Petar Petkoviq: Albin Kurti do të sjellë pasoja të paparashikueshme

Lajme

Petar Petkoviq: Albin Kurti do të sjellë pasoja të paparashikueshme

Më: 25 janar 2022 Në ora: 15:41
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, edhe një herë ankohet, kritikon dhe kërcënon vetëm me qëllim që t’i sigurojë shefit të tij votat shumë të vlefshme të serbëve të Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që janë planifikuar të mbahen më 3 prill të këtij viti.

“Sjellja e Albin Kurtit do të sjellë deri te pasojat e paparashikueshme për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan në kumtesën e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.

“Përpjekjet e Albin Kurtit që plotësisht të ndalohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në Kosovë më 3 prill, dhe në këtë mënyrë të shfuqizohen të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare për serbët, do të çojnë në pasoja të paparashikueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Petkoviq.

Ai ka thënë se “një skenar i tillë i Kurtit do të kthente prapa progresin e arritur në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ndër vite dhe për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë”.

“Synimi i hapur shkatërrues i Kurtit për të anuluar dhe shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani është i dukshëm, por pyetja është nëse bashkësia ndërkombëtare do të shikojë sërish me qetësi politikanët shqiptarë se si janë duke luajtur me normalizimin e marrëdhënieve apo këtë herë do të kalojnë nga fjalët dhe deklaratat në vepra konkrete”, ka thënë Petkoviq.

“Populli serb në Kosovë pret që më 3 prill të mund ta ushtrojë të drejtën e votës, në mënyrë identike siç ka qenë në të gjitha proceset zgjedhore deri më tani”.

“Prandaj, këto zgjedhje janë shansi dhe testi i fundit për komunitetin ndërkombëtar, i cili ka përgjegjësi dhe obligim absolut që të sigurojë zbatimin dhe respektimin e arritjeve dhe parimeve demokratike dhe t’i mundësojë popullit serb në Kosovë të ushtrojë të drejtën e votës”, shkruan në kumtesën e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën.

Të përkujtojmë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se nuk do të lejohet organizimi i zgjedhjeve presidenciale  të Serbisë në Republikën e Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat