Tri raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë ditëve të fundit në Podujevë, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku në dy prej tyre viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë tretman mjekësor.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar më 19 nëntor, rreth orës 22:00, në Podujevë. Një person i dyshuar ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Si pasojë, viktima ka marrë tretman mjekësor dhe pas intervistimit, me vullnetin e saj, është larguar në shtëpinë e familjarëve. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Një tjetër rast është raportuar më 22 nëntor, rreth orës 09:50, në Prishtinë. Policia ka shoqëruar në stacion një grua dhe një burrë, të cilët dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje janë përleshur fizikisht mes vete. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dy janë liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Fushë Kosovë, më 22 nëntor, rreth orës 05:00, një shtetase e Shqipërisë ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me thikë nga një burrë kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe, pas përfundimit të procedurave përkatëse, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente.