Elektrosever i fton qytetarët në veri të lidhin kontrata dhe ta kursejnë energjinë elektrike

Lajme

Elektrosever i fton qytetarët në veri të lidhin kontrata dhe ta kursejnë energjinë elektrike

Më: 7 mars 2024 Në ora: 18:00
Ilustrim

Në javën kur qytetarët në Veri morën faturat e para fikse për energjinë elektrike nga Elektrosever, kjo kompani sot përmes fletushkave të shpërndara nëpër objektet e banimit bëri thirrje për lidhjen e kontratës me të. Po ashtu, qytetarëve iu dhanë udhëzime të detajuara për kursimin e energjisë elektrike në amvisëri.

Disa qytetarë në veri të Kosovës gjatë kësaj jave kanë marrë faturat e para të rrymës nga kompania “Elektrosever”.

Fjala është për faturat tashmë të shpallura – fikse në vlerë prej 21.60 euro.

Siç raporton mediumi lokal “KoSSev”, faturat liheshin më së shumti në kuti postare në pallate, por edhe në dyert e apartamenteve.

Bashkë me faturën, qytetarëve iu dha edhe një kontratë për shitjen e energjisë elektrike me furnizim të plotë, e cila në 17 nene shpjegon detyrimet dhe të drejtat si të përdoruesit, ashtu edhe të furnizuesit, në këtë rast “Elektrosever”.

Në një nga nenet e kontratës thuhet se afati i pagesës së faturës është data 28 e muajit, për muajin paraardhës. Mirëpo, në përllogaritjen për energjinë elektrike të shfrytëzuar për muajin shkurt (faturat e para në vlerë prej 21.60 euro) thuhet se afati i pagesës është 10 mars.

Sot, nga kjo kompani, përmes fletushkave – kanë ftuar qytetarët që t’i lidhin këto kontrata me ta.

“Kushti i domosdoshëm për shfrytëzimin e mëtejshëm të energjisë elektrike është i lidhur me kontratën e furnizimit me energji elektrike me njërin nga furnizuesit”, kanë thënë më tej ata.

Qytetarët mund të lidhin kontrata me furnitorë të tjerë

Ata po ashtu thanë se përveç kompanisë Elektrosever ka edhe furnizues të tjerë të regjistruar dhe se qytetarët mund të zgjedhin se me kë duan të lidhin kontratë për furnizim me energji elektrike.

“Operatori i sistemit të shpërndarjes (Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike – KEDS) me siguri do t’ju lejojë të përdorni shërbimet universale të furnizuesit të ofruara nga KESCO (Kompania Kosovare e Furnizimit), me çmime më të larta. E nëse edhe pas 60 ditëve shtesë nuk lidhni kontratë me asnjë furnizues dhe nuk i paguani KESCO-s faturën për energjinë e konsumuar – do të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat