Mali i Zi, të dielën zhvillohen zgjedhjet në komunën e Ulqinit

Lajme

Mali i Zi, të dielën zhvillohen zgjedhjet në komunën e Ulqinit

Më: 26 mars 2022 Në ora: 23:09
Ulqin, Mali i Zi

Në Komunën e Ulqinit, në Malin e Zi, të dielën mbahen zgjedhjet vendore ku garojnë 5 lista zgjedhore.

Partitë politike shqiptare garojnë të ndara në tri lista zgjedhore, kurse për herë të parë formohet një koalicion parazgjedhor nga dy partitë politike shqiptare dhe nga tri parti qytetare, në mesin e të cilëve është edhe Lëvizja Qytetare “URA” e mandatarit për qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kuvendi i Ulqinit numëron 33 vende dhe ato forca politike që fitojnë shumicën zgjedhin kryetarin e komunës.

Të drejtën e votës në Komunën e Ulqinit e kanë mbi 20 mijë qytetarë, të cilët mund të votojnë në 38 vendvotime.

Për herë të parë në këto zgjedhje hapet qendra e thirrjeve të Ministrisë së Brendshme ku me anë të telefonimit qytetarët do të mund të raportojnë për parregullsi të mundshme lidhur me procesin zgjedhor dhe me numërimin e votave.

Zgjedhjet për komunën më të madhe me shumicë shqiptare në Mal të Zi, cilësohen si tejet të rëndësishme për këtë komunitet pasi forcat politike shqiptare, që nga pluralizmi në Mal të Zi, e kanë mbajtur pushtetin në Komunën e Ulqinit.

Përjashtim ishte vetëm mandati i kaluar ku partitë politike shqiptare krijuan koalicion të gjerë paszgjedhor me Partinë Demokratike Socialiste të presidentit aktual Milo Gjukanoviq./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat