarët kërkojnë rezultate

Nga: H.O. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 17:12
Fotoilustrim

Rikthimi i Kosovës në lobimin profesional në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas më shumë se dy vjetësh pa një angazhim të tillë, ka rikthyer vëmendjen te marrëdhëniet me aleatin kryesor strategjik të vendit. Kontrata me kompaninë amerikane “Ballard Partners”, në vlerë prej 600 mijë dollarësh, synon të forcojë përfaqësimin e Kosovës në Uashington, por mbetet e hapur çështja se sa do të ndikojë ky angazhim në përmirësimin e raporteve dypalëshe.

Në një bashkëbisedim për gazetën “Bota sot”, profesori amerikan Alon Ben-Meir vlerëson se lobimi profesional mund të ndihmojë Kosovën të krijojë kontakte me vendimmarrësit amerikanë dhe të rrisë praninë e saj në institucionet politike të Uashingtonit. Megjithatë, ai tërheq vërejtjen se qasja te zyrtarët nuk do të thotë domosdoshmërisht ndikim dhe as rezultate konkrete.

“Qasja nuk duhet të ngatërrohet me ndikimin, as ndikimi me rezultatet”, thekson Ben-Meir, duke nënvizuar se marrëdhëniet Kosovë–SHBA varen para së gjithash nga politikat e Prishtinës dhe gatishmëria e saj për të adresuar çështjet që kanë shkaktuar mospajtime diplomatike.

Sipas tij, asnjë kompani lobuese, pavarësisht lidhjeve politike që mund të ketë në Uashington, nuk mund t'i riparojë vetë raportet nëse tensionet mes dy vendeve mbeten të pazgjidhura. Përgjegjësia kryesore, siç shprehet ai, i takon udhëheqjes politike të Kosovës.

Ben-Meir ndalet edhe te shuma prej 600 mijë dollarësh që Qeveria e Kosovës ka ndarë për këtë angazhim. Ai kërkon që suksesi i kontratës të mos matet me numrin e takimeve apo fotografive me zyrtarët amerikanë, por me përparimin konkret diplomatik, politik dhe ekonomik.

Image
Profesori amerikan, Alon Ben Meir

“Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të plotë të dinë se çfarë po merr vendi në këmbim të këtyre mjeteve”, deklaron profesori amerikan për “Bota sot”.

Ai vlerëson se Kosova duhet të ketë një strategji më të gjerë në Uashington, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen, njohjet ndërkombëtare, investimet amerikane dhe forcimin e institucioneve demokratike.

“Lobimi duhet ta plotësojë diplomacinë, jo ta zëvendësojë atë”

Duke folur për rëndësinë e rikthimit të Kosovës në lobimin profesional, Ben-Meir thotë se ky angazhim mund të ketë rol të rëndësishëm në forcimin e pranisë së vendit në kryeqytetin amerikan. Ai rikujton se Shtetet e Bashkuara kanë qenë partneri më i rëndësishëm strategjik i Kosovës dhe se ruajtja e marrëdhënieve të forta me Uashingtonin është thelbësore për sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.

“Lobimi profesional mund të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Kosovës në Uashington, veçanërisht në një kohë kur diplomacia ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe konkurruese”, shprehet ai.

Megjithatë, profesori amerikan paralajmëron se Kosova nuk duhet të mbështetet vetëm në miqësinë historike me SHBA-në. Sipas tij, Prishtina duhet të dëshmojë vazhdimisht rëndësinë e saj strategjike, të angazhohet me politikëbërësit amerikanë dhe të ketë një vizion të qartë për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe.

“Lobimi duhet ta plotësojë diplomacinë tradicionale dhe jo ta zëvendësojë atë”, thekson Ben-Meir.

Ai e sheh të rëndësishme edhe ruajtjen e komunikimit me të dyja partitë kryesore amerikane. Duke iu referuar ndryshimeve të kontrollit në Kongres, ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë me kujdes dhe të shmangë mbështetjen e tepruar te cilado parti politike gjatë dy viteve të ardhshme.

Sipas tij, Prishtina duhet të ndërtojë marrëdhënie institucionale që tejkalojnë interesat e përkohshme partiake dhe ndryshimet politike në Uashington.

“Asnjë kompani nuk mund t'i riparojë mospajtimet diplomatike”

I pyetur nëse “Ballard Partners” mund të ndikojë realisht në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Ben-Meir pranon se kompania mund të lehtësojë komunikimin me politikëbërësit me ndikim dhe t'i sigurojë Kosovës qasje më të madhe në institucionet politike amerikane.

Por ai bën një dallim të qartë ndërmjet krijimit të kontakteve dhe arritjes së rezultateve.

“‘Ballard Partners’ mund të ndihmojë në lehtësimin e komunikimit me politikëbërësit me ndikim dhe t’i sigurojë Kosovës qasje më të madhe në institucionet politike të Uashingtonit. Megjithatë, qasja nuk duhet të ngatërrohet me ndikimin, as ndikimi me rezultatet”, deklaron ai.

Ben-Meir thekson se fuqia e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve do të varet përfundimisht nga politikat e Kosovës, përkushtimi ndaj qeverisjes demokratike, stabilitetit rajonal dhe gatishmëria për bashkëpunim konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, ai e bën të qartë se kontrata me kompaninë amerikane nuk mund të shihet si zgjidhje për të gjitha problemet diplomatike.

“Asnjë kompani lobuese, pavarësisht lidhjeve të saj politike, nuk mund t'i riparojë mospajtimet diplomatike nëse tensionet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së nuk zbuten dhe çështjet themelore të konfliktit mbeten të pazgjidhura”, thotë profesori amerikan.

Sipas tij, përgjegjësia për përmirësimin e marrëdhënieve i takon kryesisht udhëheqjes politike të Kosovës, e cila duhet të marrë përsipër adresimin e çështjeve që kanë ndikuar në raportet me Uashingtonin.

Siguria, njohjet dhe investimet amerikane, prioritetet e lobimit

Ben-Meir vlerëson se Kosova duhet të shkojë përtej kërkesave për mbështetje politike dhe të ndërtojë një strategji që përfshin disa fusha me interes të përbashkët për të dyja vendet.

Ai rendit si prioritet të parë forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe kontributin e Kosovës në stabilitetin rajonal.

Një tjetër objektiv, sipas tij, duhet të jetë avancimi i njohjeve ndërkombëtare dhe integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Edhe pse lobimi i vetëm nuk mund t'i zgjidhë këto sfida, angazhimi i vazhdueshëm diplomatik amerikan mund të ndihmojë në krijimin e mundësive për përparim”, thekson ai.

Profesori amerikan kërkon gjithashtu që Kosova të shfrytëzojë praninë e saj në Uashington për të nxitur investimet amerikane, tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik.

Sipas tij, vendi duhet të prezantohet jo vetëm si një shtet që kërkon mbështetje politike, por edhe si një partnere e besueshme që ofron mundësi bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella.

Në këtë strategji, Ben-Meir përfshin edhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, luftimin e korrupsionit, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e dialogut konstruktiv me Serbinë. Ai i konsideron këto elemente thelbësore për besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe për marrëdhëniet e saj me institucionet amerikane.

600 mijë dollarë, qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë përfitojnë

Një prej çështjeve më të rëndësishme të intervistës mbetet transparenca për kontratën prej 600 mijë dollarësh. Ben-Meir thotë se institucionet e Kosovës duhet të përcaktojnë paraprakisht objektiva të qarta dhe të jenë në gjendje të dëshmojnë se çfarë përfiton vendi nga ky angazhim.

Ai kundërshton idenë që suksesi të matet vetëm përmes takimeve të organizuara në Uashington apo fotografive me zyrtarë amerikanë.

“Suksesi i kësaj marrëveshjeje nuk duhet të matet me numrin e takimeve të organizuara në Uashington apo me fotografitë e realizuara me zyrtarët amerikanë. Ai duhet të matet përmes përparimit konkret diplomatik dhe politik”, deklaron Ben-Meir.

Sipas tij, Qeveria duhet të përcaktojë objektiva që përfshijnë angazhim më të fuqishëm institucional me Uashingtonin, përparim në bashkëpunimin ekonomik, rritje të mundësive për investime dhe mbështetje të mirëfilltë politike amerikane për integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Ai e konsideron transparencën dhe llogaridhënien po aq të rëndësishme sa vetë rezultatet diplomatike.

“Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të plotë të dinë se çfarë po merr vendi në këmbim të këtyre mjeteve”, nënvizon profesori amerikan.

Ben-Meir rikujton se marrëdhëniet me SHBA-në janë tepër të rëndësishme për Kosovën për t'u varur vetëm nga lidhjet personale politike apo shërbimet e një kompanie të vetme lobuese. Sipas tij, çdo kompani e angazhuar duhet të marrë udhëzime nga Qeveria dhe të veprojë në përputhje me prioritetet e saj.

Në fund, ai kërkon që Kosova të investojë në një strategji diplomatike afatgjatë, e cila të ketë mbështetje të gjerë institucionale amerikane dhe të mos ndikohet nga ndryshimet e qeverive në të dyja vendet.

“Një partneritet i fortë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës duhet të ndërtohet mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta strategjike”, përfundon Alon Ben-Meir për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat