Për herë të parë në Kosovë, Red Bull SoundClash do të mbahet në Prishtinë, më 18 dhjetor, në Sallën e Sporteve “1 Tetori”, duke sjellë një spektakël të veçantë muzikor me dy prej emrave më të njohur të skenës muzikore shqiptare, Dhurata Dora dhe Yll Limani.
Ky format muzikor, i cili shkon përtej një koncerti të zakonshëm, do t'i vendosë dy artistët përballë njëri-tjetrit në dy skena të ndara, ku secili do të ketë mundësinë të dëshmojë energjinë, kreativitetin dhe aftësitë e tij përmes performancave live.
Red Bull SoundClash njihet si një përballje muzikore në të cilën artistët sfidojnë njëri-tjetrin përmes interpretimeve të veçanta, versioneve të papritura të këngëve dhe sfidave kreative, duke krijuar një atmosferë ndryshe për publikun.
Një nga veçoritë më interesante të këtij eventi është edhe përfshirja e drejtpërdrejtë e publikut, i cili nuk do të jetë vetëm spektator, por do të ketë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fituesit të kësaj përballjeje.
Përballja mes Dhurata Dorës dhe Yll Limanit pritet të sjellë një mbrëmje të mbushur me muzikë, emocione dhe energji, ndërsa Prishtina do të jetë ndalesa e parë e këtij formati në Kosovë.
Eventi do të mbahet më 18 dhjetor në Sallën “1 Tetori”, ku adhuruesit e të dy artistëve do të kenë mundësinë të përjetojnë një përvojë muzikore ndryshe nga koncertet tradicionale.