Gjykata në Beograd s’i konfirmon raportimet se Radoiçiqi nuk është paraqitur në polici

Lajme

Gjykata në Beograd s’i konfirmon raportimet se Radoiçiqi nuk është paraqitur në polici

Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 13:58
Millan Radoiçiq.

Millan Radoiçiq, i cili e kishte marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e sulmit të armatosur në veri të Kosovës më 2023, nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd, siç është i detyruar sipas vendimit të Gjykatës së Lartë në këtë qytet.

Kështu raportoi më 17 nëntor Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), duke iu referuar burimeve të veta.

Gjykata e Lartë në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se nuk do ta bëjë të ditur asnjë informacion që vjen nga policia.

"Mbetemi në të njëjtin qëndrim që ju kemi dërguar dje", thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Bëhet fjalë për qëndrimin se Gjykata e Lartë në Beograd po mbikëqyr zbatimin e masës së shqiptuar ndaj Radoiçiqit, sipas së cilës ai duhet të paraqitet në polici, dhe se "në bashkëpunim me organet kompetente po ndërmerren të gjitha veprimet e parapara për kontrollin e respektimit të detyrimit të shqiptuar".

REL-i u përpoq të kontaktonte edhe avokatin Goran Petronijeviq, i cili e përfaqëson Radoiçiqin, por ai nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve.

Radoiçiq, i cili kërkohet nga policia ndërkombëtare, INTERPOL, për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi.

Ndërkohë, prokurorët në Kosovë i ngarkojnë 45 persona për këtë sulm, në të cilin mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Tre prej tyre janë dënuar, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, janë në arrati.

Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Që nga tetori i vitit 2023, Radoiçiqi e ka pasur për detyrë të paraqitet në stacionin policor më datat 1 dhe 15 të çdo muaji, ndërsa pasaporta i është konfiskuar. Sipas deklarimeve të mëhershme të Gjykatës së Lartë, ai e ka përfillur këtë masë deri më tani.

Megjithatë, më 13 nëntor, në publik u shfaqën pretendime jozyrtare se Radoiçiqi ishte arratisur në Rusi.

Radoiçiqi është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.

Ai u pa për herë të fundit në publik para zgjedhjeve në Serbi, kur mori pjesë në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc.

Para tij, nga Serbia ishte larguar edhe Zvonko Vesellinoviqi, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe deri vonë bashkëpunëtor i Radoiçiqit.

Sipas konfirmimit që REL-i mori nga burime të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë, ai udhëtoi me aeroplan nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor, duke përdorur pasaportën serbe. Me të ishte edhe vëllai i tij, Zharko Vesellinoviq.

Të dy, sikurse Radoiçiqi, janë gjithashtu nën sanksionet amerikane për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion. / REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat