Përralla e Bennifer 2.0 mori fund zyrtarisht më 20 gusht, kur Jennifer Lopez dorëzoi dokumentet për divorc nga Ben Affleck, pikërisht në përvjetorin e dytë të martesës së tyre. Ajo gjithashtu kërkoi të rikthehej në mbiemrin e saj të vajzërisë: pas martesës kishte marrë mbiemrin e bashkëshortit, por tani dëshiron të jetë sërish Jennifer Lynn Lopez. Një veprim që duket se sinjalizon dëshirën e yllit për ta larguar aktorin nga jeta e saj sa më shpejt të jetë e mundur. Si arsye të divorcit, J.Lo përmendi "diferenca të papajtueshme" me Affleck, pa dhënë detaje të tjera.
Në ditët e fundit, janë bërë shumë spekulime për arsyet e ndarjes së tyre. Për të sqaruar situatën, People ka kontaktuar miqtë e ish-çiftit, të cilët kanë sugjeruar se ndarja erdhi si pasojë e një kombinimi faktorësh. Sipas burimeve, dyshja - të cilët ishin ndarë më parë në vitin 2004, pak para martesës - kanë "personalitete të ndryshme": "Ajo është e hapur dhe shoqërore, ndërsa ai është i mbyllur dhe i rezervuar."
Problemet e para filluan gjatë muajit të mjaltit në Itali, kur aktori "nuk e duronte vëmendjen e tepruar të mediave dhe rrjeteve sociale pas martesës me Lopez". Thuhet madje se Affleck, i irrituar nga paparacët që i ndiqnin kudo, gjatë udhëtimit të tyre të muajit të mjaltit "vështirë se i fliste gruas së tij." Miqtë e Ben dhe Jen sugjerojnë gjithashtu se ish-çifti nuk zgjati shumë, sepse në fillim u kapën nga emocionet e ribashkimit: pas gati njëzet vitesh larg, pas dashurish dhe martesash të tjera, fati i bashkoi sërish në vitin 2021, dhe nga kjo lindi Bennifer 2.0. "Kush nuk do të hidhej në një histori të tillë? Ishin dy njerëz të dashuruar me dashurinë. U ribashkuan në 2021, u martuan në 2022. Gjithçka ndodhi shumë shpejt."
Me kalimin e kohës, Affleck tregoi një anë shumë ndryshe nga ajo që kishte shfaqur në fillim të ribashkimit me Lopez: "Jennifer gjatë martesës së tyre harxhoi shumë kohë dhe energji për t'u siguruar që Ben ishte i lumtur dhe kishte gjithçka që i nevojitej. Ajo kujdesej për të sikur të ishte një fëmijë." Megjithatë, ylli i kinemasë nuk arriti të mbajë nën kontroll "anën e tij të errët dhe të paqëndrueshme": "Ben është i prirur ndaj ndryshimeve të forta të humorit, me ngritje dhe rënie të mëdha. Dhe nuk e kupton se sa shumë dëmton njerëzit përreth tij me humorin e tij të keq." Sipas miqve të ish-çiftit, aktori "nuk ka ditur kurrë të menaxhojë mirë stresin": "Kur është i qetë dhe me humor të mirë, është fantastike të jesh pranë tij. Por më shpesh, edhe për gjëra të vogla, është i zemëruar ose i frustruar. Nuk është aspak argëtuese të jesh me të kur është i mbushur me negativitet." Kjo ka qenë veçanërisht e vështirë për Jennifer, e cila është krejt ndryshe: "Ajo e do jetën dhe është mirënjohëse për gjithçka." Në fund, Lopez, e dëshpëruar, kërkoi divorcin (edhe sepse Ben, ndryshe nga ajo, "nuk bëri asnjë përpjekje për të shpëtuar martesën"). Por ky vendim, sipas burimeve të People, "i ka thyer zemrën."