Pabarazia në tenderë/KLSH nis kallëzimet, 17 ish-zyrtarë do hetohen nga Prokuroria Speciale

Shqipëria

Pabarazia në tenderë/KLSH nis kallëzimet, 17 ish-zyrtarë do hetohen nga Prokuroria Speciale

Më: 27 janar 2022 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Kontrolli i Lartë i Shtetit prej ditësh ka nisur një valë kallëzimesh nëpër prokurori. Pas kallëzimeve të depozituara në prokuroritë e Lushnjës dhe të Beratit ku në fokus ishin abuzimet te Kadastra, ditën e djeshme ky institucion ka nisur dy padi konkrete për në SPAK.

Në njërën janë kallëzuar 7 funksionarë të Autoritetit Portual të Durrësit, ndërsa në kallëzimi i dytë u atribuohet 10 punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë. KLSH-ja ka përpiluar kallëzimet pas auditimeve në kohë të ndryshme të drejtorive përkatëse, ndërkohë që janë gjetur shkelje dhe abuzime të shumta, të cilat janë dokumentuar në dosjet e depozituara nëpër prokurori.

KALLËZIMI PËR “PORTIN”

Me anë të një njoftimi, KLSH-ja bën me dije se ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ish drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës dhe gjashtë punonjës të tij.

“Konkretisht, nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit ‘Shërbim konsulence’, me objekt ‘Libri i tarifave’ janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish-drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, përgjegjësi i Prokurimeve, dy përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal që i atribuohet shtatë funksionarëve të Autoritetit Portual Durrës për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga neni 258 dhe 248 i Kodit Penal.

AUDITIMI

KLSH-ja ka ushtruar auditim përputhshmërie dhe rregullshmërie në subjektin Autoriteti Portual Durrës (APD) për periudhën e veprimtarisë 01.07.2018-31.12.2020.

Konkretisht nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave” janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialist.

Veprimet e ish-titullarit të APD-së dhe punonjësve të tij janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, si dhe rregullat e prokurimit publik, duke sjellë për pasojë keqpërdorim të fondeve publike.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në fakt prej shumë vitesh depoziton kallëzime në Prokurori por rrallë ndonjë zyrtarë i kallëzuar ka përfunduar në qeli apo t‘i jetë sekuestruar pasuria. Megjithatë bëhet me dije se në ditët në vazhdim do të ketë edhe kallëzime të tjera që kanë dalë nga auditimet dhe kontrollohet e bëra prej grupeve verifikuese!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat