“Demokratët derdhën lumenj djerse, por humbën për shkak të ‘Lulzim Boshit'”/ Dita e Rinisë, Berisha: Rama ia mbathi për Korfuz sapo filloi lëvizja studentore

Shqipëria

“Demokratët derdhën lumenj djerse, por humbën për shkak të ‘Lulzim Boshit'”/ Dita e Rinisë, Berisha: Rama ia mbathi për Korfuz sapo filloi lëvizja studentore

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 13:05
Sali Berisha

Ish kryetari historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në ditën e Rinisë ka bërë homazhe në përmendoren e Azem Hajdarit, ndërsa nuk ka kursyer as sulmet ndaj kreydemokratit Basha dhe Kryeministri Edi Rama!

Ndërsa kujton kohën se si nisi dhe më pas vendosi pluralizimin politik në Shqipëri, Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, u shpreh se më 22 mars të vitit 92’kjo lëvizje arriti të përzejë me votën e lirë regjimin më barbar që shqiptarët kishin njohur.

“Arritëm në 22 mars të përzëmë me votën e lirë regjimin më barbar që shqiptarët kishin njohur, pushtimin më të egër që vendi kishte njohur në të gjithë historinë e tij. Në tre dekada Shqipëria me gjithë kompleksitetin dhe vështirësitë shënoi ndryshime në PD, sa asnjë vend tjetër në Evropë dhe më gjerë, nga vendi më i izoluar i planetit ajo u anëtarësua në këshillin e europës dhe në NATO. Bëri hapa vigane drejt BE. U bë vendi me rroga, pensione, më të larta në Rajon. Transformime të mëdha pësoi infrastruktura, qoftë ajo fizike qoftë ajo digjitale. Ritmet e zhvillimit të Shqipërisë ishin ndër më të shpejtat”, u shpreh Berisha.

Berisha ka akuzuar sërish kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe e ka bërë përgjegjës “për humbjet një pas një të PD” në zgjedhje, ndërsa nuk munguan as akuzat ndaj Kryeministri Rama, për të cilin thotë se sapo nisi lëvizja studentore ia mbathi në Korfuz dhe u kthye pasi përfundoi gjithçka.

“PD dorëzoi pushtetin me zgjedhje në vitin 2013 dhe doli në opozitë. Në pushtet erdhën ata që u përmbysën me votën e lirë në 22 mars të vitit 92’. Bijtë e tyre, erdhi Edi Rama, i cili në dhjetor të 90’ sapo filloi lëvizja studentore ja mbathi në Korfuz dhe u kthye pasi përfundoi çdo gjë. Në këto 8 vite ai me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, me nostalgjinë e etërve të tij, çbëri? Në mënyrë kriminale arritjet e mëdha të njëpasnjëshme jetësore të shqiptarëve, në këto 8 vite koha jo vetëm ndaloi në shumë aspekte por ajo bëri dhe prapakthehu. Në këto 8 vite PD, demokratët derdhën lumenj djerse, sakrifica, por mjerisht ata kaluan nga një humbje në tjetrën, jo për shkak të tyre, por krejtësisht për shkak të një njeriu, i cili pas 8 vitesh, meriton të quhet as pak as më shumë se Lulzim Boshi, ose pen kryetari. Në 8 vite shqiptarët u larguan nga Shqipëria njëlloj si në 91’”, tha ish kreu i PD-së

Ish kryeministri ka edhe disa fjalë për kryedemokratin Basha, të cilin e quan tradhtarin më të madh, ndërsa Edi Ramën e cilëson si armikun më të egër të pluralzimit.

“Në 8 vite PD pushoi së qeni ajo që ishte, drejtuesi i saj preu një nga një kolonat mbi të cilat ajo ishte ngritur, parimet dhe idealet mbi të cilat ajo qëndronte. Nëse sot themi se Edi Rama është armiku më i egër i pluralizmit, armiku më i egër i demokracisë, Lulzim Basha është pa asnjë diskutim tradhtari më i madh i tyre”, u shpreh Berisha”, tha Berisha.

Ky “8 dhjetor” ka shënuar 31-vjetorin e vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri dhe tashmë Ditën Kombëtare të Rinisë.

Në këtë ditë nuk kanë munguar as mesazhet e klasës politike, ku përmes rrjeteve sociale, përcollën edhe urimet e tyre.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, zgjodhi të kthehej pas në kohë, në atë që ai e quan “dita e ardhjes së pluralizmit politik”.

Për kreun e shtetit shqiptar sot me rëndësi të madhe është liria, demokracia, pluralizmi politik dhe kthimi i tyre në shinat e qëndrueshme së bashku me të ardhmen evropiane, sipas tij dhe vota e lirë gjithëpërfshirëse mbeten vendimtare në këtë proces, duke shtuar më tej se në fund fare “liri demokraci jo vonë, por tani”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ditën e rinisë solli në vëmendje shpalljen e Tiranës, vitin e ardhshëm, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Ndërkohë, lideri i selisë blu, Lulzim Basha, e ka cilësuar këtë ditë si motiv për të vijuar thirrjen se “duhet luftuar diktatura e sotme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat