21 prokurorë merren në mbrojtje nga policia, u rrezikohet jeta nga krimi, alarmohet kupola e drejtësisë së re

Shqipëria

21 prokurorë merren në mbrojtje nga policia, u rrezikohet jeta nga krimi, alarmohet kupola e drejtësisë së re

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 18:43
Foto ilustrim

21 prokurorë kanë kërkuar mbrojtje të veçantë nga Policia e Shtetit gjatë vitit 2020, pasi janë ndier të kërcënuar me jetë, për shkak të ushtrimit të detyrës. Kërkesat janë paraqitur pranë Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve, i cili vendos nëse një prokuror duhet apo jo të merret në mbrojtje nga policia, pas shqyrtimit të rrethanave rast pas rasti.

Shqiptarja.com ka mësuar se Komisioni pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është mbledhur 30 herë gjatë vitit të kaluar, ndërsa ka vendosur që 21 prokurorë të merren në mbrojtje nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke konstatuar praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën dhe familjen e prokurorëve në fjalë.

Ndërkaq, Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve, i cili funksionon pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka vendosur që të mos mblidhet për të pranuar kërkesën për mbrojtje të një prokurori, pasi nga verifikimet ka rezultuar se kërcënimi ishte emocional dhe nuk paraqiste rrezik. Komisioni, në bashkëpunim me policinë, e ka ndjekur nga afër rastin dhe aktualisht prokurori vijon detyrën i qetë. Ndërkaq, 21 prokurorë duket se janë kërcënuar edhe nga segmente të krimit, ndonëse dosjet e tyre mbahen sekret.

Numri i madh i prokurorëve që kanë kërkuar mbrojtje nga shtetit ka alarmuar edhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Disa anëtarë të KLP-së pasi janë njohur me dosjet e kërcënimit të prokurorëve kanë kërkuar që të vënë në lëvizje Kuvendin, për të marrë masa për këtë situatë, duke ndërhyrë në legjislacion.

Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve kryesohet nga një anëtar i KLP-së, ndërsa pjesë e tij janë një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, kryetari i Prokurorisë pranë së cilës ushtron detyrën magjistrati, për të cilin kërkohet mbrojtje, si dhe një një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Anëtarët e komisionit kanë mandat dyvjeçar.

Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe, kur bindet për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për magjistratin, shprehet me vendim për të. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë dhe afatin, brenda të cilit sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera, që lidhen me mbrojtjen në bazë të nivelit të rrezikut.

Ndërkaq, kërkesa për mbrojtje përmban një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz, të cilat detyrojnë të sigurohet mbrojtje e veçantë, si dhe burimin e provave, ku bazohen ato. Gjithashtu, në kërkesë shënohet edhe lloji i masave që kërkohen dhe kohëzgjatja e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat