Kryetarë degësh e ish-kryetarë komunash, kush janë kandidatët e PD për zgjedhjet e 6 marsit

Shqipëria

Kryetarë degësh e ish-kryetarë komunash, kush janë kandidatët e PD për zgjedhjet e 6 marsit

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Tri ditë para afatit zyrtar të përcaktuar nga KQZ për të hapur procesin e regjistrimit të kandidatëve për kryetar bashkie, selia blu ka gati të besuarit e vet për t’u rikthyer edhe në pushtetin lokal.

Pas konsultimeve dhe një procesi në bazë prej disa ditësh, kryesia e Degës së PD Durrës miratoi propozimin për kandidatin për kryetar bashkie.

Në zyrën qendrore të selisë blu, nga dega Durrës erdhi propozimi për të kandiduar Luan Hotin. Luan Hoti është aktualisht kryetar i komanduar i PD-së në qytetin bregdetar. Në fakt, Hoti ishte kandidati i parë që u vetofrua për të kandiduar në qytetin e Durrësit.

Ai do të ketë përballë kandidaten e PS-së, Ermiona Sako, e cila është kryebashkiakja e komanduar pasi dha dorëheqjen Valbona Sako në 2019, pas një deklarate pas tërmetit.

Por jo vetëm me PS-në, Hoti do të ketë një betejë edhe me ish-kolegët e tij. Pas procesit të primareve ku votuan demokratët e Durrësit, në këtë Bashki Komisioni i Rithemelimit ka caktuar Ardian Mukën si kandidat.

Ndërkohë, në Rrogozhinë kryesia e Degës së PD-së çoi në selinë blu si kandidaturën më të mirë për t’u përballur me kandidatin e PS-së dhe Komisionit të Rithemelimit, Ferdinand Saraçin. Saraçi mban prej afro 4 vitesh postin e kryetarit të PD-së në Rrogozhinë. Ndërsa më herët ka qenë emigrant në Itali. Bashkia e Lushnjës do të ketë kandidatë të rinj.

Kryesia e Degës së PD në Lushnjë ka propozuar si kandidatin më të mirë të mundshëm Indrit Sefën. Ky i fundit ka vetëm pak muaj që mori postin e sekretarit për çështjet ligjore në selinë blu.

Sefa është me profesion avokat. Ndërkohë, përballë do të ketë Eriselda Sefën, kryetaren e komanduar të Bashkisë Lushnjë nga Partia Socialiste. Por po ashtu, do të jetë edhe një tjetër i ri. Elton Bano është kandidati i Komisionit të Rithemelimit të PD-së. Bano u prezantua vetëm pak ditë më parë nga ish-Kryeministri Berisha.

Sipas burimeve në PD, Ymer Marku është emri i propozuar nga demokratët e Vorës. Propozimi i është dërguar për miratim Kryesisë qendrore.

Marku është marrë me biznes privat deri në vitin 2003, ndërsa më pas ka pasur një eksperiencë disavjeçare konkretisht deri më 2015-ën si kryetar i Komunës së Bërxullës. Ndërkaq, kryesia e Degës Shkodër i ka besuar ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak Shkodër, Xhemal Bushatit.

Ky i fundit është një emër i njohur në Bashkinë e Shkodrës, pasi më herët ka qenë edhe kryetar i Këshillit Bashkiak. Bushati do të ketë përballë veç kandidates së PS-së, edhe Bardh Spahinë, i cili u zgjodh të kandidonte për Shkodrën pas procesit të votimeve në primare.

Sipas afateve të vendosura nga Kryesia e PD-së, baza e partisë dhe kryesitë e degëve në 6 Bashkitë, duhet ta përfundonin dje procesin e propozimit të kandidatëve. Por, ndërkohë, Dega e PD-së në Dibër është e fundit që ende nuk e ka zgjedhur kandidatin.

Kryesia e PD-së atje u mblodh edhe dje për të gjetur kandidaturën më të mirë, por negociatat vazhdojnë. Kandidatura më e mundshme në këtë Bashki është Luan Haka, ish-kandidati për deputet. Haka mori në zgjedhjet e 25 prillit mbi 5 mijë vota.

Megjithatë, sot do të mbyllet edhe kandidatura e PD-së në Dibër. Po ashtu, pritet që të mblidhet edhe Kryesia për të miratuar kandidaturat e bazës.

KANDIDATËT E PD

Durrës

Luan Hoti

Rrogozhinë

Ferdinand Saraçi

Lushnjë

Indrit Sefa

Vorë

Ymer Marku

Shkodër

Xhemal Bushati

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat