Punëtorët në Shqipëri paguhen në dorë, firmat private deklarojnë 250 euro rrogë për mjekë, pedagogë e gazetarë

Shqipëria

Punëtorët në Shqipëri paguhen në dorë, firmat private deklarojnë 250 euro rrogë për mjekë, pedagogë e gazetarë

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Për 40 % të të punësuarve në vend, përfshi pedagogë, mjekë, drejtorë e gazetarë deklarohet paga minimale 30 mijë lekë. Shifrat flasin për evazionin që bëjnë kompanitë, duke paguar pjesën e shtuar të rrogës nën dorë.

Bilancet e dyfishta konsiderohen krim fiskal, por formalizimi mund të vijë vetëm përmes denoncimit nga punonjësit.

Një pjesë e madhe e firmave private në vend deklarojnë se japin pagën minimale 30 mijë lekë për punonjësit. Nga listëpagesa e muajit prill 2021 ishin 162 mijë persona me këtë pagë të deklaruar, që përbëjnë rreth 40% të punonjësve.

Pjesë e listës janë zanate të vlerësuara nga tregu, si pedagogë, gazetarë, mjekë, ekonomistë e drejtues kompanish. Madje, edhe peshkatarët, për të cilët kryeministri Edi Rama tha se paguhen 80 mijë lekë, janë në grupimin e rrogave të ulëta.

Por, e vërteta është se firmat bëjnë evazion me pagat. Ato deklarojnë rroga të ulëta dhe pjesën e shtuar me të cilën edhe punëmarrësit bien dakord e japin në dorë.

Manipulimi i bilanceve konsiderohet krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, por rregullimi i tregut mbetet sfidë më vete.

Prej vitit 2018, bankat e kanë të ndaluar të japin kredi për bizneset me dy bilance, ndërsa Tatimet përpiqen të rregullojnë tregun me fushata informuese.

Mosdeklarimi i plotë i pagave shkakton dëm edhe në skemën e pensioneve, për shkak të kontributeve të ulëta që derdhen. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat