​Eurostati aprovon Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë

Lajme

​Eurostati aprovon Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë

Më: 25 korrik 2022 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka pranuar zyrtarisht Aprovimin e Eurostatit për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore (NUTS).

Në një letër nga drejtoresha e përgjithshme e Eurostatit, Mariana Kotzeva, dërguar zëvendëskryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir T. Berisha, është bërë i ditur Aprovimi për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë.

Klasifikimi i Rajoneve Statistikore ka rëndësi të madhe për Kosovën dhe Sistemin Statistikor të Kosovës, pasi që është përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Komunitetit Evropian për Energji Atomike në njërën anë, dhe Kosovës, në anën tjetër.

Neni 75 i MSA-së parashikon dërgimin e të dhënave të BPV-së për kokë banori nga Kosova në Eurostat në nivelin NUTS II.

ASK tashmë është duke i ofruar Eurostatit të dhënat e BPV-së dhe tregues të tjerë statistikorë në nivel kombëtar.

Për më tepër, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë të dhëna statistikore zyrtare në njësitë më të ulëta territoriale, të krahasueshme me të dhënat rajonale të vendeve anëtare të BE-së, EFTA-së dhe vendeve të tjera kandidate.

Sipas letrës së dërguar nga Kotzeva, Klasifikimi i Rajoneve Statistikore mund dhe duhet të përdoret për furnizim të informacionit statistikor rajonal nga Kosova.

Ky Klasifikim i Rajoneve Statistikore do të përfshihet zyrtarisht si klasifikim NUTS për Kosovën për një anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian (BE).

Klasifikimi i Rajoneve Statistikore (NUTS) hyn në fuqi menjëherë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat