Meta, pasi ktheu ligjin për koncesionin në aeroport: Po u jap mundësinë deputetëve të reflektojnë

Shqipëria

Meta, pasi ktheu ligjin për koncesionin në aeroport: Po u jap mundësinë deputetëve të reflektojnë

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 13:20
Ilir Meta

Pasi ktheu në Kuvend ligjin që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza” në 13 vjet, presidenti Ilir Meta u bëri thirrje deputetëve që të reflektojnë pasi për çdo vepër të mundshme penale nuk do të ketë amnisti, por vetëm drejtësi.

Kreu i shtetit theksoi se pas 25 prillit vendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e shtetit të së drejtës.

DEKLARATA E PLOTË

Sikundër paralajmërova pak ditë më parë, dje i përcolla edhe zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dekretin për kthimin për rishqyrtim të ligjit për ratifikimin e një ndryshimi të marrëveshjes së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pasi ky ligj bie qartazi ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, anashkalon të gjithë kuadrin ligjor në fuqi dhe është një tjetër provë flagrante e “korrupsionit legjislativ” dhe kapjes së shtetit.

Kuvendi duhet të kërkojë vënien para përgjegjësisë të çdo funksionari publik, që ka konsumuar shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit përgjatë procedurave të ndjekura, të vlerësimit të propozimeve, negocimit, e deri te hartimi, nënshkrimi i kontratës dhe servirja për miratim me ligj, të kësaj marrëveshjeje shtesë koncesionare, që haptazi është në dëm të interesit publik, shtetëror dhe kombëtar.

I bëj thirrje çdo deputeti dhe çdo zyrtari të lartë të administratës, të reflektojë me shumë përgjegjësi mbi këtë nismë dhe të respektojë Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet e vendit, që janë në zbatim të saj, duke e paralajmëruar njëkohësisht se për çdo vepër penale të konsumuar, gjithçka po mbahet shënim dhe nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi, veçanërisht pas 25 prillit, kur vendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e shtetit të së drejtës.

Po u jap mundësinë të gjithë deputetëve të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimin për të ruajtur të pacenuar interesin publik dhe kombëtar të shtetit shqiptar dhe të shtetasve të tij, duke e kthyer mbrapsht në Këshillin e Ministrave këtë nismë legjislative.

Po ndaj me ju dhe me të gjithë opinionit publik, 43 faqet me argumentet ligjore për kthimin e kësaj nisme, me shpresën, por edhe me dëshirën, që të gjeni kohën e mjaftueshme për t’i lexuar, pa ngritur kartonin, duke ulur kokën, siç fatkeqësisht keni vepruar në shumë raste.

I ftoj të gjithë deputetët, por edhe të gjitha partitë e opozitës dhe gazetarët e pavarur të njihen me argumentat kushtetuese e ligjore edhe në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit: www.president.al.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat