Ja si Putini po tenton të mbajë pas vetes Vuçiçin - Lavrov bën këtë lëvizje me Daçiqin, pasi u pengua të shkonte në Serbi

Lajme

Ja si Putini po tenton të mbajë pas vetes Vuçiçin - Lavrov bën këtë lëvizje me Daçiqin, pasi u pengua të shkonte në Serbi

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 10:29
Ivica Daçiq

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin mesa duket po kërkon të mbajë pas vetes Serbinë pas presioneve të forta nga SHBA-BE. Rusia kërkon nga Beogradi që të vazhdojë politikën e saj kundër perëndimit, duke vënë në rend të parë interesin e saj. Kremlini po organizon vizitën e ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç në Moskë. Lajmin e dha ditën e djeshme ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke sjellë në vëmendje se Perëndimi e pengoi vizitën e tij në Beograd në qershor të vitit të kaluar, kur disa vende ndaluan fluturimet nga Moska në Beograd.

“Me Ivica Daçiçin, mikun tim të mirë e të vjetër, kam bërë marrëveshje që në këtë situatë të vinte në Rusi. E pres kur të zgjedhë një datë që i përshtatet”, tha Lavrov në një konferencë për media online. “Nuk e di nëse kjo do të shkaktojë kërkesa të reja të pacipë nga Perëndimi që Ivica Daçiç të mos udhëtojë në Rusi, në çdo rast kemi një marrëveshje të tillë”, shtoi ai.

Lavrov gjithashtu iu referua vizitës së tij të pasuksesshme në Serbi vitin e kaluar, duke shtuar se Perëndimi e pengoi atë të mbërrinte në Beograd dhe se ai nuk kishte arsye "të zemërohej me autoritetet serbe". Rusia i është mirënjohëse Qeverisë së Serbisë dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç për hapjen e tyre ndaj kontakteve me palën ruse. Lavrov tha se Rusia solidarizohet me popullin serb në mbrojtjen e Rezolutës 1244 dhe të gjitha parimeve për të cilat është rënë dakord në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Moska ka kontakte të rregullta me Beogradin për këtë çështje. Ai i tha Perëndimit "se nuk duhet të shqetësohet për interesat kombëtare të Rusisë kur bëhet fjalë për tentativën për grusht shteti të 24 qershorit".

Rusia gjithmonë ka dalë nga çdo krizë më e fortë dhe kështu do të jetë edhe kësaj radhe”, tha Lavrov dhe theksoi se rebelimi në Rusi vështirë se mund të quhet tjetër fjalë veç telashe.

Si u pengua vizita e Lavrovit në Serbi

Një vizitë në Serbi e Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov më 6-7 qershor u anulua për shkak se tre nga fqinjët e Serbisë refuzuan të lejojnë aeroplanin e tij të përdorë hapësirën e tyre ajrore. Anëtari i BE-së, Bullgaria vendosi ndalimin e fluturimeve, së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, vende që shpresojnë, si Serbia, të anëtarësohen në BE.  Si shumë vende të tjera evropiane, Serbia mbështetet shumë në gazin rus. Lavrov kishte parashikuar të kishte bisedime në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiç.

Kremlini mbështet fuqishëm refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Rusia u zemërua nga fushata e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. Gjithashtu në fillim të marsit të vitit 2022, mijëra serbë pro-rusë marshuan nëpër Beograd, duke reflektuar lidhjet tradicionalisht të ngushta të vendeve. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka thënë disa kohë më parë se Beogradi do të ndjekë interesin kombëtar.  “Kur dikush na kërkon të mos ulemi në dy karrige, atëherë ai po përpiqet të na heqë karrigen…që ne të rrëzohemi. Për këtë arsye mendoj se nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj kritike. Është me rëndësi që t’i përmbahemi interesit tonë kombëtar”, tha ai.

Ndërsa ministri i jashtëm serb duke i bërë një krahasim çështjes së Kosovës dhe asaj të Katalonjës në Spanjë, tha se “nëse Spanja mund të luftojë për konceptin e saj, atëherë edhe serbët mund të luftojnë për vendin e tyre”. Madje zyrtarë të ministrisë së Jashtme të Serbisë arritë deri aty sa paralajmëruan masa ndaj ambasadorit ukrainas në Beograd, Oleksandr Aleksandrovych, i cili në një intervistë me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, tha se “Rusia po e shfrytëzon Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe për të shkatërruar Evropën”. Zhvillimet politike në Evropën Juglindore gjatë vitit të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat