Rama kritika burrave dhe thirrje grave: Shfrytëzojeni mundësinë sa jam unë, merrni pushtetin që ju takon

Shqipëria

Rama kritika burrave dhe thirrje grave: Shfrytëzojeni mundësinë sa jam unë, merrni pushtetin që ju takon

Më: 9 prill 2022 Në ora: 16:54
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste një thirrje kishte edhe për gratë, të cilave u kërkoi që të marrin pushtetin që u takon në parti, duke mos lejuar që burrat të marrin vendime në emër të tyre.

Kreu i qeverisë u shpreh se vërtet PS fiton, por fitorja vjen falë grave, pa punën e të cilave kjo nuk do të ishte e mundur.

Rama u kërkoi grave që ta shfrytëzojnë mundësinë sa është ai në krye të PS, pasi siç u shpreh kjo dallgë antipatriakale nuk do të zgjasë shumë.

“Edhe në këtë aspekt ne nuk i kemi kryetaret gra dhe vajza në çdo organizatë. Unë kam shumë besim tek gratë dhe vajzat dhe ne ndërkohë mendoj që nëse me burrat është shumë e vështirë ti çojmë punët deri në fund me ju nuk duhet të jetë njësoj si me burrat

Do të bëja thirrje që forumin përkatës në territor që keni të drejtimit të organizatës ta përdorini për të mos lejuar që qoftë edhe një organizatë e vetme në zonën tuaj politike të mos ketë një grua ose një vajzë aty. Për të mos lejuar që emrat e bashkëdrejtueseve gra dhe vajza të vendosen nga kryetarët burra apo djem sipas qejfit të tyre dhe për të mos lejuar që mbledhjet të bëhen pa praninë e kryetares grua dhe pa kuorumin e nevojshme të grave.

Kjo e këtyre viteve të udhëheqjes time është një dallgë antipatriakale që mos mendoni se do zgjasë pa fund. Shfrytëzojeni këtë dallgë sa më keni mua dhe merreni pushtetin e PS që ju takon në të gjitha nivelet dhe sidomos në bazë ku unë e kam thënë. Kjo parti vërtet fiton, por ndryshe nga ç’duket themeli i fitores së kësaj partie janë gratë dhe burrat. Sikur për një moment ti heqësh gratë dhe ta lesh me burra është njësoj si të ikni ju nga shpia dhe ta lini shtëpinë dy javë me burra. Imagjinon në çfarë derexheje do ta gjeni shpinë.

Kemi akoma në këtë parti burra këtu që thonë ku kemi gra ne, sikur ata kanë dalë nga ndonjë bark lope që mos shkojmë më tutje se me kë i bëjnë fëmijët. Gra ka që cke me atë punë. Por jeni ju që duhet të mos lejoni që të trajtoheni sikur nuk ekzistojnë gratë”, tha Rama.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat