“Familja sot humbi Kasëmin, dhimbje që s’përshkruhet me fjalë” – Irfan Hysenbelliu mesazh prekës për humbjen e vëllait

Shqipëria

“Familja sot humbi Kasëmin, dhimbje që s’përshkruhet me fjalë” – Irfan Hysenbelliu mesazh prekës për humbjen e vëllait

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 16:39
Irfan dhe Kasem Hysenbelliu

Presidenti i ‘Hysenbelliu Group’, Irfan Hysenbelliu ka ndarë një mesazh prekës per humbjen e vëllait të tij, Kasem Hysenbelliu, i cili ndërroi jetë pas betejës me COVID-19.

Në mesazhin e tij, Irfan Hysenbelliu shprehet i pikëlluar per humbjen e pjesëtarit të familjes.

Presidenti i ‘Hysenbelliu Group’ thekson në mesazhin e tij se do jete përkrah familjes së vëllait, ndërkohë që shprehet se s’do kursejë asgjë për të çuar përpara ëndrrën dhe projektet e nisura nga Kesem Hysenbelliu.

Mesazhi i plotë

Të dashur miq dhe të afërm të familjes Hysenbelliu, kolegë dhe bashkëpunëtorë të vëllait tim të ndjerë!

Një falenderim kolektiv për të gjithë ju do të ishte shumë pak, për të shprehur mirënjohjen time të thellë për gjithë mesazhet e ngushëllimit dhe mbështetjes që na keni ofruar në këtë ditë dëshpërimi. Situata që po kalojmë më detyron t’ju drejtohem publikisht e t’ju kërkoj ndjesë që s’mund të komunikoj dot me secilin prej jush.

Sot familja humbi Kasëmin, në një dhimbje që s’mund të përshkruhet me fjalë: ne humbëm djalin e përkushtuar e babain model, bashkëshortin ideal e vëllain e pazëvendesueshëm, xhaxhain e dajën e dhimbsur, një njeri zemërbardhë. Ju, në një solidaritet unikal, na treguat se Kasëmi s’ishte vetëm “familjari model” por edhe një shok e mik i çmuar, drejtues i aftë, koleg e bashkëpuntor i vyer, njeri vizionar e i përkushtuar, mik i të gjithëve.

Faleminderit nga zemra secilit prej jush!

Jam thellësisht i tronditur nga kjo humbje e rëndë dhe të ndahemi prej tij do të jetë tepër e vështirë, por nuk do të na mungojë forca për ta mbështetur fort trashëgiminë e Kasëmit si edhe të gjitha projektet e nisura prej tij, në mënyrë që ato të shkojnë përpara, në veçanti televizioni Fax News. Pas humbjes së vëllait tim të shtrenjtë, do të jem gjithashtu në mbështetje të plotë të fëmijëve të tij të mrekullueshëm, që të çojnë përpara aspirarat dhe në përmbushje të vullnetit të vetë Kasemit.

Ai iku për të na lënë të gjithëve në trishtimin e mungesës së tij, pa humorin e hollë, e planet e pafundme. Por edhe pse s’mundemi ta kemi më fizikisht Kasëmin, asgjë s’do ndryshojë në vazhdimin e misionit të tij. Bashkëshorja dhe fëmijët, gjithë familja e tij e madhe, jemi të gjithë bashkë, për të përjetësuar projektet dhe veprën e tij. Faxnews dhe Faxweb, produktet e shpirtit e mendjes së Kasëmit do të mbështeten pa kursyer asgjë për të përmbushur ëndrrën e Kasëmit, vëllait tim të paharruar.

U prehtë në paqe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat