​Kosharja një ndër betejat më të lavdishme të historisë së Kosovës, Kurti: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

Lajme

​Kosharja një ndër betejat më të lavdishme të historisë së Kosovës, Kurti: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

Më: 9 prill 2026 Në ora: 11:25 Përditësuar në ora: 17:17 më 09.04.2026
Beteja e Koshares

​Shukrije Ramadani kritikon politikanët: E dhimbshme t’i shohim interesat meskine shumë të ulëta

Në 27-vjetorin e Betejës së Koshares, një nga përballjet më të lavdishme të luftës së UÇK-së, Shukrije Ramadani, bashkëshortja e komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani rikujton me krenari dhe mall bashkëshortin e saj, i rënë për idealin e lirisë.

Ajo sot si një grua e një heroi ka kritika për partitë politike duke thënë se po vendosin para interesit të shtetit interesat e tyre të vogla.

Për këtë ajo bënë thirrje që të mos ruhet pushteti, por shteti pasi, siç u shpreh, shteti është i përhershëm e pushteti i përkohshëm.

Ramadani: E dhimbshme t’i shohim interesat meskine shumë të ulëta

“Këto për neve dëshmorëve dhe familjarëve janë shumë të dhimbshme, ngase i shohim si interesa meskine shumë të ulëta se është interes me i madh të ruajmë këtë shtet mbi gjakun e më të mirëve tanë. Duhet t’i lëmë interesat e vogla anash, të shikojmë interesin e madh, mos ta ruajmë pushtetin, por ta ruajmë shtetin. Shteti është i përhershëm, pushteti është i përkohshëm. Çdo herë andaj le ta shohin si të përkohshëm dhe le ta shohin shtetin si të përhershëm. Dhe e di janë nga vota jonë këta njerëz, por shpresoj vërtet t’i binden votës dhe dashurisë sonë aq sa i deshëm ne, të na duan edhe ata. Shumë shpresoj në këtë ngase një dashuri është më e madhe: atdheu dhe shteti ynë”, tha ajo.

Duke folur për dashurinë e saj për komandantin,Agim Ramadani, i njohur me nofkën Katana, bashkëshortja e tij për KosovaPress rrrëfen se çdo ditë tash e 27 vjet nga rënia e tij ka qenë e vështirë dhe e tillë do të jetë deri në momentin kur të vdes.

Por, Shukrije Ramadani shpreson që do të lartësohen idealet e të rënëve për liri, pasi, sipas saj, vetëm të bashkuar mund të fitojmë e assesi duke sharë njëri-tjetrin.

Ramadani: Të bashkuar mund të fitojmë e assesi duke sharë e shtyrë njeri-tjetrin

“Ai ka qenë dashuria ime e vetme në jetë, ka qenë shoku, me të cilin jam rritur nga shkolla fillore e deri në fakultet. Ka rënë shoku im, nuk ka qenë vetëm bashkëshorti im dhe nuk është asnjë hap i lehtë gjatë këtyre 27 vjetëve dhe e di deri në fund... Por me shpresën se vërtet ato ideale do të lartësohen, do të punojnë për to, do t’i realizojmë, ashtu siç deshën, jo vetëm Agimi im, por gjithë Agimët që kanë rënë për liri dhe shumë shpresoj që kjo të bëhet një mësim për ditët e sotme që të bashkuar mund të fitojmë e assesi duke sharë e shtyrë njeri-tjetrin”, tha Ramadani.

Dhimbjen e ka të njëjtë tash e 27 vjet prej që iu vra bashkëudhëtari i jetës dhe heroi Agim Ramadani, por bashkëshortja e tij sot në Koshare thotë se krenaria po e mund çdo dhimbje.

Ramadani: Të marrim një mësim të mirë nga lufta, u bashkuan forcat pa shikuar krahë politikë

“Dhimbja është e njëjtë si para 27 vjetësh. Por, krenaria është çdo ditë e më e madhe dhe e mund dhimbjen, sidomos tek këto momente dhe në këtë datë ngaqë sot është datë e veçantë, ku thyhet një kufi, i cili padrejtësisht na ka ndarë me shekuj, një kufi të cilin e kanë pasur ideal të gjitha gjeneratat dhe falë gjakut të dëshmorëve ai kufi u zhbë dhe shpresoj të marrim një mësim të mirë nga kjo luftë, ngase në këtë vend u bashkuan forcat nga të gjitha partitë dhe trojet shqiptare nga mërgata pa shikuar krahë politikë, por vetëm me idealin të jemi bashkë dhe të fitojmë mbi armikun.Ai ideal u arrit. Të bashkuar fituan”, tha ajo.

Komandanti i Brigadës 138, Agim Ramadani ra në altarin e lirisë më 11 prill 1999 gjatë betejës së Koshares, e cila sot shënon 27 vjetorin e saj.

Në këtë betejë për thyerjn e kufirit Kosovë-Shqipëri u vranë 114 luftëtarë.

​Familjarët e dëshmorëve: Kur kërsiti në Drenicë i tha vëllait “nuk mund të rri, nesër jam në aeroplan”

Zeki Sylemaja në moshën 24 vjeçare vendosi të kthehet nga Gjermania për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ra në dëshmor në Betejën e Koshares, betejën e përgjakshme dhe heroike të UÇK-së falë së cilës ra edhe kufiri shqiptaro-shqiptar.

Fetije Sylemaja sot në 27-vjetorin e Betejës së Koshares kujton momentin kur djali i saj u kishte treguar se do t’i bashkohej luftës për liri.

Ajo për Kp tregon se pa djalin e saj jeton me shumë dhimbje, por edhe me shumë krenari.

Sylejmani: Ai tha ‘askend nuk e marr me vete, unë tha kështu po e dua Kosovën’

“Prej që krisi lufta këtu ka kontribuar me të holla. Kur kërsiti në Drenicë i ka thënë vëllait të tij: ‘unë nuk mund të rri’ dhe vetëm kur na ka thënë ditën e fundit: unë nesër jam në aeroplan ne i thamë: ku po shkon. Ai tha ‘askend nuk e marr me vete, kush e do Kosovën, gjithkush e do për vete, unë tha kështu po e dua Kosovën’… Më 16 prill më ka rënë djali. Në mars ka ardhur nga Gjermania… Më thirri para se të hyjë këtu. Më tha: ‘Nanë a ma bën hallall’. I thashë pse djali jem, hallall të qoftë… Pas rënies së djalit jemi kthyer menjëherë, nuk mund të rri më.

Dhimbje e madhe, por edhe krenari. Lum ai për vete edhe për këtë jetë, por edhe për atje po me shumë për atje se këtu njerëzit e harrojnë. Nuk ka problem”, tha ajo.

Më 14 prill 1999 në Betejën e Koshares ra edhe Kasim Uka, i cili ishte angazhuar herët në bartjen e armatimit për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E, vëllai i tij Përparim Uka sot teksa qëndron krenar para varrit të vëllait të tij dëshmor kërkon që shteti të bëjë më shumë.

Uka: Herët kishte nisur të angazhohej në bartje të armatimit me shokë nga fshati

“Herët kishte nisur të angazhohej në bartje të armatimit me shokë nga fshati. Aty pasi ka ardhur ofensiva e madhe ka kaluar në Shqipëri dhe iu është bashkangjitur Agim Ramadanit dhe në Koshare është vrarë më 14 prill 1999… Mirë e konsiderojmë. Pak më mirë me u pa bë do të ishte më mirë”, tha Uka.

Betejës së Kosovës në Koshare i ishte bashkuar edhe luftëtari, Bylbyl Bresjani nga fshati Markaj i Bajram Currit, i cili u vra në qershor 1999.

Luftëtar të pashoq e quan bashkëluftëtari i tij, Agim Gjukaj. Kërkon që mos të shkelet mbi gjakun e dëshmorëve.

Gjukaj: Mos të shkelet mbi gjakun e dëshmorëve

“Ky ka lënë një kujtim të pashoq në atë kohë dhe e kam njohur se isha pjesëmarrës edhe unë këtu. Kështu që veç ishalla nuk shkelin mbi gjakun e dëshmorëve se po më duket punët janë mbrapsht. E uroj të kthehen mbarë”, tha ai.

Beteja e Koshares nisi me 9 prill 1999 dhe përfundoi më 10 qershor 1999, duke u thyer kufiri shqiptaro-shqiptar.

Thyerja e kufirit nuk shënoi vetëm një fitore morale të UÇK-së, por i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Në Betejën e Koshares ranë dëshmorë 114 luftëtarë dhe u plagosën 380 të tjerë.

​LDK përkujton Kosharen, Abdixhiku: Thyerje historike e kufirit

Në përvjetorin e 27 të Betejës së Koshares homazhe në kompleksin memorial bëri edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili këtë betejë e cilësoi si më të rëndësishme për popullin shqiptar, raporton KosovaPress.

Sot nderojmë një nder beretat më të rëndësishme të popullit shqiptar, tha Abdixhiku

“Sot nderojmë një nder beretat më të rëndësishme të popullit shqiptarë betejën e Koshares e thyerjes se kufirit shqiptaro shqiptar një thyrje historike të një padrejtësie historike. Sot nderojmë të 114 heronjtë të rënët në këtë betejë siç edhe falënderojmë të gjallët dhe me këtë ia rikujtojmë vetes çdo ditë se sa e shenjt dhe shtrenjtë është historia dhe liria e popullit tonë”, tha ai.

Përveç manifestimit në Koshare tek kompleksi memorial bën homazhe krerë shtetëror e lider të partive politike e shumë qytetarë e familjare të dëshmorëve qe ranë gjatë kësaj beteje qe nisi me 9 prill 1999 dhe përfundoi më 10 qershor 1999.

Përballja me forcat serbe që nisi më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

​Kosharja një ndër betejat më të lavdishme të historisë së Kosovës

Beteja e Koshares është beteja më e lavdishme e historisë moderne të Kosovës dhe pa këtë luftë historia e vendit tonë do të ishte ndryshe.

Kështu u tha në manifestimin qendror “Ditët e Shqipes 2026”, të mbajtur në Koshare me rastin e 27 -vjetorit të betejës së Koshares ku ranë dëshmorë 114 luftëtare e u plagosën 380 të tjerë, raporton KosovaPress.

Përveç manifestimit në Koshare tek kompleksi memorial bën homazhe krerë shtetëror e lider të partive politike e shumë qytetarë e familjare të dëshmorëve qe ranë gjatë kësaj beteje qe nisi me 9 prill 1999 dhe përfundoi më 10 qershor 1999.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne.

Ajo u shpreh se 27 vite më parë njësitë e UÇK-së u nisën drejt vijës kufitare, derisa e thyen kufirin që ishte vendosur një shekull më parë padrejtësisht mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ajo shtoi se në vijën e parë të fronit kur kufiri u thye ishte Agim Ramadani.

Kjo dëshmon se lufta jonë për liri ishte e drejtë, theksoi Haxhiu

“Në atë breza malor luftimet nuk pushuan përkundër ashpërsisë së sulmeve ushtarët e UCK nuk u dorëzuan e mbajtën kufirin të hapur dhe nuk u tërhoqën me asnjë çmim. Luftimet vazhduan deri në qershor atëherë u përfshinë brigada të tëra të njësive speciale grupe operative e luftëtarë nga të gjitha anët e Kosovës nga gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata jonë. Betejës së Koshares iu bashkuan edhe vullnetarë të huaj që zgjodhën të luftojnë këtu disa prej tyre ranë në Koshare krahë për krahë më luftëtarët tanë… kjo dëshmon se lufta jonë për liri ishte e drejtë ndaj pati jehonë aq të madhe e të gjerë sa që mora përkrahje nga e gjitha bota demokratike. Në betejën e Koshares 114 luftëtarë të UCK u vranë dhe mbi 380 u plagosen këta luftëtarë që ia mësynë Koshares atë pranverë e dinin mirë se ku po hynin e dinin që kthimi nuk ishte i sigurt por liri hynë e për liri ranë dhe lirinë e sollën. Beteja e Koshares është nder betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi këtë guxim mbi vendime të marra në kushte thellësisht të rrezikshme dhe mbi sakrificë brezash të tërë. Nderimi i heronjve dhe luftëtarëve te brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Shqipes’ dëshmojë vendosmërinë tonë për te punuar me përkushtim që Kosova të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata ranë për liri”, tha ajo.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se beteja e Koshares është ndër momentet pa të cilat historia do të ishte zhvilluar ndryshe.

Ajo tha se në Koshare u largua guri i ndarjes mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe u godit një regjim qe mendonte qe gjithmonë Kosovën do ta mbante nën pushtimin e saj.

Në Koshare u largua njëherë e përgjithmonë ai guri i ndarjes, tha Gërvalla

“Për te kujtuar një nga ato momente pa të cilat historia jonë do të ishte zhvilluar ndryshe sepse në Koshare nuk u zhvillua vetëm një betejë në Koshare u largua njëherë e përgjithmonë ai guri i ndarjes për dekada na ishte imponuar me dhunë në një luftë të pabarabartë me një ushtri të armatosur deri në dhëmb u godit një regjim që mendonte qe Kosovën mund ta mbante të pushtuar të nënshtruar dhe parrugdalje dhe u dëshmua se liria e këtij vendin nuk do të mbetej peng i asnjë kufiri të padrejtë dhe i asnjë pushtuesi sa do i fort ushtarakisht. Në Koshare nuk pati vend për iluzione hynin në zjarr, e dinin se mund të mos ktheheshin, e dinin se liria nuk po afrohej si premtim po si përballje. Beteja e Koshares e zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe shtetërore të Republikës sonë….Kosharja është pjesë e themelit politik dhe moral të Republikës së Kosovës, ajo na rikujton një të vërtetë që nuk duhet të zbehur kurrë, shteti ynë nuk është produkt i rastësisë, nuk është produkt i rehatisë, nuk është produkt i kompromisit me padrejtësinë”, tha Gërvalla.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj tha se po të mos ishte beteja e Koshares marrëveshja e Kumanovës nuk do të ishte ajo qe u nënshkrua.

Po të mos ishte beteja e Koshares marrëveshja e Kumanovës nuk do të ishte, tha Haradinaj

“Është me rëndësi ta kthejmë në kujtesë 9 qershori, marrëveshja e Kumanovës, ka mund të mos jetë e tillë, sikur mos të ishte lufta e Koshares. Pra një epilog i luftës do të arrihej, por pa luftën e brigadës së Koshares, pa këtë intensitet të sulmi, pa këtë intensitet të goditjes së armikut, pa depërtimin frontal e marrjes së një pjesë të territorit në përgjithësi të armikut, është e mundur që 9 qershori marrëveshja e Kumanovës ka mund të jetë tjetër, më e keqe”, tha Haradinaj.

Ish- komandanti i zonës së Brigadës 138, Rrustem Berisha i cili tha se heqja e kufirit shqiparo-shqiptar nuk ishte rastësi por frytë i përgatitjeve të palodhshme dhe guximit të luftëtarëve.

Heqja e kufirit me luftë nuk ishte rastësi

“Pa përgatitje të mëdha nuk ka fitore të madhe. Heqja e kufirit me luftë nuk ishte rastësi, por ishte fryt i përgatitjeve të palodhshme, i guximit dhe i vendosmërisë së luftëtarëve tanë. Kjo u dëshmua më së miri në frontin e Koshares, ku vullneti për liri u shndërrua në vepër dhe në veprim të organizuar ushtarak, dhe në një operacion historik për heqjen e kufirit. Janë disa faktorë kyç që ndikuan drejtpërdrejt në suksesin e këtij fronti. Siç janë përzgjedhja e drejtimit të sulmit, unifikimi i forcave, përvoja e njësive të grupit të tretë operativ dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë në luftën e zhvilluar në vitin 1998, rritja e kapaciteteve, përgatitjet, trajnimet intensive, si dhe hartimi i planit operativ për heqjen e kufirit, që u hartua nga komanda e përparuar e udhëhequr nga Agim Ramadani, dhe u prezantua bashkë Agimi me Saliun dhe e miratova unë si komandant i grupit të tretë operativ. Zbatimi i këtij plani operacional shënon fillimin e një ndër ofanzivave më të rëndësishme të luftës”, tha ai.

Përveç kësaj, Berisha pati një kritik karshi institucioneve për mos realizim të projektit për kompleksin memorial në Koshare.

Berisha: Fatkeqësisht ende nuk kemi diçka konkrete për tu paraqitur familjarëve të heronjve

“Fatkeqësisht ende nuk kemi diçka konkrete për tu paraqitur familjarëve të heronjve dhe veteraneve të kësaj beteje heroike proceset institucionale do të duhej të qonin përpara këtë projekt dhe kanë mbetur në vend numëro tenderi për fazën e katërt i nisur që para pandemisë nuk është shoqëruar me punime në terren në gusht të vitit 2022 u rishpall ritenderimi nga agjencia për menaxhim të komplekseve memoriale me afat fillimi 15 shtator 2022 dhe përfundim 30 dhjetor 2024, megjithatë ky projekt nuk ka nisur”, tha ai.

Përballja me forcat serbe që nisi më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares, një prej përballjeve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka nderuar luftëtarët e rënë dhe pjesëmarrësit e kësaj beteje, duke e cilësuar atë si një përpjekje për shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për çlirimin e vendit.

“Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, ka shkruar kryeminstri.

Kurti ka theksuar se më 9 prill 1999 filluan luftimet në zonën kufitare, ku forcat e UÇK-së u përballën me ushtrinë jugosllave në një terren malor dhe të vështirë, ndërsa beteja vazhdoi deri në përfundimin e fushatës ajrore të NATO-s.

“Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës”, shkruhet tutje në postimin e tij.

Njëherësh, i pari i ekzekutivit ka kujtuar se në këtë betejë ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe mbi 400 të tjerë u plagosën, duke e cilësuar sakrificën e tyre si të rëndësishme për lirinë e Kosovës.

“Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot!”, shkroi Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat