I premtoi 70.000 euro për vrasjen e “Otit”, por “kushoja” i tij nuk e ekzekutoi dot! Si erdhi Nuredin Dumani nga Kosova për ta kryer vetë krimin!

Shqipëria

I premtoi 70.000 euro për vrasjen e “Otit”, por “kushoja” i tij nuk e ekzekutoi dot! Si erdhi Nuredin Dumani nga Kosova për ta kryer vetë krimin!

Më: 20 maj 2022 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Henrik Hoxhaj, “ushtari” i Nuredin Dumanit ka rrëfyer çfarë ka ndodhur ditën e arrestimit të serial killerit pas plagosjes në Elbasan. I penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj ka rrëfyer për hetuesit se bashkëpunëtori i tij, Nuredin Dumani i kishte premtuar 70.000 euro për vrasjen e shtetasit Elton Kila, që njihej si “Oti”, dhe i kishte dërguar foton e tij.

Sipas Hoxhajt, porosia për ekzekutimin e tij ishte bërë nga Suel Çela dhe në atë periudhë Nuredin Dumani ndodhej në Kosovë.

Henrik Hoxha tregoi se u përpoq disa herë të vriste “Otin”, i cili kishte në pronësi një pikë shitjesh automjetesh në Elbasan, por “pasi studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta kryenin bashkë vrasjen. Më datë 26.03.2022 kanë vajtur me Nuredinin për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë.”

Më tej Henrik Hoxhaj, ka shpjeguar se kishin vendosur të mbaronin punë vetëm 3 ditë më pas dhe para se të niseshin nga Fieri në drejtim të Elbasanit për të kryer porosinë e Suel Çelës, Nuredini ka futur në automjetin BMV X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta.

Sipas tij, ai shkoi tek pika ku shiste automjete shënjestra e tyre, ndërsa “Nuredin Dumani me BMV e tij ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht tek kryqëzimi Cërrikut”.

Kur Henriku njoftoi Dumanin se nuk po shihte Otin, ky i fundit i çdo sms “duke i thënë që edhe kjo ditë na iku bosh”.

Më pas ushtari i serial killerit është nisur për tu larguar nga vendgjarja dhe rrugës është ndaluar nga policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë efektivët, Nuredin Dumani e ka njoftuar që e kishin plagosur.

“Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin i ulur tek sedilja e parë e pasagjerit të mjetit BMV me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz.

Unë e kam futur Nuredinin në makinën Benz tek sedilja prapa nga ana pasagjerit. Unë nuk kam fiksuar brenda mjetit BMV dy automatikët kallashnikov që kishte vendosur tek makina BMW Nuredini para se të niseshim.

Rrugës e kam pyetur Nuredinin se kush i kishte shtënë me armë dhe ai më ka thënë se një mjet Benz me targa të Elbasanit të vjetra ku ndodheshin tre persona me maska i kishin shtëne me armë në befasi”, rrëfeu Henrik Hoxha.

Pjesë nga dosja hetimore:

Lidhur me faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasit Elton Kila (i thirrur Oti), ndodhur më datë 29.03.2022 në Elbasan.

11.1  Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 14.04.2022, procedimin penal nr.75, për veprat penale të “Vrasje me paramendim” e mbetur ne tentativë, e kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 78/2 ne lidhje me nenin 22, 278, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal si dhe për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 278 dhe neni 302 të Kodit Penal.

Në regjistrin e procedimeve penale, krah procedimit penal nr.75 të vitit 2022 janë shënuar edhe emrat e të hetuarve Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj dhe Mirjetë Hajdini.

11.2    Në kuadër të këtij procedimi dhe nga aktet e para hetimore rezulton se më datë 29.03.2022 rreth ores 17:25, është njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan se në fshatin Papër, Elbasan, janë dëgjuar disa të shtëna me armë si dhe është gjetur një automjet i braktisur në këtë zonë. Menjëherë është formuar grupi hetimor dhe është shkuar në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se: vendi i ngjarjes ndodhet në fshatin Papër, Njësia Administrative Papër, Bashkia Elbasan dhe konkretisht në kryqëzimin e rrugës Elbasan-Cërrik- Belsh- Gramsh, pranë vendit të quajtur “Ura e Zezë”. Si pikë referimi në vendin e ngjarjes është marrë cepi veri-lindor i ishullit trafik ndarës nga ana jugore e rrugës për në Cërrik, treguar me tabelën nr.8. gjerësia e degëzimit të rrugës për në Cërrik është 7.6m.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 9 (nëntë) copë gëzhoja fisheku arme zjarri model 56 kalibër 7.62 mm, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Në një distancë 9.5 metra nga pika e referimit, shihen copa të shumta të vogla xhamash të thyer, si ato të automjeteve me ngjyrë gri të errët në të zezë, të shpërndara në formë të çrregullt në një sipërfaqe 2.2m x 1.7m.

Më pas këqyrja ka vazhduar në automjetin tip foristradë i markës BMV X5, me ngjyrë të zezë me targa AA801 MV, i cili ndodhej i ndaluar në sheshin e anës perëndimore të bar-restorant “Xhyra” në fshatin Papër, Njësia Administrative Papër, Bashkia Elbasan. Automjeti është i orientuar në drejtim jug-perëndim, dera e parë e krahut të djathtë (e pasagjerit) u gjet plotësisht e hapur, dera e pasme e po këtij krahu u gjet gjysmë e hapur, automjeti është në gjendje të ndezur dhe me çelës të vendosur në kuadro. Dyert e krahut të majtë u gjendën të mbyllura por jo të siguruara.

Nga ana veriore e automjetit, në tokë, në distancë 2.9m nga goma e parë e automjetit është gjetur dhe fiksuar në cilësinë e provës materiale një çakmak i vogël me trup plastik e ngjyrë të blu. Në distancë 1.3 metra po nga goma e parë e krahut të djathtë të automjetit, në tokë është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një bidon plastik me ngjyrë si të gjelbër e cila mban erë karakteristike si lëndë djegëse.

Pranë gomës së pasme të krahut të djathtë, në tokë shihet një njollë e madhe në formë të çrregullt me ngjyrë gri të errët në të zezë si ajo e blozës, të dyja gomat e krahut të djathtë të automjetit janë të çara (të shfryra plotësisht) dhe me disqet e tyre pjesërisht të dëmtuar, ndërsa dy gomat e krahut të majtë u gjetën të rregullt e pa dëmtime. Nga këqyrja e jashtme e automjetit, mbi sinjalin e pasmë të majtë dhe ngjitur me të vihen re pranë njëra tjetrës pesë vrima tej shpuese në formë gati rrethore me buzë të llamarinës të përveshura nga brenda, me diametër 7-9mm, dëmtime të cilat janë të ngjashme me ato të shkaktuara me predhë fisheku arme zjarri me drejtim nga jashtë brenda.

Gjithashtu tre vrima të ngjashme vihen re edhe në anën e jashtme të derës së pasme të krahut të majtë, paralel me dorezën e derës.  Xhami i kësaj dere u gjet plotësisht i thyer, copat e të cilit u gjetën në brendësi të automjetit. Xhami i derës së parë të krahut të majtë u gjet i krisur dhe me një vrimë në formë të çrregullt, mbi pjesën e sipërme të mesit të saj, dëmtim i ngjashëm me atë të shkaktuar me predhë fisheku arme zjarri, me drejtim nga jashtë brenda.

Më pas këqyrja vazhdon brenda në automjet ku ngjitur me anën e djathtë të sediljes së parë të krahut të djathtë u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një krehër metalik e cila përdoret nga armët e zjarrit luftarake pushke model 63 kalibër 7.62mm, i mbushur me 20(njëzet copë fishekë model 56 kalibër 7.62mm). Përpara sediljes së parë të krahut të djathtë, në ndenjësen e këmbëve, vërehet një qese plastike me ngjyrë të zezë, ku brenda ka një bidon plastik detergjent larës për xhamat me etikete “Ajax”, i mbushur plotësisht me lëng, si edhe njëmbëdhjetë copë doreza plastike si ato kirurgjike, me ngjyrë të gjelbër. Poshtë sediljes së pasme në ndenjësen e këmbëve u gjet dhe u sekuestrua një bidon plastik 1.5litër i mbushur me lëng me ngjyrë të verdhë, i mbyllur me tapë, ku pas hapjes së tapës ky lëng mban erë si ajo e lëndës djegëse benzinë. Në sediljen e pasme vihen re katër dëmtime në afërsi të njëra tjetrës, në formë të çrregullt e buzët e materialit të përveshura nga jashtë gjithashtu mbi këtë sedilje ka edhe copa të shumta xhami të thyer.

U bë kontrolli për përcaktimin e numrit të identifikimit dhe numrit të shasisë të këtij automjeti, ku mbi suportin e amortizatorit të krahut të djathtë ky numër është i dëmtuar me mjete të forta dhe i pa lexueshëm. Edhe mbi kroskot, poshtë xhamit nga ana e majtë ky numër është i dëmtuar dhe i palexueshëm. Nga kontrolli i mëtejshëm i automjetit nuk u gjetën sende të tjera të kundërligjshme. Më pas në vende të ndryshme brenda në automjet u bë tamponimi për përfitimin e ndonjë mbetje biologjike për ekzaminime të mëtejshme, ku u morën gjithsej 18 copë tampone me shënimet përkatëse. Nga përpunimi me pluhur daktiliskopik alumini, në anën e jashtme të derës së pasme të krahut të majtë u zbulua një gjurmë papilare me lënie lënde djegëse yndyrore. U sekuestruan dy targat dhe një portotargë e automjetit AA801MU.

11.3    Nga procesverbali i përpiluar nga Forcat e Posaçme Shqiponja, është kapur në flagrancë shtetasi Henrik Hoxhaj, ku nga kontrolli fizik i këtij shtetasi është konstatuar një armë zjarri si “pistoletë” me mbishkrim me nr. ПC3158-1952 me krehër brenda i mbushur me 8 (tetë) copë fishekë. Nga këqyrja e banesës së shtetasit Nuredin Dumani rezultoi se, kjo banesë ndodhet në lagjen Apollonia në qytetin e Fierit, në katin e katër të një pallati 9 katësh dhe konkretisht hyrja numër 7 në pronësi të shtetasit Altin Kule.

Brenda në banesë, para hyrjes së dhomës së gjumit u gjetën dy qese të mbushura me kartopeceta disa prej tyre të lagura dhe të gjitha të ndotura me një lëndë të kuqe si ato të gjakut. Pas qeseve u gjet një bluzë pambuku me ngjyrë të errët me mbishkrim “Nike” e cila në pjesën e pasme ka dëmtime rrethore. Nga këqyrja në brendësi e dhomës së gjumit, në anën e majtë të kokës së krevatit mbi një pupë u gjet një çantë me thurje fije plastike ngjyrë të bardhë, blu dhe rozë, në brendësi të kësaj çantë u gjet një armë zjarri e llojit automatik të stampuar në anën e majtë të trupit nr.2009684 dhe kapaku i tytës me nr.2155. Kjo armë është e pajisur me shënjestër optike.

Ngjitur me pupën ku është gjetur qesja e mësipërme është gjetur një çantë meshini ngjyrë e zezë e markës LuisViton, dhe brenda saj një krehër arme zjarri si ato që përdoren nga automatikët model 56 kalibër 7.62 me fishekë brenda. Po në këtë çantë u gjetën 9 fishekë model 54 kalibër 7.62mm, një palë doreza gjysmë në pjesën e gishtave. Më xhepin e kësaj çante janë gjetur disa medikamente mjekësore.

Gjithashtu është gjetur një çantë adiddas ngjyrë gri ku brenda saj ndodhet një telefon markës “blackberry” me ngjyrë të zezë dhe i fikur. Këqyrja ka vijuar te këndi i kuzhinës, ku tek tavolina e ngrënies është gjetur një telefon i markës “Iphone”, me ngjyrë të verdhë nga mbrapa, telefoni është në gjendje të ndezur dhe me kod sigurie dhe kishte të instaluar kartën e kompanisë “One”. Një telefon tjetër i markës Samsung S9, i zi, i ndezur dhe me kod sigurie. Në tavolinë është gjetur një çantë e zezë me rrip dhe brenda saj një palë dylbi, një karikues dhe një bateri për dylbitë. Këto dylbi kanë numër serie 9045494 dhe mbishkrimin “PULSAR, LRFXP5077410 MADE IN LITHUANIA”.

Në sallonin e ndenjës mbi një tavolinë të vogël xhami, janë gjetur një palë dylbi të zeza me mbishkrim “CHAMPION 10X50 FIELD 5*NO.G.2003”. Në sallon mbi divan është gjetur një çantë krahu ku brenda së cilës kishte një pasaportë, lëshuar nga shteti Kosovës, me numër ‘******’ në emër të Valentina Hajdini, një leje drejtimi në emër të Valentina Hajdini lëshuar nga shteti Kosovës, një letërnjoftim lëshuar nga shteti Kosovës në emër të Mirjetë Hajdini, një kartë memorie e markës Kingston, si dhe dy mini kartë memorie, njëra “sandisk” 2GB dhe tjetra “kingston” 4GB. Në një xhep të portofolit janë gjetur 18 copë kartëmonedha me prerje 50 Euro.

Mbi tavolinën e ngrënies në një cep të saj është gjetur një qese plastmasë e bardhë me mbishkrimin “big” ku brenda saj kishte ambalazhe dorezash kirurgjikale, katër doreza të përdorura, garza të ndotura me ngjyrë të kuqe si të gjakut, një ambalazh shiringe dhe një shiringë e përdorur. Nga përpunimi me pluhur daktiloskopik i objekteve të ndryshme nuk u përfituan gjurmë papilare.

11.4        Nga këqyrja e automjetit me targë AA560VN, e markës Mercedes Benz, me ngjyrë të gri, janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale: Një armë zjarri model BUL M-5 me nr trupi BL32258 Made in Izrael me një krehër në folenë e saj me 16 fishekë kalibër 10mm, ku prej tyre 14 janë me numër markerovi SIG 40 S&M, 1 me numër NNY40S&W dhe 1 me numër PPU40S&W. Gjithashtu një karikator tjetër arme zjarri me 16 fishekë kalibër 10 mm, 2 me numër markerov SIG 40S&W, 7 me numër Nny40 & Ë dhe 7 me numër PPU40S& W.

Një karikator arme zjarri me 16 fishekë kalibër 10 mm, 2 me numër markerov SIG 40S&Ë, 7 me numër Nny40&Ë dhe 7 me numër PPU40S&Ë, shtatë bishta cigare PHILIP MORRIS të përdorur, një kontratë qiraje automjeti e datës 20.09.2021 në emër të shtetasit Jani Skimbis, 33(tridhjetë e tre) kartëmonedha prerje 50 euro, në shumë të përgjithshme 1650 euro, një leje drejtimi ne emër te Henrik Hoxhaj me nr. A9***I-2, Një pasaportë në emër të shtetasit Henrik Hoxha me numër I****99K, dy thika metalike. Një jelek ngjyrë blu me mbishkrimin HUGO BOSS dhe një pulovër me zinxhir me ngjyrë të zeze me mbishkrimin HUGO të dyja të dëmtuara në pjesën e pasme, si dhe disa objekte të tjera për përpunime në kushte laboratorike.

11.5        Shtetasja Mirjetë Hajdini ka deklaruar mbi rrethanat e njohjes me shtetasin Nuredin Dumani, marrëdhënien e krijuar me të, faktin që ky shtetas i është prezantuar me emrin Arvit Spahiu, rrethanën që Arviti mbante armë me vete, faktin se kanë bashkëjetuar në Gjilan, Kosovë, Arviti i ka thënë që të vinte në Tiranë.

Më tej ajo ka shpjeguar se:….. mbërriti në stacion erdhi dhe e mori “Kushoja”, të cilin dje mori vesh që e quanin Henrik pasi nuk e dinte emrin. Henriku e mori te terminali i autobusëve të Tiranë dhe shkuan për në qytetin e Fierit sepse Arviti ndodhej aty. Dhe Henriku e çoi tek një pallat, në katin e katërt dhe atje takon Arvitin. Është i njëjti pallat ku u gjet dhe Arviti dje. Ajo sqaron se nuk kish dijeni që Arviti quhej Nuredin Dumani dhe që kishte probleme me drejtësinë në Shqipëri.

Në datë 29.03.2022, Arviti u zgjua rreth orës 08:00 në mëngjes dhe i tha se do dilte me Henrikun. Pasi Arviti kishte gati 5 minuta që kishte dalë, erdhi Henriku dhe i tha të zbriste pak se duhet të merrte diçka. Mirjeta zbrita poshtë dhe Arviti ndodhej në një makinë ngjyrë gri, të vogël dhe Arviti me Henriku hapën bagazhin e makinës, nxorën një armë zjarri ngjyrë të zezë, e futën në një qese ngjyrë blu dhe ia dhanë në dorë dhe Arviti i tha shko çoje tek dhoma sepse do dalë me kushon.

Sqaron se arma që i dhanë ishte e madhe, jo si arma që Arviti kishte pas mbajtur gjithmonë por goxha më e madhe se ajo. Armën e mori dhe e çon tek dhoma në banesë, kurse Arviti dhe Henriku u larguan me makinë. Po kështu, nga organi procedues janë administruar edhe deklarimet e shtetasve të tjerë.

11.6  Në lidhje me këtë fakt penal shtetasi Henrik Hoxhaj ka deklaruar ndër të tjera se, me Nuredinin është takuar para 3-4 vitesh.

Dëshmia: Nuredinin e kam njohur tek ditëlindja e një mikut tonë të përbashkët. Njohja ime me Nuredinin ka qenë graduale dhe me kalimin e kohës unë e kam forcuar lidhjen time me të. Gjatë periudhës 3-4 vjeçare kontaktet nuk i kemi pasur të shpeshta me përjashtim të rasteve kur Nuredini më kërkonte ta ndihmoja për të bërë ndonjë punë periudha në të cilat i kemi shpeshtuar kontaktet dhe lidhjet me njëri tjetri. Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë për të cilën e kishte porositur më parë….

Konkretisht rreth 15-20 ditë para se të vinte Nuredini më ka shkruar mesazh në telefon duke më dërguar foton e një personi në Elbasan emrin e të cilit nuk e di por më ka treguar se ai kishte një pikë shitje automjetesh e cila ndodhet përpara Restorant “Zykollari” në krah të një karburanti dhe mobilierie. Më tej Henriku ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini me foto.

Nuredini i ka premtuar se do të paguhej 70 000 Euro…Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta kryenin bashkë vrasjen. Më datë 26.03.2022 kanë vajtur me Nuredinin për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë.

Më tej Henriku shpjegon se kanë vendosur të shkojnë në Elbasan në datën 29.03.2022 për të mbaruar punën…. Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15, unë dhe Nuredini, ai me BMV X5 me targa AA…. dhe unë me automjetin Benz me targa AA…. Unë isha para BMV për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje.

Para se të niseshim, Nuredini ka futur në automjetin BMV X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për ti hedhur benzit tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera para se te shkosh te Jet Oil në Rrapëz. Kam hedhur 30 mijë lekë naftë ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge. Pasi hodha naftën unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11.30 kam arritur në Elbasan. Unë vazhdoj për në qytet duke marre unazën dhe jam kthyer tek karburant “Feleqi” ndërsa Nuredini me BMV e tij ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht tek kryqëzimi Cërrikut.

Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim. Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi qe do vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye kam futur makinën time për ta larë tek një lavazho që është përballë me servis “Kadiun” dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birë. Kam qëndruar tek lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim me qëllim për të parë nëse personi ishte aty por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka tek lokali “Eurodriza” tek Rotondo në hyrje të Elbasanit.

Gjatë kësaj kohe unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do vrisnim por kam fiksuar një benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo benz por ai më tha që donte parë ai mjet. Unë e pashë mjetin por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin. Duke parë këtë gjë mosgjetjen e personit që ne kërkonim unë jam ulur për të ngrënë buke tek “Eurodriza” siç thashë ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri tek lavazho te “Kadiu”. Qëndrova tek lavazhi dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin.

Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim tek kryqëzimi Cerrikut. Në një moment Nuredini më pyeti me sms duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur sms ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur.

Unë nuk kam arritur ta pyes se çfarë ndodhi por kam ecur drejt tij. Unë kam konstatuar mjetin BMV X5 me targa AA801 të dëmtuar anash rrugës në krahun e majtë timin me drejtim Elbasan Peqin anash një restoranti. Ndalova tek mjeti duke marrë kthesën dhe kam shkuar direkt paralel me mjetin BMV. Aty kam parë se mjeti BMV i kishte gomat dhe disqet e dëmtuara pashë shishen e benzinës së hapur dhe kam spërkatur pak me të me qëllim djegien e mjetit BMV por nuk kam mundur ta ndez. Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin i ulur tek sedilja e parë e pasagjerit të mjetit BMV me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz.

Unë e kam futur Nuredinin në makinën Benz tek sedilja prapa nga ana pasagjerit dhe kur po e fusja në makinë kam parë se ai në xhepin e djathtë kishte një armë zjarri pistoletë model izraelit Boll-5 si dhe në sediljen e parë të pasagjerit ku ai ishte ulur gjendjen pistoleta model TT të cilën unë e kam futur në brezin tim. Unë nuk kam fiksuar brenda mjetit BMV dy automatikët kallashnikov që kishte vendosur tek makina BMË Nuredini para se të niseshim.

Mora TT e futa në brez, mora dhe armën Izraelite e lashë në makinë. Pasi hipa Nuredinin në makinë me shpejtësi jam nisur drejt Fierit pa ndaluar në asnjë vend. Rrugës e kam pyetur Nuredinin se kush i kishte shtënë me armë dhe ai më ka thënë se një mjet Benz me targa të Elbasanit të vjetra ku ndodheshin tre persona me maska i kishin shtëne me armë në befasi. Direkt nga Elbasani kam shkuar tek shtëpia në Fier dhe me vështirësi e kam futur Nuredinin në ashensor dhe më pas tek shtëpia ku ishte e dashura e tij.

Kur e futa në shtëpi e kam zhveshur Nuredinin dhe pasi u zhvesh ai filloi të villte. Menjëherë duke parë gjendjen e Nuredinit kam dalë dhe kam kërkuar për ndihmë mjekësore ku kam gjetur shtetasit Bledar Berdalli, dhe dy tjerët nuk i njoh me emër të cilët i kam të njohur në qytet dhe janë me profesion mjek e infermier.

Të tre ata kanë ardhur tek shtëpia dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore Nuredinit për sa kishin mundësi dhe më pas janë larguar. Rreth orëve të mbrëmjes orën e saktë nuk e di mua më ka kapur policia në trotuarin para pallatit ku ishte Nuredini dhe në brez më ka gjetur armën TT që kisha marrë nga makina e Nuredinit. Më pas kam parë që policia u fut edhe te hyrja e pallatit ku ishte Nuredini. Unë jam shoqëruar në polici dhe nuk fiksova gjë tjetër se çfarë ndodhi aty.

11.7   Shtetasi Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë shtetasin e thirrur Oti. Sueli i çonte foton e Otit në telefon. Duke qenë se Henriku nuk po e gjente Otin, Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova. Në deklarimet e tij shtetasi Nuredin Dumani ka shpjeguar hollësisht rrethanat lidhur me këtë fakt penal dhe personat e përfshirë në kryerjen e këtij akti.

11.8     Prokuroria parashtron se: Lidhur me këtë fakt penal të hetuarit Nuredin Dumani, Marjus Lulaj (Suel Çela) dhe Henrik Hoxhaj, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Elton Kila (i thirrur Oti), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat