Dita e tretë e gjyqit ndaj reperit të turpëruar Sean 'Diddy' Combs pritet të nisë sot, sipas Mirror, ndërsa ai përballet me një sërë akuzash të rënda, përfshirë komplot për zhvatje, trafikim seksual me përdorim force, mashtrim apo detyrim, dhe transportim për qëllime prostitucioni.
Pesëdhjetë e pesëvjeçari u arrestua në shtator dhe i ka mohuar me vendosmëri të gjitha akuzat. Ai ndodhet në paraburgim që prej arrestimit të tij, me disa kërkesa për lirimin me kusht që janë refuzuar.
Të martën, ish-partnerja e tij Cassie Ventura dëshmoi para dymbëdhjetë anëtarëve të jurisë, të cilët u betuan një ditë më parë në Gjykatën Federale Daniel Patrick Moynihan në Manhattanin e poshtëm.
Prokurorët deklaruan se Combs i detyronte gratë të merrnin pjesë në akte seksuale në grup, nën ndikimin e drogës, të cilat ai i quante “freak offs”, “netët e mbretit të egër” apo “netët e hotelit”. Gjatë pyetjeve, Ventura shpërtheu në lot.
Ajo u pyet nëse kishte pëlqyer ndonjë aspekt të “Freak Offs”, kur filloi të qante. Ventura u përgjigj: “Koha që kaloja me të”, ishte e vetmja gjë që ndjente si një mundësi për të qenë pranë Combs.
Në sallën e gjyqit, ajo tha: “Ndihesha e neveritur. U poshtërova. Nuk kisha fjalë për të shprehur sa keq ndihesha në të vërtetë, dhe nuk mund t’i tregoja askujt për këtë”.