Me programin e tij të mbushur me yje, duke filluar me Robert De Niron, Festivali i Filmit në Kanë hapet sot në një botë të përçarë nga konflikti, nga Ukraina në Gaza, në zemër të një platforme të nënshkruar nga qindra personalitete të filmit.
“Ne, artistët dhe figurat kulturore, nuk mund të heshtim ndërsa në Gaza po zhvillohet një gjenocid”, deklaruan sot regjisori spanjoll Pedro Almodóvar dhe aktorët amerikanë Susan Sarandón dhe Richard Gere në të përditshmen franceze “Libération”.
Një tekst simbolik vetëm pak orë para natës së hapjes së festivalit më të madh të filmit në botë, i cili do të shënohet nga çmimi i nderit “Palma e Artë”, që i jepet amerikanit Robert de Niro, një legjendë e artit të shtatë dhe kundërshtar i presidentit Donald Trump.
I bëhen gjithashtu homazhe fotoreporteres palestineze, Fatima Hassouna, e vrarë në një bombardim izraelit në mesin e prillit dhe protagoniste e një dokumentari të planifikuar në një seksion paralel.
“Cili është qëllimi i profesioneve tona nëse jo të nxjerrim mësime nga historia dhe nga filmat e përkushtuar, nëse nuk jemi aty për të mbrojtur zërat e shtypur?”, pyesin 380 nënshkruesit një apeli, ku përfshihen edhe regjisorja franceze Justine Triet dhe aktori britanik Ralph Fiennes.
Ata bëjnë thirrje për veprim “për të gjithë ata që vdesin në indiferencë”.
“Kinemaja duhet të përcjellë mesazhet e saj”, shkruajnë ata.
Festivali ia kushton ditën e hapjes një lufte tjetër, asaj të zhvilluar nga Rusia në Ukrainë, me shfaqjen e tre dokumentarëve.
Një ngjarje tjetër mund të shkaktojë gjithashtu trazira sot, pasi ceremonia e hapjes së këtij edicioni të 78-të përkon me dënimin e Gerard Depardieu me 18 muaj burg, me kusht, për sulm seksual gjatë xhirimit të një filmi.
Në orën 19:15 do të fillojë ceremonia e hapjes, e cila do t’i kushtohet Robert De Niros, 81 vjeç. Një “Palme d’Or” nderi për të gjithë karrierën e tij. Sipas imazheve nga revista franceze “Paris Match”, thuhet se çmimi mund t’i jepet nga Leonardo DiCaprio, i cili mbërriti sot në Kanë.
Fjalimi i aktorit të “Taxi Driver”, i cili nuk e ka kursyer kurrë Donald Trumpin, do të dëgjohet me vëmendje nga bota e filmit, e shqetësuar për ngritjen e regjimeve autoritare dhe kërcënimin e presidentit amerikan për të vendosur një taksë 100% mbi filmat e huaj.